Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për AdventinShembull

Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për Adventin

DITA 18 NGA 25

Modeli i Krishtlindjes për misionin

Krishtlindja është një model për misionin. Misioni është një pasqyrë e Krishtlindjes: “Si unë, ashtu edhe ju.”

Për shembull, rreziku. Krishti erdhi te të vetët dhe ata nuk e pranuan, kështu do të ndodhë edhe me ju. Ata komplotuan kundër Tij. Kështu edhe me ju. Ai nuk kishte një shtëpi. Kështu edhe me ju. Ata ngritën akuza të rreme kundër Tij. Kështu do të ndodhë edhe me ju. Ata e fshikulluan dhe e tallën. Kështu edhe me ju. Ai vdiq pas tre viteve shërbesë. Kështu edhe me ju.

Por ka një rrezik më të keq se këto, të cilit Jezusi i shpëtoi. Kështu duhet të ndodhë edhe me ju!

Në mes të shekullit të gjashtëmbëdhjetë, Francis Havier (1506-1552), një misionar katolik i shkroi Atë Perezit të Malakës (sot është pjesë e Malajzisë) për rreziqet e misionit të tij në Kinë. Ai i tha: “Rreziku më i madh nga të gjithë do të ishte të humbja besimin dhe sigurinë në mëshirën e Perëndisë... 

Të mos i besojmë Atij, do të ishte shumë herë më e tmerrshme se çdo ligësi fizike, që mund të na bëjnë gjithë armiqtë e Perëndisë të marrë së bashku, sepse pa lejen e Perëndisë as djajtë dhe as pushtetet njerëzore s’mund të na pengojnë qoftë dhe një thërrime.”

Rreziku më i madh me të cilin përballet një misionar nuk është vdekja, por është të mos i besojë mëshirës së Perëndisë. Nëse ky rrezik mënjanohet, atëherë të gjitha rreziqet e tjera e humbasin forcën e tyre.

Në fund, Perëndia e kthen çdo shpatë në një skeptër në duart tona. Ashtu si thotë dhe J. W. Alexander (Xhejms Aleksander): “Çdo çast i mundimeve të tanishme do të shpaguhet hirshëm me një milionë epoka lavdie.”

Krishti i shpëtoi këtij rreziku–rrezikut të mosbesimit të Perëndisë. Prandaj Perëndia e lartësoi jashtëzakonisht. Si me Atë, ashtu do të ndodhë edhe me ju.

Në këtë stinë Adventi, mbani mend që Krishtlindja është një model për misionin. Si unë, ashtu edhe ju. Mision do të thotë rrezik dhe rreziku më i madh është të mos i besoni mëshirës së Perëndisë. Nëse dorëzoheni para kësaj, humbisni gjithçka. Ngadhënjeni mbi të dhe asgjë s’mund t’ju lëndojë për një milion epoka.

Shkrimet e Shenjta

Dita 17Dita 19

Rreth këtij plani

Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për Adventin

Adventi ka të bëjë me adhurimin e Jezusit. Zhytuni për disa çaste çdo ditë dhe largohuni me diçka që do ta ushqejë gëzimin tuaj në Perëndinë gjatë kësaj stine Krishtlindjeje.

More

Ne dëshirojmë të falënderojmë Qendrën "IGNIS" në Shqipëri për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni https://dritez.al/lajm-i-mire-gezim-i-madh/