Ardhtë mbi mua mirësia jote, o ZOT,
shpëtimi yt, sipas fjalës sate,
që t'u përgjigjem atyre që më poshtërojnë,
se te fjala jote kam besim.
Mos ma hiq kurrë nga goja fjalën e së vërtetës,
se në vendimet e tua kam shpresuar.
Do ta ruaj ligjin tënd përgjithmonë,
përherë e në amshim.
Do të eci udhës së gjerë,
sepse kërkoj porositë e tua.
Para mbretërve do të flas për dëshmitë e tua
e turp nuk do të kem.
Do të kënaqem me urdhërimet e tua,
që aq fort i dua.
Duart do t'i ngre drejt urdhërimeve të tua, që i dua,
rregullat e tua do t'i përsiat.
Kujtohu për fjalën që i dhe shërbëtorit tënd,
me të cilën më dhe shpresë.
Atë e kam ngushëllim në pikëllime,
fjala jote më mban gjallë.
Kryelartët më përqeshnin së tepërmi,
por unë nuk u shmanga nga ligji yt.
Kujtova vendimet e tua të lashta, o ZOT,
dhe gjeta ngushëllim.
Më pushtoi zemërimi për të paudhët,
për ata që braktisin ligjin tënd.
Rregullat e tua ishin këngë për mua
atje ku isha shtegtar.
Kujtova emrin tënd natën, o ZOT,
dhe ligjin tënd e ruajta.
Këto më ndodhën mua,
se mbajta porositë e tua.
ZOTI është pjesa e trashëgimit tim,
premtova se do t'i ruaj fjalët e tua.
Ty t'u përgjërova me gjithë zemër,
mëshiromë sipas fjalës sate.
I shqyrtova mirë udhët e tua
dhe hapat drejt dëshmive të tua i ktheva.
Shpejtova e nuk vonova
urdhërimet e tua për t'i ruajtur.
Leqet e të paudhëve më rrethuan,
por ligjin tënd nuk e harrova.
Në mesnatë ngrihem e të përlëvdoj
për vendimet e tua të drejta.
Jam mik me të gjithë ata që të druajnë
e me ata që ruajnë porositë e tua.
Toka është plot me mirësinë tënde, o ZOT,
mësomë rregullat e tua.
I bëre të mira shërbëtorit tënd,
sipas fjalës sate, o ZOT.
Mësomë dijen e të dalloj të mirën,
se tek urdhërimet e tua kam besim.
Para se të poshtërohesha, endesha i përhumbur,
por tani mbaj fjalën tënde.
I mirë je ti e të mira bën,
mësomë rregullat e tua.
Kryelartët më kanë mbuluar me mashtrime,
por unë ruaj me gjithë zemër porositë e tua.
U trash si dhjami zemra e tyre,
ndërsa unë kënaqem me ligjin tënd.
Më bëri mirë që u mundova,
se mësova rregullat e tua.
Më i mirë për mua është ligji i gojës sate,
sesa mijëra monedha ari e argjendi.