Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për AdventinShembull

Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për Adventin

DITA 22 NGA 25

Që ju të besoni

E ndiej shumë të nevojshme të them se mes nesh që jemi rritur në kishë, që mund t’i recitojmë doktrinat e mëdha të besimit tonë në gjumë e përsëri na hapet goja kur themi Kredon e Apostujve–duhet bërë diçka që të na ndihmojë të ndiejmë edhe një herë mahnitjen, frikën, habinë dhe mrekullinë e Birit të Perëndisë, të lindurit prej Atit që nga përjetësia, atij që reflekton gjithë lavdinë e Perëndisë, që është vetë imazhi i personit të Tij, përmes të të cilit u krijuan të gjitha gjërat dhe që vazhdon ta mbajë gjithësinë përmes fjalës së fuqisë së Tij.

Mund të lexosh çdo përrallë të shkruar ndonjëherë, çdo roman fantastiko-shkencor, çdo histori me fantazma dhe nuk ke për të gjetur ndonjë gjë aq tronditëse, aq të çuditshme dhe aq magjepsëse sa historia e mishërimit të Birit të Perëndisë.

Sa të vdekur që jemi! O Perëndi, sa të mpirë dhe të pandjeshëm jemi ndaj lavdisë së kësaj historie! Sa shpesh më është dashur të pendohem dhe të them: “Perëndi, më vjen keq që historitë e krijuara nga njeriu më prekin emocionet, habinë dhe mahnitjen time, admirimin dhe gëzimin, më tepër se historia jote.”

Ndoshta filmat triller të galaktikës mund të na bëjnë të paktën këtë të mirë: ato mund të na përulin dhe të na sjellin në pendim. Gjithashtu na tregojnë se në fakt jemi të aftë të përjetojmë një pjesë të mahnitjes, habisë dhe mrekullisë, që rrallë i ndiejmë kur meditojmë për Perëndinë e përjetshëm, për lavdinë kozmike të Krishtit dhe për një kontakt të vërtetë e të gjallë mes nesh dhe Perëndisë, të cilën e gjejmë në Jezusin e Nazaretit.

Kur Jezusi tha: “për këtë kam ardhur në botë” (Gjoni 18:37), Ai tha diçka të çmendur, të çuditshme dhe të frikshme, si deklaratat që mund të kesh lexuar në letërsinë fantastiko-shkencore.

Oh, sa po lutem për një derdhje të Frymës së Perëndisë mbi ty dhe mua, që Fryma e Shenjtë të zbresë frikshëm në përjetimin tim, që të më zgjojë përballë realitetit të papërfytyrueshëm të Perëndisë!

Një ditë, vetëtima do ta çajë qiellin nga lindja e diellit deri në perëndim, dhe mbi retë do të shfaqet Biri i Njeriut bashkë me engjëjt e Tij të pushtetshëm me një zjarr flakërues. Ne do ta shohim qartë Atë. Qoftë nga terrori apo thjesht nga ngazëllimi, ne do të dridhemi dhe do të vrasim mendjen se si kemi jetuar aq gjatë me një Krisht të zbutur dhe të parrezikshëm.

Këto gjëra janë shkruar–e gjithë Bibla është shkruar–që ne të besojmë, që të shtangemi, të zgjohemi dhe të mahnitemi, që Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, i cili erdhi në botë.

Shkrimet e Shenjta

Dita 21Dita 23

Rreth këtij plani

Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për Adventin

Adventi ka të bëjë me adhurimin e Jezusit. Zhytuni për disa çaste çdo ditë dhe largohuni me diçka që do ta ushqejë gëzimin tuaj në Perëndinë gjatë kësaj stine Krishtlindjeje.

More

Ne dëshirojmë të falënderojmë Qendrën "IGNIS" në Shqipëri për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni https://dritez.al/lajm-i-mire-gezim-i-madh/