Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Informacion rreth planit

Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për AdventinShembull

Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për Adventin

DITA 8 NGA 25

Ylli i mbinatyrshëm i Betlehemit

Herë pas here, Bibla na ngjall kuriozitetin për mënyrën si ndodhën gjëra të caktuara. Si i solli ky "yll" dijetarët nga lindja në Jerusalem?

Nuk thuhet se ylli i udhëhoqi apo shkoi para tyre rrugës për në Jerusalem. Thuhet vetëm se ata panë një yll në lindje (vargu 2) dhe erdhën në Jerusalem. Si shkoi ylli para tyre ato nëntë kilometra nga Jerusalemi në Betlehem siç thotë Mateu 2:9? Si “qëndroi përmbi vendin ku ndodhej fëmija"?

Përgjigjja është: Nuk e dimë! Ka pasur shumë përpjekje për ta shpjeguar përmes mbivendosjes së planetëve, kometave, shpërthimeve yjore apo dritave të mrekullueshme. Ne thjesht nuk e dimë. Dua të të këshilloj të mos preokupohesh së tepërmi, të mos fiksohesh, me teoritë që janë thjesht tentativa në fund të fundit, dhe kanë fare pak domethënie frymërore.

Ka rrezik që po bëj një përgjithësim me këtë paralajmërim: njerëzit që merren dhe preokupohen se si funksionoi puna e yllit, si u nda Deti i Kuq, si ra mana nga qielli, si mbijetoi Jona në barkun e peshkut dhe si hëna kthehet në gjak–në përgjithësi janë njerëz që kanë një mentalitet për vogëlsirat e parëndësishme, siç i quaj unë.

Te njerëz të tillë nuk dallon një vlerësim të thellë për të vërtetat qendrore të ungjillit–për shenjtërinë e Perëndisë, për shëmtinë e mëkatit, për pafuqinë e njeriut, për vdekjen e Krishtit, për drejtësimin vetëm me anë të besimit, për punën shenjtëruese të Frymës, për lavdinë e kthimit të Krishtit ose për gjykimin përfundimtar. 

Gjithashtu duket se ata të udhëheqin nëpër një shteg tjetër anësor me një artikull apo libër të ri me të cilin janë të ngazëlluar, por që trajton diçka të parëndësishme. Te këta njerëz ka pak ngazëllim për gjërat e mëdha dhe qendrore.

Gjithsesi, është e qartë se ylli po bën diçka të cilën nuk mund ta bënte vetë: po i drejtonte dijetarët te Biri i Perëndisë, në mënyrë që ata ta adhuronin.

Në botëkuptimin biblik ka vetëm një person pas qeverisjes së qëllimshme të yjeve: Vetë Perëndia.

Prandaj, mësimi është i qartë: Perëndia po i udhëzon të huajt te Krishti që ata ta adhurojnë Atë. Për këtë, Perëndia ushtron ndikim dhe fuqi globale—ndoshta dhe universale.

Luka tregon se Perëndia ndikoi gjithë Perandorinë Romake që numërimi të ndodhte në kohën e caktuar, për të bërë që një virgjëreshë e thjeshtë nga Betlehemi të plotësojë profecinë me lindjen e fëmijës së saj. Mateu tregon se si Perëndia ndikon te yjet e qiellit për t’i çuar dijetarët e huaj në Betlehem, në mënyrë që të adhurojnë Birin.

Ky është projektimi i Perëndisë. Ai e bëri atëherë dhe po vazhdon ta bëjë edhe tani. Synimi i Tij është që kombet–të gjitha kombet (Mateu 24:14)–ta adhurojnë Birin e Tij.

Ky është vullneti i Perëndisë për këdo në zyrën tënde të punës, në klasën tënde, në lagjen dhe familjen tënde. Ashtu si thotë dhe Gjoni 4:23: “sepse Ati kërkon të tillë si adhurues të tij.”

Në fillim të librit të Mateut kemi ende një model “eja dhe shih”, por në fund modeli është “shko dhe trego”. Dijetarët erdhën dhe panë. Ne duhet të shkojmë dhe të tregojmë.

Gjithsesi, çfarë nuk ndryshon, është qëllimi dhe fuqia e Perëndisë për t’i mbledhur kombet që të adhurojnë Birin e Tij. Madhërimi i Krishtit në adhurimin e flaktë të të gjitha kombeve është arsyeja pse bota ekziston.

Shkrimet e Shenjta

Dita 7Dita 9

Rreth këtij plani

Lajm i mirë, gëzim i madh: 25 lexime devocionale për Adventin

Adventi ka të bëjë me adhurimin e Jezusit. Zhytuni për disa çaste çdo ditë dhe largohuni me diçka që do ta ushqejë gëzimin tuaj në Perëndinë gjatë kësaj stine Krishtlindjeje.

Ne dëshirojmë të falënderojmë Qendrën "IGNIS" në Shqipëri për ofrimin e këtij plani në shqip. Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni https://dritez.al/lajm-i-mire-gezim-i-madh/

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë