Luka 3
3
Predikimi i Gjon Pagëzuesit
1Në vitin e pesëmbëdhjetë të sundimit të perandorit Tiber, kur Ponc Pilati ishte sundimtar i Judesë, Herodi tetrark i Galilesë, Filipi, vëllai i tij, tetrark i Ituresë dhe i krahinës së Trakonitidës, Lisania sundimtar i Abilenës, 2kur kryepriftën ishin Ana e Kajfa, fjala e Hyut erdhi mbi Gjonin, birin e Zakarisë, në shkretinë. 3Ai shkoi në të gjitha rrethinat e Jordanit, tue predikue një pagëzim pendimi, për faljen e mëkateve. 4Siç asht e shkrueme në librin e Isaisë profet:
Zani i vikatësit në shkretinë:
përgatitni udhën e Zotit,
drejtoni shtigjet e tij.
5 Çdo hulli të mbushet,
çdo mal e kodër të ulet,
udhët e shtrembëta do të jenë të drejta
e të vrazhdat të lëmueta.
6 E do ta shohë çdo mish shpëtimin e Hyut.
7Ai u thonte turmave që rranin me u pagëzue prej tij: «Pjellë neperkash, kushg ju njoftoi me i ikë idhnimit të ardhshëm? 8Jepni, pra, fryte të denja të pendimit e mos filloni me thanë me vete: "Kemi atë Abrahamin". Prandaj unë po ju them: Hyu prek këtyne gurëve mundet me i qitë fëmijë Abrahamit. 9Porse tashma u asht vue edhe sëpata rranjëve të pemëve. Çdo pemë që nuk jep fryt të kandshëm këputet e hidhet në zjarr». 10Atëherë turmat e pyetnin: «Çka duhet të bajmë, pra?» 11Ai u përgjigj e u tha: «Kush ka dy këmisha, t'i ndajë me atë që nuk ka. Edhe ai që ka ushqime të veprojë njësoj». 12Erdhën edhe tagrambledhësit me u pagëzue e i thanë: «Mësues, çka të bajmë?». 13Ai u tha: «Mos mblidhni ma shumë se ç'ju asht caktue». 14Edhe disa ushtarë e pyetnin: «Çka të bajmë edhe ne?». Ai u tha: «Mos ngucni askand e as mos plaçkitni, por kënaquni me rrogat tueja». 15Tue qenë se populli ishte në pritje, të gjithë mendonin në zemrat e veta për Gjonin, mos ishte ai Krishti. 16Gjoni u përgjigj, tue u thanë të gjithëve: «Unë vërtet po ju pagëzoj me ujë, por po vjen ma i forti se unë, të cilit nuk jam i denjë me ia zgjidhë lidhëset e sandaleve. Ai ka me ju pagëzue me Shpirtin e Shenjtë e me zjarr. 17Ai e ka në dorë terëploten, me e pastrue lamën e vet dhe me e mbledhë grunin në drithnikun e vet, porse bykun do ta djegë në zjarrin e pashuem».
18Kështu, por edhe me shumë porosi të tjera ia kumtonte popullit lajmin e mirë.
19Mirëpo Herodi tetrark, që kishte qenë qortue prej tij në lidhje me Herodiadën, gruen e të vëllait, si edhe për të gjitha ligësitë që kishte krye Herodi, 20mbi të gjitha shtoi edhe këtë: e mbylli Gjonin në burg.
Pagëzimi i Jezusit
21Ndodhi që, kur ishte tue u pagëzue gjithë populli dhe Jezusi kishte qenë pagëzue e ishte tue u lutë, u hap qielli 22dhe zbriti mbi të Shpirti i Shenjtë me pamje trupore si pëllumb e doli një za prej qielli: «Ti je biri im. I dashtuni. Ti më kënaqe».
Breznitë e Jezusit
23Ky Jezus, kur filloi, ishte rreth tridhjetë vjeç. Ai ishte, siç pandehej, biri i Jozefit të Eliut, 24të Matatiut, të Levit, të Melkiut, të Janait, të Jozefit, 25të Matatiut, të Amosit, të Naumit, të Esliut, të Nagait, 26të Mahatit, të Matatiut, të Semeinit, të Josehit, të Jodait, 27të Joananit, të Resait, të Zorobabelit, të Salatielit, të Neriut, 28të Melkiut, të Abdiut, të Kosamit, të Elmadadit, të Erit, 29të Jezusit, të Eliezerit, të Iorimit, të Matatit, të Levit, 30të Simeonit, të Judës, të Jozefit, të Jonamit, të eliakimit, 31të Meleaut, të Menait, të Matatait, të Natamit, të Davidit, 32të Jeseut, të Jobedit, të Boozit, të Salait, të Naasonit, 33të Aminadabit, të Adminit, të Arniut, të Esromit, të Faresit, të Judës, 34të Jakobit, të Isakut, të Abrahamit, të Taraut, të Nahorit, 35të Serukut, të Ragaut, të Falekut, të Eberit, të Salait, 36të Kainamit, të Arfaksadit, të Semit, të Noehjut, të Lamekut, 37të Matusalait, të Enokut, të Jaretit, të Malelelit, të Kainamit, 38të Enosit, të Setit, të Adamit, të Hyut.
Currently Selected:
Luka 3: DHRG
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania