Solid Joys ShqipShembull
Si të pendohesh
Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi. (1 e Gjonit 1:9)
Ndjenja e paqartë dhe e keqe se je një person i pavlerë nuk është e njëjta gjë si bindja për mëkat. Të ndihesh si mos më keq për veten nuk është e njëjta gjë me pendimin.
Këtë mëngjes nisa të lutesha dhe u ndjeva i padenjë për të folur me Krijuesin e gjithësisë. Kjo ishte një ndjesi e paqartë padenjësie. Prandaj ia thashë këtë Atij. Po tani?
Asgjë nuk ndryshoi derisa nisa të tregohesha më specifik për mëkatet e mia. Të ndihesh keq mund të jetë e dobishme, nëse të çon në bindje për një mëkat specifik. Sidoqoftë, ndjenjat e paqarta të të qenët një person i keq, zakonisht nuk janë shumë të dobishme.
Mjegulla e padenjësisë duhet të marrë trajtë në kolonat e qarta dhe të zymta të mosbindjes. Atëherë, ju mund t’i rrëfeni ato, të pendoheni për to, të kërkoni falje dhe pastaj t’i merrni në shënjë për t’i bërë copë e thërrime me bazukën e ungjillit.
Kështu fillova të kujtoja urdhërimet, të cilat i shkel shpesh. Këto janë ato që më erdhën në mendje:
- Duaje Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde. Jo 95%, por 100%. (Mateu 22:37)
- Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Dëshiro fort që gjërat të shkojnë mirë për të, aq sa dëshiron edhe për gjërat e tua. (Mateu 22:39)
- Bëji të gjitha gjërat pa u ankuar. Pa ankesa—brenda dhe jashtë. (Filipianëve 2:14)
- Hidhe gjithë merakun tënd mbi të—që të mos të të rëndojë më. (1 e Pjetrit 5:7)
- Thuaj vetëm gjëra që u japin hir të tjerëve—sidomos atyre që janë më afër teje. (Efesianëve 4:29)
- Shfrytëzoje kohën! Mos i harxho kot minutat. (Efesianëve 5:16)
Kaq e patën edhe pretendimet për një shenjtëri të madhe! Mora fund!
Kjo është shumë më keq se ndjenjat e paqarta të keqardhjes. Ah, por tani armiku është bërë i dukshëm. Mëkatet janë specifike. Ato janë nxjerrë në dritë, tani i shoh në sy. Nuk po ankohem se ndihem si mos më keq. Po i kërkoj falje Krishtit që nuk kam bërë gjërat specifike që Ai më ka urdhëruar t’i bëj.
Jam i thyer përbrenda, jam i zemëruar me mëkatin tim. Dua që të vras mëkatin dhe jo veten. Nuk kam mendime vetëvrasjeje. Jam dikush që e urren mëkatin dhe që e vret atë. (“Vrisni, pra, gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë,” Kolosianëve 3:5, “I vrisni veprat e trupit” Romakëve 8:13.) Unë dua të jetoj. Prandaj jam vrasës—vrasës i mëkatit tim!
Në mes të këtij konflikti, dëgjoj premtimin: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 e Gjonit 1:9). Atëherë, vjen paqja.
Tani, lutja më duket sërish e mundur, e drejtë dhe e fuqishme.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani
"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione