Solid Joys ShqipShembull

Mëshirë për sot
“Është hiri i Zotit që nuk jemi shkatërruar plotësisht, sepse mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikëria jote.” (Vajtimet 3:22-23)
Mëshirat e Perëndisë janë të reja çdo mëngjes, sepse çdo ditë ka mëshirë aq sa i takon. Perëndia është Ai që i cakton vështirësitë e çdo dite dhe është po Ai që cakton edhe mëshirat e çdo dite. Këto gjëra janë caktuar në mënyrë të përsosur në jetën e fëmijëve të Tij. Jezusi tha: “Mos u shqetësoni, pra, për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet vetë për vete. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet” (Mateu 6:34). Çdo ditë ka mundimet e saj. Çdo ditë ka mëshirat e saj dhe secila prej tyre është e re çdo mëngjes.
Megjithatë, ne shpesh kemi prirjen të dëshpërohemi, kur mendojmë se mund të na duhet të mbajmë barrën e së nesërmes me fuqitë e të sotmes. Perëndia dëshiron që ne ta dimë se nuk duhet të dëshpërohemi. Mëshirat e sotme janë për vështirësitë e të sotmes. Mëshirat e së nesërmes janë për vështirësitë e së nesërmes.
Ndonjëherë ne vrasim mendjen nëse do të kemi mëshirën për të qëndruar të palëkundur në sprovën e tmerrshme. Po, do ta kemi! Pjetri thotë: “Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju” (1 e Pjetrit 4:14). Kur vjen fyerja, vjen edhe Fryma e lavdisë. Kjo i ndodhi Stefanit, teksa po e vrisnin me gurë. Kjo do të të ndodhë edhe ty. Kur të të nevojitet Fryma dhe lavdia, ato do të vijnë.
Mana në shkretëtirë jepej çdo ditë. Ajo nuk mund të ruhej. Kështu edhe ne duhet të varemi në mëshirën e Perëndisë. Ti nuk e merr sot forcën për të mbajtur barrët e së nesërmes. Sot të jepet mëshirë për vështirësitë e të sotmes.
Nesër, mëshirat do të jenë të reja. “Besnik është Perëndia, nga i cili u thirrët në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë” (1 e Korintasve 1:9).
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione