Luka 2
2
Lindja e Jezusit
1Në ato ditë doli një urdhnesë nga Cezar Augusti, që të regjistrohej tanë bota. 2Ky ishte regjistrimi i parë dhe u ba kur Kuirini ishte qeveritar i Sirisë. 3Të gjithë shkonin me u regjistrue, secili në qytetin e vet. 4Edhe Jozefi nga Galilea, nga qyteti i Nazaretit, shkoi në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem, meqë ishte nga shtëpia e nga fisi i Davidit, 5me u regjistrue me Marinë, të fejuemen e vet, që ishte shtatzanë. 6Kur gjendeshin aty, asaj iu plotësuen ditët e lindjes 7dhe lindi birin e saj, të parëlindunin. E mbështolli në shpërgaj dhe e shtroi në grazhd, se nuk kishte vend për ta në bujtinë.
Barinjtë dhe engjëjt
8Në atë vend ishin disa barij, që rrinin arave, tue kullotë tufat e veta gjatë natës. 9Atyne iu afrue një engjëll i Zotit dhe lavdia e Zotit shndriti rreth tyne. Atëherë i zuni një frikë e madhe, 10por engjëlli u tha: «Mos kini frikë! Ja, po ju jap një lajm të mirë, një gëzim të madh, që do të jetë për të gjithë popullin: 11sot ju lindi një shpëtimtar, që asht Krishti Zot, në qytetin e Davidit. 12Kjo asht shenja për ju: do të gjeni një foshnje, të mbëshjellë në shpargaj e të shtruem në grazhd». 13Befas, bashkë me engjëllin u duk një mori e një çete qiellore, tue lëvdue Hyun e tue thanë:
14«Lavdi Hyut në naltësi
e në tokë paqe
njerëzve, që ai i don».
15Kur engjëjt u larguen prej tyne në drejtim të qiellit, barijtë i thanë njeni-tjetrit: «Të shkojmë në Betlehem e ta shohim këtë ndodhi, që na e njoftoi Zoti». 16Ata shkuen me ngut dhe gjetën Marinë me Jozefin e foshnjen të venduem në grazhd. 17Kur e panë, treguen çka u qe thanë për këtë fëmijë. 18Të gjithë ata që dëgjuen mbetën të mahnitun me çka u qe thanë prej barijve.
19Maria i mblidhte të gjitha këto ndodhi dhe i bashkonte në zemrën e vet.
20Atëherë barijtë u kthyen, tue lëvdue Hyun e tue i këndue himne për gjithçka kishihn pa e ndigjue, sikurse u ishte thanë.
21Kur u plotësue tetëditëshi për me e rrethpre, u quejt Jezus, siç ishte quejt prej engjëllit para se të zihej në bark.
Jezui foshnjë në tempull
22Kur u plotësuen ditët për pastrimin e tyne, simbas ligjit të Moisiut, e çuen në Jerusalem, me ia paraqitë Zotit, 23siç asht e shkrueme në ligjin e Zotit: çdo mashkull i parë t'i kushtohet Zotit 24dhe për të dhurue flinë, siç thuhet në ligjin e Zotit: një çift turtujsh ose dy pëllumba të vegjël.
25Në atë kohë në Jerusalem ishte një njeri me emrin Simeon. Ky njeri i drejtë e i devotshëm priste ngushëllimin e Izraelit dhe Shpirti i shenjtë ishte në të. 26Shpirti i shenjtë e kishte njoftue se nuk do ta kishte pa vdekjen pa pasë pa Krishtin e Zotit. 27I drejtuem prej Shpirtit, hyni në tempull dhe, kur prindët sollën Jezuin foshnjë, për të zbatue kundrejt tij doket e ligjit, 28e mori në krahë, bekoi Hyun e tha:
29«Tani, o Zot,
lëre shërbëtorin tënd
të shkojë në paqe,
sipas fjalës sate,
30se me sytë e mi
e pashë shpëtimin tënd
31që ti e përgatite
në sytë e të gjithë popujve,
32dritë për të ndriçuar kombet
e lavdi për popullin tënd, Izraelin».
33I ati dhe e ëma e Jezuit mrekulloheshin nga gjërat që thuheshin për të. 34Atëherë Simeoni i bekoi e i tha Marisë, nënës së Jezuit: «Ja, ky fëmijë do të jetë shkak për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe shenjë kundërshtimi, 35që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Ndërsa ty një shpatë do të ta përshkojë shpirtin».
36Aty gjendej edhe një profeteshë, Ana, e bija e Fanuelit, nga fisi i Asherit. Ajo ishte e shkuar në moshë, kishte jetuar shtatë vjet me burrin e saj 37e pastaj jetoi si vejushë derisa u bë tetëdhjetë e katër vjeç. Ajo nuk largohej nga tempulli, por adhuronte Zotin ditë e natë, duke agjëruar e duke u lutur. 38Meqenëse ndodhej aty në atë çast, filloi edhe ajo të lavdëronte Zotin dhe u fliste për fëmijën atyre që prisnin shpengimin e Jerusalemit.
Kthimi në Nazaret
39Si kryen gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret. 40Fëmija rritej e forcohej plot urti dhe hiri i Zotit ishte me të.
Jezui fëmijë në tempull
41Prindërit e Jezuit shkonin çdo vit në Jerusalem për festën e Pashkës. 42Kur ai mbushi dymbëdhjetë vjeç, shkuan përsëri atje, sipas zakonit. 43Si kaluan ditët e festës, ata u nisën për t'u kthyer. Fëmija Jezu mbeti në Jerusalem, por prindërit nuk e morën vesh këtë gjë. 44Meqë mendonin se ai ishte bashkë me udhëtarët e tjerë, ata udhëtuan gjithë ditën e pastaj filluan ta kërkonin te të afërmit e të njohurit, 45por nuk e gjetën dhe u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar. 46Pas tri ditësh e gjetën në tempull. Ishte ulur në mes të mësuesve që i dëgjonte e i pyeste. 47Të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin nga zgjuarsia e përgjigjet e tij. 48Kur e panë, u habitën dhe e ëma i tha: «Bir, pse na e bëre këtë? Unë e yt atë po të kërkonim gjithë ankth». 49Jezui u përgjigj: «Pse po më kërkonit? A nuk e dinit se duhet të merrem me punët e Atit tim?». 50Por ata nuk i kuptuan fjalët e tij.
51Pastaj u nis bashkë me ta, u kthye në Nazaret e u bindej. Nëna e tij i ruante të gjitha këto gjëra në zemër. 52Jezui rritej në urti, në moshë e në hir para Perëndisë e njerëzve.
Currently Selected:
Luka 2: DHRG
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania