Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 9

9
1«Kush do të më japë në shkretëtirë
një bujtinë udhëtarësh?
Do ta braktisja popullin tim e do të ikja prej tij,
se janë të tërë kurorëshkelës,
një mori tradhtarësh.
2E ndehin gjuhën porsi hark,
mashtrimi e jo besnikëria përtërihet mbi tokë,
se bëjnë ligësi pas ligësie
e mua nuk më njohin, kumton Zoti.
3Secili duhet të ruhet nga i afërti i vet,
as te vëllai mos kini besim,
se çdo vëlla mashtron prore,
çdo i afërt shkon duke shpifur.
4Secili e mashtron të afërtin
e nuk thotë të vërtetën.
E kanë ushtruar gjuhën për të gënjyer,
u këputën duke bërë ligësi.
5Banojnë në mes të mashtrimit
e për shkak të mashtrimit
s'pranojnë të më njohin,
kumton Zoti.
6Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive:
ja, do t'i spastroj e do t'i sprovoj,
se si duhet të sillem me bijën e popullit tim?
7Shigjetë therëse është gjuha e tyre,
me mashtrim flet goja e tyre.
I urojnë paqen të afërtit, por me mend i ngrenë kurth.
8Mos vallë s'do t'i ndëshkoj për këto? Kumton Zoti.
Mos vallë s'do të hakmerrem me një komb si ky?
9Mbi male do ta ngre gjëmën e vajin
e në kullotat e shkretëtirës ankimin,
se janë të shkreta, askush nuk i përshkon
e nuk dëgjohet britma e bagëtisë,
që nga zogjtë e qiellit deri te bagëtitë
shkuan e vanë.
10Do ta kthej Jerusalemin në një grumbull gurësh,
në strofkë çakejsh.
Qytetet e Judës do t'i bëj djerrinë,
se do të mbesin pa banorë.
11Cili njeri i urtë e kupton këtë?
Kujt i foli goja e Zotit, që ta shpallë?
Pse është rrënuar toka,
si një shkretëtirë ku nuk kalon askush?
12Thotë Zoti: meqë e braktisën ligjin që u parashtrova dhe nuk e dëgjuan zërin tim e nuk e ndoqën, 13por ndoqën zemërngurtësinë e vet dhe Baalët, siç i kishin mësuar etërit e tyre, 14prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: ja, do ta koj këtë popull me pelin dhe do t'i jap të pijë ujë të helmuar. 15Do t'i shpërndaj nëpër kombe, të cilat nuk i kanë njohur as ata, as etërit e tyre dhe do t'u dërgoj shpatën që t'i ndjekë derisa t'i kem shfarosur. 16Kështu thotë Zoti i ushtrive: vini re! Thirrni vajtueset të vijnë! Thirrni më të zonjat të vijnë».
17«Të nxitohen, t'ia nisin vajit mbi ne,
që sytë tanë të derdhin lot
e qepallat tona të rrjedhin çurg,
18se një zë vajtimi dëgjohet në Sion:
“Si u rrënuam! Turp për ne, se e braktisëm vendin
e i shembën banesat tona”.
19Dëgjojeni, o gra, fjalën e Zotit,
ta pikasë veshi juaj fjalën e gojës së tij
që t'u mësoni vajtimin bijave tuaja
dhe gratë kujën njëra-tjetrës.
20Se vdekja u kacavar në dritaret tona,
u fut në pallatet tona,
për t'i këputur foshnjat nëpër rrugë,
të rinjtë nëpër sheshe.
21Shpall! Kështu kumton Zoti:
do të bien kufomat njerëzore
si plehu përmbi ara,
si duajt pas korrtarit, që s'ka kush i mbledh.
22Kështu thotë Zoti:
të mos mburret i dituri me diturinë e vet,
të mos mburret i forti me forcën e vet,
të mos mburret i pasuri me pasurinë e vet!
23Por nëse mburret, le të mburret me këtë: se është i mençur e më njeh, se jam Zoti që vepron me dashuri, me të drejtë e drejtësi mbi tokë, se këto më pëlqejnë, kumton Zoti. 24Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do t'i ndëshkoj të gjithë të rrethprerët në lafshë, 25Egjiptin, Judën, Edomin, bijtë e Amonit, të Moabit, si edhe të gjithë ata që banojnë në shkretëtirë me tëmtha të qethur, se të gjitha kombet janë të parrethprera, ndërsa mbarë shtëpia e Izraelit është e parrethprerë në zemër».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 9: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr