Solid Joys ShqipShembull

Dy nga nevojat tona më të mëdha
“Kishës së thesalonikasve, në Perëndinë, Atin tonë, dhe në Zotin Jezu Krisht.” (2 e Thesalonikasve 1:1)
Ne, si kishë, jemi “në” një Atë dhe “në” një Zot. Çfarë do të thotë kjo?
Në radhë të parë, fjala “Atë” nënkupton kujdes, mbështetje, mbrojtje, siguri dhe disiplinë. Prandaj, të jesh “në” Atin, do të thotë kryesisht të jesh nën kujdesin dhe nën mbrojtjen e Perëndisë si Ati ynë qiellor.
Cilësimi tjetër është Zot: Ne jemi në Zotin Jezu Krisht. Në radhë të parë, fjala “Zot” nënkupton autoritet, udhëheqje dhe zotërim. Prandaj, të jesh “në” Zotin do të thotë kryesisht të jesh nën kontrollin, nën autoritetin dhe nën zotërimin e Jezusit si Zoti ynë suprem.
Prandaj, Pali e përshëndet kishën e thesalonikase në mënyrë të tillë që t’u kujtojë atyre se janë një familje (nën kujdesin e një Ati) dhe se janë shërbëtorë (nën përgjegjësinë e Zotit). Këto dy përshkrime të Perëndisë si Atë dhe Zot dhe si rrjedhim, të kishës si familje dhe shërbëtorë, lidhen me dy prej nevojave tona më të thella.
Secili prej nesh ka një nevojë për shpëtim dhe ndihmë, nga njëra anë dhe një nevojë për qëllim dhe kuptim, nga ana tjetër.
- Ne kemi nevojë për një Atë që të na mëshirojë dhe të na shpëtojë nga mëkati e mjerimi. Ne kemi nevojë për ndihmën e Tij në çdo hap, sepse jemi shumë të dobët dhe të cenueshëm.
- Ne kemi nevojë gjithashtu për një Zot qiellor, që të na drejtojë në jetë dhe të na thotë se çfarë është e urtë. Kemi nevojë për një Zot, i cili të na japë një përgjegjësi të madhe e domethënëse për ta përmbushur, si dhe një arsye për ekzistencë, një lloj dobie për mënyrën se si Perëndia na krijoi. Ne nuk duam të jemi thjesht të sigurt nën kujdesin e një Ati, sado e çmuar dhe e nevojshme është kjo për ne. Ne duam një arsye të lavdishme për të jetuar.
Ne duam që një Atë i mëshirshëm të jetë Mbrojtësi ynë dhe duam që një Zot i gjithëfuqishëm të jetë Kampioni, Komandanti dhe Udhëheqësi ynë në një kauzë të madhe. Prandaj, kur Pali thotë në vargun 1: ju jeni kisha “në Perëndinë, Atin tonë, dhe në Zotin Jezu Krisht”, mund të marrim prehje dhe ndihmë nga Perëndia—Ai është Ati ynë! Dhe mund të marrim guxim dhe kuptim nga Jezusi—Ai është Zoti ynë!
Shkrimet e Shenjta
Rreth këtij plani

"Solid Joys" janë lexime devocionale të shkruara nga autori John Piper. Këto lexime të shkurtra dhe domethënëse do të ta shtojnë gëzimin në Jezusin çdo ditë të vitit.
More
Dëshirojmë të falënderojmë organizatën "Qendra IGNIS" për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni: https://dritez.al/devocione