Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Solid Joys ShqipShembull

Solid Joys Shqip

DITA 108 NGA 366

Të përqafosh Jezusin

“Sepse kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të mbajmë urdhërimet e tij; dhe urdhërimet e tij nuk janë të rënda. Sepse gjithçka që ka lindur prej Perëndisë e mund botën; dhe kjo është fitorja, që e mundi botën: besimi ynë.” (1 e Gjonit 5:3-4)

Vër re: Ta duash Perëndinë nuk do të thotë të zbatosh vetëm urdhërimet e Tij. Do të thotë të kesh për Të atë lloj zemre që thotë se zbatimi i urdhërimeve nuk është një barrë. Këtë thotë Gjoni, por pastaj ai e paraqet atë të vërtetë në lidhje me lindjen e re dhe me besimin, në vend të dashurisë. Ai thotë pa ndaluar fare: “Sepse”—domethënë, ja pse urdhërimet e Perëndisë nuk janë të rënda: “Kushdo që ka lindur nga Perëndia e mund botën.” Prandaj, lindja e re është ajo që i mposht pengesat e botës për t’i mbajtur urdhërimet e Perëndisë, pa i parë ato si një barrë.

Dhe në fund, ai shton: “Dhe kjo është fitorja, që e mundi botën: besimi ynë.” Prandaj, lindja e re i mposht pengesat e botës për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë jo si barrë, sepse lindja e re prodhon besim. Pra, mrekullia e lindjes së re krijon besim, i cili përqafon gjithçka që Perëndia është për ne në Jezusin, si Ai që na kënaq më tepër se të gjithë, dhe kjo e bën bindjen ndaj Perëndisë më të dëshirueshme se tundimet e botës. Ky është kuptimi i të dashurit të Perëndisë.

Pastori dhe teologu i shekullit të tetëmbëdhjetë, Jonathan Edwards, u përlesh me këtë tekst dhe doli në përfundimin se: “Besimi shpëtues nënkupton... dashuri... Dashuria jonë për Perëndinë na aftëson t’i mposhtim vështirësitë, që shoqërojnë mbajtjen e urdhërimeve të Perëndisë—gjë që tregon se dashuria është gjëja kryesore në besimin shpëtues, është jeta dhe fuqia e tij, përmes së cilës besimi prodhon efekte të mëdha.”

Mendoj se Edwards-i ka të drejtë dhe ka tekste të panumërta në Bibël, të cilat e mbështesin atë që ai thotë.

Një mënyrë tjetër për ta thënë është se besimi në Krishtin nuk është thjesht rënia dakord me atë që Perëndia është për ne, por gjithashtu përqafimi i gjithë asaj që Ai është për ne në Krishtin. “Besimi e përqafon Krishtin në çfarëdo mënyre që Shkrimi ua paraqet atë mëkatarëve të mjerë”—ky është një citat tjetër nga Edwards. Ky “përqafim” është një lloj dashurie për Krishtin—ajo lloj dashurie që e çmon Atë mbi gjithçka.

Prandaj, nuk ka kontradiktë mes 1 e Gjonit 5:3 nga njëra anë, që thotë se dashuria jonë për Perëndinë na aftëson t’i mbajmë urdhërimet e Tij, dhe vargut 4 nga ana tjetër, që thotë se besimi ynë i mposht pengesat e botës, të cilat na kundërshtojnë në mbajtjen e urdhërimeve të Perëndisë. Dashuria për Perëndinë dhe për Krishtin është e nënkuptuar në besim.

Pastaj Gjoni e përkufizon besimin që bindet si “ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndisë” (1 e Gjonit 5:5). Ky besim po e “përqafon” Jezusin e vërtetë si personi i lavdishëm hyjnor që Ai është: si Birin e Perëndisë. Nuk është thjesht miratimi i së vërtetës se Jezusi është Biri i Perëndisë, sepse edhe demonët e miratojnë këtë. “Ç’ka midis nesh dhe teje, Jezus, Bir i Perëndisë? A ke ardhur këtu të na mundosh para kohe?” (Mateu 8:29). Të besosh se Jezusi është Biri i Perëndisë do të thotë “të përqafosh” domethënien e asaj të vërtete—domethënë vlerën e realitetit. Do të thotë të kënaqesh me Krishtin si Biri i Perëndisë dhe me gjithë sa Perëndia është për ne në Të.

“Biri i Perëndisë” do të thotë se Jezusi është personi më i lartë në gjithësi përkrah Atit të Tij. Prandaj, gjithçka që Ai na mësoi është e vërtetë, gjithçka që Ai na premtoi është e palëkundshme, dhe gjithë madhështia e Tij që na kënaq shpirtin, nuk do të ndryshojë kurrë.

Pra, të besosh se Ai është Biri i Perëndisë, përfshin mbështetjen e plotë në gjithë këtë të vërtetë dhe të qenët i kënaqur me Të.

Shkrimet e Shenjta

Dita 107Dita 109

Rreth këtij plani

Solid Joys Shqip

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.

More

Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione​​​​​​​