«Por unë po ju them juve që më dëgjoni: duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë. Bekojini ata që ju mallkojnë e lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. Nëse dikush të qëllon në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën. Kushdo që të merr gunën, mos e pengo të të marrë edhe këmishën. Jepi kujtdo që të kërkon ndonjë gjë dhe, nëse dikush të merr ndonjë gjë tënden, mos ia kërko. Bëjuni të tjerëve çka dëshironi t'ju bëjnë juve. Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët i duan ata që i duan. Dhe nëse u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët bëjnë kështu. Nëse u jepni hua vetëm atyre prej të cilëve shpresoni se do t'jua kthejnë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që të marrin prej tyre çfarë kanë dhënë. Ju, përkundrazi, duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre e jepni hua pa pritur që t'ju kthehet. Kështu do të merrni një shpërblim të madh e do të jeni bijtë e të tejlartit Perëndi, sepse ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe të këqijtë. Jini të mëshirshëm, sikurse është i mëshirshëm edhe Ati juaj».
«Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni. Mos dënoni e nuk do të dënoheni. Falni e do të faleni. Jepni e do t'ju jepet. Do t'ju vënë në prehër një masë të mirë, të ngjeshur, të tundur e të begatë, sepse me masën që do të matni, do të mateni».
Jezui u foli përsëri me shëmbëlltyra: «A mund t'i prijë një i verbër një të verbri tjetër? A nuk do të bien të dy në gropë? Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi. Edhe po të mësojë gjithçka, do të jetë si mësuesi i tij.
Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? Si mund t'i thuash vëllait tënd “vëlla, më lër të ta heq ashklën nga syri”, ti që nuk pikat traun në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd».
«Nuk ka pemë të mirë që jep fryte të këqija e as pemë të kalbur që jep fryte të mira. Çdo pemë njihet nga frytet e saj. Askush nuk mund të vjelë fiq nga ferrat e as rrush nga shkurret. Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së tij dhe njeriu i keq nxjerr të keqen nga thesari i tij i keq, sepse ç'ka zemra, nxjerr goja».
«Përse më thërrisni “Zot, Zot” e nuk bëni çfarë ju them unë? Po ju tregoj kujt i ngjan ai që vjen tek unë dhe që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia. Ai i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi, gërmoi thellë e i hodhi themelet në shkëmb. Kur erdhi përmbytja, lumi vërshoi drejt asaj shtëpie, por nuk e tundi dot vendit, se shtëpia ishte ndërtuar mirë. Ndërsa ai që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi mbi dhe, pa themele. Kur vërshoi lumi, ajo u shemb menjëherë e i madh qe shkatërrimi i saj».