Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 33 NGA 366

Cikli i faljes

“Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë; dhe mos lejo të biem në tundim.” (Luka 11:4)

Kush fal i pari dhe kë fal?

  • Nga njëra anë, Jezusi thotë: “Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë”(Luka 11:4).
  • Nga ana tjetër, Pali thotë: “Sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju” (Kolosianëve 3:13).

Kur Jezusi na mëson të lutemi që Perëndia të na falë: “sepse edhe ne i falim fajtorët tanë”, Ai nuk po thotë se lëvizja e parë në falje është e jona. Përkundrazi, radha është kjo: Perëndia na fali kur besuam në Krishtin (Veprat 10:43). Pastaj, nga ky përjetim i faljes plot me thyerje, gëzim, mirënjohje dhe shpresë, ne u ofrojmë falje të tjerëve.

Kjo frymë faljeje tregon se jemi falur për shpëtim. Prandaj kur ne i falim të tjerët trregojmë se kemi besim; se jemi të bashkuar me Krishtin; dhe se brenda nesh banon Fryma e Shenjtë, plot hir dhe që na bën të përulur.

Sidoqoftë, ne ende mëkatojmë (1 e Gjonit 1:8, 10). Prandaj kthehemi te Perëndia për zbatime të reja të veprës së Krishtit për llogarinë tonë—për zbatime të reja të faljes. Nuk mund ta bëjmë me siguri, nëse mbajmë përbrenda një frymë mosfaljeje. (Kujtoni shëmbëlltyrën e shërbëtorit mosfalës te Mateu 18:23-35. Ai refuzoi ta falte bashkëshërbëtorin e tij që i detyrohej një mijë lekë, edhe pse vetë i ishin falur dhjetë milionë lekë. Përmes frymës së tij të mosfaljes, ai tregoi që mëshira e mbretit nuk e kishte ndryshuar.)

Jezusi na mbron nga kjo marrëzi, duke na mësuar të lutemi: “Dhe na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë” (Luka 11:4). Ja pse Jezusi thotë që ne kërkojmë falje: sepse jemi të falur. Është sikur të thuash: “Atë, vazhdo të më japësh mëshirat e blera nga Krishti, sepse përmes tyre jam i falur, e braktis hakmarrjen dhe u jap të tjerëve atë që ti më ke dhënë mua.”

E përjetofsh sërish faljen e Perëndisë sot dhe hiri i Tij u derdhtë në zemrën tënde përmes faljes ndaj të tjerëve. Ky përjetim i ëmbël i hirit në jetën tënde të dhëntë edhe më tepër siguri që, kur të shkosh te Perëndia për të përjetuar faljen e re, të blerë me gjakun e Krishtit, ta dish që Ai të sheh si fëmijën e Tij, të falur dhe falës.

Shkrimet e Shenjta

Dita 32Dita 34

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​