Solid Joys ShqipShembull
Perëndia kujdeset për të përulurit
“Perëndia i kohëve të lashta është streha jote dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm.” (Ligji i Përtërirë 33:27)
Ndoshta po përjeton gjëra të cilat përmes dhimbjes po të përgatisin për një shërbim të çmuar ndaj Jezusit dhe popullit të tij. Kur një person arrin fundin, dhe përjeton një ndjesi zbrazëtie dhe mungesë shprese, ai mund të zbulojë që ka arritur te Shkëmbi i Epokave.
Më kujtohet një fjali shumë e dashur nga Psalmi 138:6, që familja jonë e lexonte në devocionet e mëngjesit: “Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë.”
Nuk mund të dëshpërohesh aq thellë sa të mendosh se Perëndia nuk po të sheh dhe nuk po kujdeset për ty, për shkak të asaj që të mungon. Në fakt, Ai po të pret atje në fund, që të të kapë. Siç thotë edhe Moisiu: “Perëndia i kohëve të lashta është streha jote dhe poshtë teje ndodhen krahët e tij të përjetshëm” (Ligji i Përtërirë 33:27).
Po, Ai të sheh teksa dridhesh dhe rrëshqet. Ai mund (dhe shpesh e ka bërë) të të kapë para se të arrish në fund. Por kësaj here ai ka disa mësime të reja për të të mësuar.
Psalmisti tha te Psalmi 119:71: “Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.” Ai nuk thotë se ishte e lehtë, argëtuese ose e këndshme. Kur ai hedh vështrimin pas, thjesht thotë: “Ka qenë mirë për mua.”
Javën e kaluar po lexoja një libër nga një pastor skocez i quajtur James Stewart. Ai tha: “Vetëm ushtarët e plagosur mund t’i shërbejnë dashurisë.” Kjo është arsyeja pse mendoj se disa prej jush po përgatiteni tani për një shërbim të çmuar dashurie. Për shkak se po plagoseni.
Mos mendo se plaga të është shkaktuar pa planin e hirshëm të Perëndisë. Mbaj mend fjalët e Tij: “Tani e shikoni që unë jam Ai dhe që nuk ka Perëndi tjetër përbri meje... unë të plagos dhe të shëroj” (Ligji i Përtërirë 32:39).
Ty që po rënkon nga ndonjë barrë, Perëndia të dhëntë një hir të veçantë. Prit me durim butësinë e re të dashurisë, që Perëndia po të përcjell në këtë moment.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione