Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 119:41-72

Psalmet 119:41-72 Psalmet Gegërisht - Konstandin Kristoforidhi 1872 (PSGEKK1872)

Ende arthtë përdëllimi yt mbë mu, o Zot, ende shpëtimi yt mbas fjalësë s’ate. Atëherë kam me iu përgjegjun’ ati qi më shpërnderon, se shpërej mbë fjalënë tande. Ende mos ngre kreit prei gojësë s’eme fjalën’ e së vërtetësë, se shpëreva mbë gjyqet e tu. Ende kam me ruitunë ligjënë tande përherë ndë jetët të jetësë. Ende kam me ecunë ndë vend të gjanë, sepse kërkova porosit’ e tua. Ende kam me folë përpara mbëretënish për deshmimet’ e tu, ende s’kam me u turpënumë. Ende kam me u gëzumë për porosit’ e tua, qi desha fort. Ende kam me ngritunë durët’ e mia ndë porosit’ e tua, qi desha, ende kam me shkumë ndër mend urdhënimet’ e tu. Kujto fjalënë ke shërbëtori yt, ndë të cillinë më bane me shpërymë. Këjo më ngushullon ndë shtrëngimt t’em, se fjala jote më dha frymë të gjallë. Madhështorëtë më përqeshshinë fort, po unë nukë dola jashtë prei ligjësë s’ate. Mendova gjukimet’ e tu të jetëshimitë, o Zot, edhe u ngushullushë. Më mur frika prei të pabesëvet, qi kanë hiekunë dore prei ligjësë s’ate. Urdhënimet’ e tu më ishinë kankë ndë dhe të huj. Kujtova emëninë tand, o Zot, natënë, ende ruita ligjënë tande. Këjo m’u ba, se ruita urdhënimet’ e tu. Ti je piesa eme, o Zot, thashë me ruitunë fjalët’ e tua. Iu luta fjalësë s’ate me gjithë zemër; përdëllemë mbas fjalësë sate. Mendova udhët’ e mia, ende këtheva kambët’ e mia mbë deshmimet e tu. Nxitova, ende nuk’ u vonushë me ruitunë porosit’ e tua. Tufa të pabesësh më qarkunë, po unë s’harrova ligjënë tande. Ndë mies-natë qohem me të lavdurumë për gjyqet e dreitënisë s’ate. Unë jam piestar i gjith’ atyne qi të drujën’ e rujënë porosit’ e tua. Dheu ashtë plot me përdëlliminë tand, o Zot, mëso-më urdhënimet’ e tu. I bane mirë shërbëtorit t’yt, o Zot, mbas fjalësë s’ate. Ep-më mendëje të mirë, e dituni, se u besova urdhënimevet tu. Para se të vujem, humba udhënë, po ndashti ruita fjalënë tande. Ti je i mirë, ende mirë-bamës, mëso-më urdhënimet’ e tu. Madhështorëtë shpifnë rrenë kundrë meje, po unë kam me ruitunë porosit’ e tua me gjithë zemërë. Zemëra e atyne ngrini posi dhiamë, po unë gëzohem për ligjënë tande. U ba mirë për mu qi hoqa keq, për me mësum’ urdhënimet’ e tu. Ligja e gojësë s’ate ashtë ma e mirë për mu, se mijëna ari e argjandi.

Psalmet 119:41-72 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ardhtë mbi mua mirësia jote, o ZOT, shpëtimi yt, sipas fjalës sate, që t'u përgjigjem atyre që më poshtërojnë, se te fjala jote kam besim. Mos ma hiq kurrë nga goja fjalën e së vërtetës, se në vendimet e tua kam shpresuar. Do ta ruaj ligjin tënd përgjithmonë, përherë e në amshim. Do të eci udhës së gjerë, sepse kërkoj porositë e tua. Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua e turp nuk do të kem. Do të kënaqem me urdhërimet e tua, që aq fort i dua. Duart do t'i ngre drejt urdhërimeve të tua, që i dua, rregullat e tua do t'i përsiat. Kujtohu për fjalën që i dhe shërbëtorit tënd, me të cilën më dhe shpresë. Atë e kam ngushëllim në pikëllime, fjala jote më mban gjallë. Kryelartët më përqeshnin së tepërmi, por unë nuk u shmanga nga ligji yt. Kujtova vendimet e tua të lashta, o ZOT, dhe gjeta ngushëllim. Më pushtoi zemërimi për të paudhët, për ata që braktisin ligjin tënd. Rregullat e tua ishin këngë për mua atje ku isha shtegtar. Kujtova emrin tënd natën, o ZOT, dhe ligjin tënd e ruajta. Këto më ndodhën mua, se mbajta porositë e tua. ZOTI është pjesa e trashëgimit tim, premtova se do t'i ruaj fjalët e tua. Ty t'u përgjërova me gjithë zemër, mëshiromë sipas fjalës sate. I shqyrtova mirë udhët e tua dhe hapat drejt dëshmive të tua i ktheva. Shpejtova e nuk vonova urdhërimet e tua për t'i ruajtur. Leqet e të paudhëve më rrethuan, por ligjin tënd nuk e harrova. Në mesnatë ngrihem e të përlëvdoj për vendimet e tua të drejta. Jam mik me të gjithë ata që të druajnë e me ata që ruajnë porositë e tua. Toka është plot me mirësinë tënde, o ZOT, mësomë rregullat e tua. I bëre të mira shërbëtorit tënd, sipas fjalës sate, o ZOT. Mësomë dijen e të dalloj të mirën, se tek urdhërimet e tua kam besim. Para se të poshtërohesha, endesha i përhumbur, por tani mbaj fjalën tënde. I mirë je ti e të mira bën, mësomë rregullat e tua. Kryelartët më kanë mbuluar me mashtrime, por unë ruaj me gjithë zemër porositë e tua. U trash si dhjami zemra e tyre, ndërsa unë kënaqem me ligjin tënd. Më bëri mirë që u mundova, se mësova rregullat e tua. Më i mirë për mua është ligji i gojës sate, sesa mijëra monedha ari e argjendi.

Psalmet 119:41-72 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate. Kështu do të mund t'i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote. Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua. Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë. Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua. Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem. Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua. Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua. Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa. Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë. Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt. Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon. Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd. Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegtimit tim. O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd. Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua. Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua. Të jam lutur shumë, me gjithë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate. Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhrave të tua. Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua. Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd. Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta. Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua. O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua. Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate. Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua. Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde. Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua. Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër. Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd. Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua. Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë