Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Informacion rreth planit

Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për AdventinShembull

Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për Adventin

DITA 20 NGA 25

Solidariteti i Krishtlindjes

Punishtja e satanit nxjerr miliona mëkate çdo ditë. Ai i ngarkon ato në avionë të mëdhenj mallrash, i çon në qiell, i hap para Perëndisë dhe shkrihet së qeshuri.

Disa njerëz punojnë me kohë të plotë në punishten e satanit, të tjerë e kanë lënë punën atje dhe kthehen rrallë.

Çdo minutë që punohet në punishten e mëkatit, e bën Perëndinë arsyen e të qeshurave të satanit. Mëkati është puna e satanit, për shkak se ai e urren dritën, bukurinë, pastërtinë dhe lavdinë e Perëndisë. Asgjë nuk i pëlqen më tepër se çasti kur krijesat nuk i besojnë dhe nuk i binden Krijuesit të tyre.

Prandaj, Krishtlindja është lajm i mirë për njeriun dhe për Perëndinë.

“Kjo fjalë është e besueshme dhe e denjë për t’u pranuar plotësisht, që Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët, ndër të cilët unë jam i pari” (1 e Timoteut 1:15). Ky është lajm i mirë për ne.

“Për këtë është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit” (1 e Gjonit 3:8). Ky është gjithashtu lajm i mirë për Perëndinë.

Krishtlindja është lajm i mirë për Perëndinë, për shkak se Jezusi erdhi të niste një grevë kundër punishtes së satanit. Ai shkoi në mes të fabrikës, i bëri thirrje solidaritetit të besnikëve dhe filloi një braktisje masive nga punishtja.

Krishtlindja është një thirrje për grevë në punishten e mëkatit. Nuk ka negociata me administratën, nuk ka pazarllëqe, thjesht kundërshtim të pathyeshëm ndaj produktit. Nuk do të jemi më pjesë e prodhimit të mëkatit.

Solidariteti i Krishtlindjes ka për qëllim t’i ulë avionët e mallrave. Nuk do të përdorë dhunë apo forcë, por me një përkushtim të paepur ndaj së vërtetës, do të demaskojë kushtet jetëshkatërruese të industrisë së djallit.

Solidariteti i Krishtlindjes nuk do të dorëzohet, derisa të arrihet një mbyllje përfundimtare e punishtes.

Kur mëkati të jetë shkatërruar, emri i Perëndisë do të shfajësohet plotësisht. Askush nuk do të qeshë më me Të.

Nëse dëshiron që këtë Krishtlindje t’i japësh një dhuratë Perëndisë, dil nga punishtja e mëkatit dhe mos u kthe më kurrë. Zër vendin tënd në vijën e dashurisë. Bashkoju solidaritetit të Krishtlindjes, derisa emri i madhërishëm i Perëndisë të lartësohet dhe Ai të qëndrojë i lavdishëm mes lavdërimeve të të drejtëve.

Shkrimet e Shenjta

Dita 19Dita 21

Rreth këtij plani

Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për Adventin

Adventi ka të bëjë me adhurimin e Jezusit. Zhytuni për disa çaste çdo ditë dhe largohuni me diçka që do ta ushqejë gëzimin tuaj në Perëndinë gjatë kësaj stine Krishtlindjeje.

Ne dëshirojmë të falënderojmë Qendrën "IGNIS" në Shqipëri për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni https://dritez.al/lajm-i-mire-gezim-i-madh/

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë