Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 10

10
Idhujt
1Dëgjojeni fjalën që ju drejton Zoti, o shtëpia e Izraelit. 2Kështu thotë Zoti:
«Mos i mësoni udhët e kombeve
e mos u tmerroni nga shenjat e qiellit,
meqë prej tyre kanë frikë kombet,
3se doket e kombeve janë kotësi,
se idhujt janë një dru i prerë nga pylli,
latuar me sëpatë nga dora e zejtarit.
4I zbukurojnë me argjend e ar,
i kapin me gozhdë e çekanë,
që të mos lëkunden.
5Si dordoleci në arë trangujsh janë
e nuk flasin,
duhet t'i mbartin,
se nuk ecin dot.
Mos kini frikë prej tyre,
se nuk bëjnë dëm
e nuk është në dorën e tyre as të bëjnë mirë».
6Askush nuk është si ti, o Zot.
Ti je i madh e i madh është emri yt i fuqishëm.
7Kush nuk do të ta ketë frikën, o mbreti i kombeve?
Vetëm ty të takon,
se ndër gjithë të urtët e kombeve
e në mbarë mbretëritë e tyre
nuk ka si ti.
8Janë tok të marrë e të pamend,
mësimi i tyre është kotësi,
një copë dru është.
9Është argjend i rrahur, sjellë nga Tarshishi,
dhe ar nga Ufazi, vepër zejtari e argjendari,
veshur me vjollcë e me purpur
të gjitha me mjeshtëri punuar.
10Por Zoti është vërtet Perëndi,
Ai është Perëndia i gjallë e mbreti i amshuar.
Prej zemërimit të tij dridhet toka,
kombet nuk e durojnë furinë e tij.
11Kështu do t'u thuash: «Perënditë, që nuk bënë qiellin e tokën, do të zhbihen mbi tokë e nën qiell».
12Ai e bëri tokën me fuqinë e vet,
me urtinë e vet e themeloi botën,
qiejt me mençuri i shpalosi.
13Me ushtimën e tij trazohen ujërat në qiell,
nga skaji i dheut i ngre retë,
ai e lëshon vetëtimën në shi
dhe nxjerr erën nga qilarët e vet.
14Çdo njeri hutohet nga padija,
çdo farkëtar turpërohet prej idhujve,
se e gënjeshtërt është çfarë ka farkëtuar
e frymë në to nuk ka.
15Ato janë kotësira, vepra qesharake,
në kohën e ndëshkimit, do të rrënohen.
16Nuk është kështu ai që i ka rënë për pjesë Jakobit,
se ai i dha trajtë gjithçkaje,
Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij.
Zot i ushtrive është emri i tij.
Ankimi i popullit
17Mblidh trastat nga toka,
o ti që banon i rrethuar,
18se kështu thotë Zoti:
«Ja, do t'i flakëroj banorët e tokës këtë herë,
do t'i zë ngushtë, që ta marrin vesh».
19Mjerë unë, për plagën time!
Plaga ime është e rëndë,
por thashë: «Është lëngata ime,
duhet ta duroj».
20Tenda ime u rrënua,
të gjitha tejzat iu këputën.
Bijtë e mi ikën e më nuk janë,
nuk ka kush e ngre sërish tendën time,
nuk ka kush i ndeh pëlhurat.
21Se barinjtë u marrosën
e nuk e pyesin Zotin,
prandaj nuk u ecën mbarë
e grigjat u janë shpërndarë.
22Dëgjohet një zë. Ja, po vjen.
Një dridhmë e madhe nga dheu i veriut,
për t'i shkretuar qytetet e Judës,
për t'i kthyer në strofuj çakejsh.
23E di, o Zot, njeriu nuk e ka në dorë fatin e vet,
njeriu ecën, por nuk i drejton dot hapat e veta.
24Ndreqmë, o Zot, por me drejtësi,
jo me zemërimin tënd, që të mos më mpakësh.
25Derdhe hidhërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin,
mbi fiset që nuk thërrasin emrin tënd,
se e gllabëruan Jakobin,
e përpinë e i dhanë fund,
e shkretuan vendbanimin e tij.

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 10: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr