Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Çdo ditë me radhëShembull

Çdo ditë me radhë

DITA 6 NGA 366

«Në fakt unë e di se në mua (domethënë në mishin tim) nuk banon asgjë e mirë» (Rom. 7:18).

Nëse një besimtar i ri e mëson herët këtë mësim në jetën e tij të krishterë, ai do ta ruajë veten nga një botë problemesh më vonë. Bibla mëson se nuk ka ASGJË TË MIRË në natyrën tonë të vjetër, të keqe dhe jo të rilindur. Mishi është absolutisht jo i mirë. Ai nuk përmirësohet as edhe një jotë në kohën e kthimit në besim. Ai nuk përmirësohet as nga një jetë e tërë e krishterë. Në fakt, Perëndia nuk po përpiqet që ta përmirësojë atë. Ai e ka dënuar atë me vdekje në kryq dhe dëshiron që ne ta mbajmë atë në vendin e vdekjes.

Nëse e besoj vërtet këtë, kjo do të më çlirojë nga ndonjë kërkim i kotë. Unë nuk do të jem duke kërkuar për ndonjë gjë të mirë atje ku Perëndia tashmë e ka thënë se nuk mund të gjendet.

Kjo do të më çlirojë nga zhgënjimi. Unë nuk zhgënjehem kurrë kur nuk gjej asnjë të mirë në veten time. Unë e di se nuk ka patur diçka të tillë që në fillim.

Kjo do të më çlirojë nga analiza e vetvetes. Unë filloj me premisën se nuk ka aspak fitore nga vetvetja. Në fakt, marrja me veten sjell disfatë.

Kjo do të më ruajë nga këshillimi psikologjik dhe psikiatrik që e drejton projektorin te vetja. Terapi të tilla vetëm sa e shtojnë problemin, në vend që ta zgjidhin atë.

Kjo më mëson që të angazhohem me Zotin Jezus. Robert Muri MekÇejni (Robert Murray McCheyne) tha: «Për çdo shikim që i bën vetes, ki dhjetë shikime drejt Krishtit». Kjo është një balancë e mirë! Dikush tjetër ka thënë se madje edhe një vetvete e shenjtëruar është një zëvendësim i dobët për një Krisht të përlëvduar. Dhe autori i himnit shkroi: «Sa ëmbël të largohem nga vetja dhe të strehohem në Shpëtimtarin tonë».

Një pjesë e madhe e predikimit modern dhe shumë libra të rinj të krishterë i çojnë njerëzit drejt një qejfi të tepruar të analizës së vetvetes, duke i bërë të merren me temperamentin e tyre, me imazhin për vetveten, me fiksime emocionale dhe frenime [ndrydhje] psikologjike. E tërë lëvizja është një tragjedi e tepricës dhe ajo lë një tragë mbeturinash njerëzore.

«Unë jam tepër i keq dhe nuk ka asgjë të vlefshme për të cilën të mendoj; ajo që dëshiroj është ta harroj veten dhe ta hedh vështrimin te Perëndia, i cili është vërtet i denjë për të gjitha mendimet e mia».

Shkrimet e Shenjta

Dita 5Dita 7

Rreth këtij plani

Çdo ditë me radhë

Kjo është mënyra si duhet ta jetoni jetën: Çdo ditë me radhë. Por ajo që e bën tërë ndryshimin është se si e jetoni çdo ditë. Një mënyrë për t’u siguruar që ditët tona mbi tokë kanë vlerë për Perëndinë është ta mbushim mendjen dhe zemrën tonë me “Fjalën e rrënjosur” që të mund të rritemi me anë të saj. Ky është një libër me përsiatje gjallëruese mbi vargjet e Biblës nga shkrimet e freskëta dhe që e lartësojnë Krishtin nga autori William MacDonald.

More

Ky plan leximi u krijua nga Willian MacDonald. http://asamblejabiblike.al