Solid Joys ShqipShembull

Çelësi për dashurinë e skajshme
“Lum ju kur do t’ju fyejnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë çdo lloj fjale të keqe kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.” (Mateu 5:11-12)
Një nga pyetjet që ngrita kur po predikoja për t’i dashur armiqtë tanë, nga Mateu 5:44 ishte:Si mund t’i duash njerëzit që të rrëmbejnë dhe pastaj të vrasin?
Si mund ta bësh këtë? Prej nga vjen fuqia për të dashur kështu? Mendoni sa e mahnitshme është kjo kur shfaqet në botën reale! A mund ta shfaqë dikush më tepër se kaq të vërtetën dhe fuqinë e realitetit të Krishtit?
Unë besoj se Jezusi na e jep çelësin për këtë dashuri të skajshmedhe vetëflijuese të përshkruar te Mateu 5:44, në vargjet paraardhëse të të njëjtit kapitull.
Te Mateu 5:11-12, Ai flet sërish për të qenët i përndjekur, ashtu sikurse tha edhe te Mateu 5:44: “Duajini armiqtë tuaj... dhe lutuni... për ata që ju përndjekin.” E jashtëzakonshmja në këto vargje është që Jezusi thotë se jo vetëm që ju jeni në gjendje të duroni keqtrajtimin e armiqve tuaj, por edhe të gëzoheni në to. “Lum ju kur do t’ju fyejnë dhe do t’ju përndjekin... Gëzohuni dhe ngazëllohuni.”
Kjo duket edhe më e paarritshme për ne sesa lutja për armiqtë tanë apo rasti kur u bëjmë të mira. Nëse mund ta bëj këtë që është e pamundur nga ana njerëzore—domethënë, të ngazëllohem në të qenët i përndjekur—atëherë do të jetë e mundur që t’i dua përndjekësit e mi. Nëse mrekullia e gëzimit mund të ndodhë në mes të tmerrit të padrejtësisë, dhimbjes dhe humbjes, atëherë mund të ndodhë edhe mrekullia e dashurisë për shkelësit.
Në këto vargje, Jezusi na jep çelësin e gëzimit. Ai thotë: “Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej.” Çelësi i gëzimit është besimi në hirin e ardhshëm të Perëndisë—domethënë, të jesh i kënaqur në gjithçka që Perëndia premton të jetë për ty. Ai thotë: “Gëzohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh.” Gëzimi ynë në përndjekje është gëzimi i qiellit që derdhet në këtë çast tmerri dhe na çliron për të dashur. Pra, ky gëzim është fuqia çliruese për t’i dashur armiqtë, kur ata na përndjekin.
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë urdhërimi për të dashur është në mënyrë të nënkuptuar edhe një urdhërim për të pasur në mendje gjërat që janë lart—gjithçka që Perëndia premton të jetë për ne—dhe jo gjërat që janë mbi tokë (Kolosianëve 3:2).
Urdhërimi për t’i dashur armiqtë tanë, është një urdhërim për ta gjetur shpresën dhe kënaqësinë më të thellë të shpirtit tonë në Perëndinë dhe në shpërblimin e Tij të madh—në hirin e Tij të ardhshëm. Çelësi për dashurinë e skajshme është besimi në hirin e ardhshëm. Në mes të agonisë sonë ne duhet të jemi të bindur se dashuria e Perëndisë është “më e mirë se jeta” (Psalmi 63:3). T’i duash armiqtë e tu nuk është mënyra për të fituar shpërblimin e qiellit. Duke e çmuar shpërblimin e qiellit, fuqizohesh për t’i dashur armiqtë e tu.
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione