Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 119:41-72

Psalmet 119:41-72 ALBB

Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate. Kështu do të mund t'i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote. Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua. Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë. Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua. Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem. Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua. Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua. Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa. Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë. Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt. Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon. Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd. Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegtimit tim. O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd. Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua. Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua. Të jam lutur shumë, me gjithë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate. Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhrave të tua. Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua. Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd. Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta. Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua. O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua. Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate. Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua. Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde. Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua. Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër. Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd. Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua. Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë