Psalmet 27:1-10
Psalmet 27:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
ZOTI është drita dhe shpëtimi im, kë do të kem frikë? ZOTI është streha e jetës sime, nga kush do të trembem? Kur m'u vërsulën keqbërësit për të më ngrënë të gjallë, armiqtë dhe kundërshtarët e mi, ata vetë u penguan e ranë. Edhe një ushtri po të ngrihet kundër meje, nuk trembet zemra ime, edhe lufta po të plasë kundër meje, prapë do të kem shpresë. Veç një gjë i kam kërkuar ZOTIT e për këtë i lutem: të banoj në shtëpinë e ZOTIT gjithë ditët e jetës sime, të sodit bukurinë e ZOTIT e tempullin e tij të kundroj. Në ditë të ligë në strehën e tij më fsheh, në fshehtësinë e tendës së tij më struk. Më ngre lart mbi një shkëmb, e tani, koka ime lartësohet mbi armiqtë që më rrethojnë. Tërë brohori në tendën e tij fli do të kushtoj, do të këndoj e himne ZOTIT do t'i thur. O ZOT, dëgjomë kur të thërras, ki mëshirë për mua e m'u përgjigj. Për ty foli zemra ime e tha: «Kërkoni fytyrën time». Fytyrën tënde, o ZOT, kërkoj. Mos e fshih fytyrën tënde prej meje, mos e dëbo me zemërim shërbëtorin tënd, ti që ke qenë ndihma ime. Mos më lër e mos më braktis, o Perëndi i shpëtimit tim. Im atë e nëna ime më braktisën, por ZOTI më pranoi.
Psalmet 27:1-10 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)
Zoti ashtë drita eme edhe shpëtesa eme: cillinë kam me drashunë? Zoti ashtë fuqia e jetësë s’eme: prei kuit do të frikohem? Kur m’u afëruenë të këqijtë, kundrështarët’ edhe anëmiqt’ e mi, për me ngranë mishinë t’em, vetë ata rrëshqitnë edhe ranë. Edhe ndë daltë ushtëri kundrë meje, zemëra eme s’ka me u frikuem; edhe ndë u ngrittë luftë mbi mue, edhe atëherë kam me shpëryem. Nji gja lypa prei Zotit, këte kam me lypunë: për me ndenjunë ndë shtëpi të Zotit gjithë ditt’ e jetësë s’eme, të shikoj bukurin’ e Zotit, edhe të vështroj tempullin’ e ati. Se ndë ditë të keqe ka me më mpëshefunë ndë tendë të vet, ka me më mbuluem ndë vend të mpësheftë të tendësë vet, ka me më ngritunë nalt ndë shkrep. Edhe tashti kryetë t’em ka me u naltuem përmbi anëmiqt e mi qi më qarkojënë, edhe kam me bamë kurban brohorie ndë tendë t’ati; kam me i kënduem, edhe kam me i psallunë Zotit. Ndëgjo zaninë t’em, o Zot, kur thërres, edhe përdëlle-më, edhe ndëgjo-më. Zemëra eme tha prei anësë s’ate: Kërkoni faqenë t’eme. Kam me kërkuem faqenë tande, o Zot. Mos këthejsh mbënjanë faqenë tande prei meje, mos hethsh ndë zemërim shërbëtorinë tand; ti qe ndifma eme: mos më lash, edhe mos heqsh dorë prei meje, o Perëndia i shpëtimit t’em. Edhe ndë heqshinë dorë prei meje em atë e ama eme, por Zoti ka me më pritunë.
Psalmet 27:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë? Kur njerëzit e këqij, armiqtë dhe kundërshtarët e mi më sulmuan për të ngrënë mishin tim, ata vetë u lëkundën dhe ranë. Edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të kishte frikë; edhe sikur një luftë të pëlciste kundër meje, edhe atëherë do të kisha besim. Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij. Sepse ditën e fatkeqësisë ai do të më fshehë në çadrën e tij, do të më fshehë në një vend sekret të banesës së tij, do të më lartojë mbi një shkëmb. Dhe tani koka ime do të ngrihet mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, dhe do të ofroj në banesën e tij flijime me britma gëzimi; do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e Zotit. O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu. Zemra ime më thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën time". Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot. Mos ma fshih fytyrën tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Perëndi i shpëtimit tim. Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.