Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 8

8
1«Në atë kohë, kumton Zoti, do të nxirren nga varret eshtrat e mbretërve të Judës, eshtrat e princave, eshtrat e priftërinjve, eshtrat e profetëve dhe eshtrat e banorëve të Jerusalemit. 2Do të shpërndahen para diellit e hënës, para mbarë ushtrisë së qiejve, që ata i deshën, të cilëve u shërbyen, pas të cilëve shkuan, që u kërkuan udhëzim e i adhuruan. Jo, nuk do të mblidhen e as do të varrosen, por do të mbeten si plehu përmbi dhe. 3Do të zgjedhë vdekjen më shumë se jetën mbarë teprica që do të mbesë prej kësaj dere të mbrapshtë në vendet ku do t'i dëboj, kumton Zoti i ushtrive».
Mëkati dhe kokëfortësia e Izraelit
4«Do t'u thuash, se kështu thotë Zoti:
kush rrëzohet, a nuk ngrihet sërish?
Kush shmanget, a nuk kthehet sërish?
5Përse ky popull, Jerusalemi, u shmang,
u bë besëshkalë, kokëfortë,
u kap fort pas mashtrimit
e u bë i pandreqshëm?
6Ua vura veshin dhe i dëgjova,
por nuk flisnin hijshëm.
Askush nuk tërhiqet nga ligësia e vet
e thotë: “Çfarë bëra?”.
Të gjithë kthehen në harbimin e vet,
siç lëshohet kali në betejë.
7Edhe lejleku në qiell e njeh kohën e vet,
turtulli, dallëndyshja e mëllenja
e mbajnë kohën e rikthimit,
por populli im nuk e njeh ligjësinë e Zotit.
8Si mund të thoni: jemi të urtë,
se kemi me vete ligjin e Zotit?
Ja, në mashtrim e ktheu
pena mashtruese e shkruesve.
9Të urtët do të turpërohen,
do të hutohen e do të zihen në lak.
Ja, e përzunë fjalën e Zotit,
e çfarë urtie mund të kenë?
10Prandaj, gratë e tyre do t'ua jap të tjerëve,
arat e tyre pushtuesve,
se nga më i vogli te më i madhi
të gjithë kërkojnë të përfitojnë,
nga profeti deri te prifti
të gjithë veprojnë me mashtrim.
11Mjekojnë me mendjelehtësi plagën e popullit tim
e thonë: “Paqe, paqe”,
por paqe nuk ka.
12A u bënë me turp kur vepruan neveritshëm?
As turpi nuk i mbuloi,
as të skuqen nuk ditën,
prandaj do të bien me të rënët,
kur t'i ndëshkoj, do të shemben, kumton Zoti.
13Do të mblidhja e do të vilja, kumton Zoti,
por nuk ka vile në hardhi,
nuk ka fiq në fik,
edhe gjethet janë vyshkur
gjithçka u dhashë ka kaluar.
14Pse rrimë shtruar ne?
Mblidhuni të shkojmë në qytetet e fortifikuara
e aty të fundosemi,
se Zoti, Perëndia ynë, na fundosi,
se na dha të pimë ujë me helm,
ngaqë mëkatuam kundër Zotit.
15Prisnim paqen, por nuk ka mirësi,
kohën e shërimit, por, ja, tmerr.
16Nga Dani dëgjohet hingëllima e kuajve të tij,
prej zërit ushtues të hamshorëve të tij dridhet toka mbarë.
Vijnë dhe e përpijnë tokën me gjithçka është plot,
qytetin me banorët e tij.
17Se ja, po dërgoj mes jush gjarpërinj,
nepërka që nuk magjepsen,
dhe do t'ju kafshojnë, kumton Zoti».
Vajtimi i Jeremisë
18«Iku ngazëllimi im e më mbuloi pikëllimi,
zemra po më lëshon.
19Ja zëri kushtrues i bijës së popullit tim
nga një tokë e largët:
“A nuk është Zoti në Sion?
A nuk është aty mbreti i tij?
Përse më zemëruan me idhujt e tyre,
me kotësitë e huaja?”.
20Kaluan të korrat, iku vera
e ne nuk kemi shpëtim.
21Lëndimi i bijës së popullit tim më lëndon,
mbaj zi e më ka zënë pikëllimi.
22A nuk ka balsam në Gilead?
A nuk ka mjek atje?
Përse, pra, nuk iu përtëri shëndeti
bijës së popullit tim?
23 # 8.23 të tjerë e rendisin si 9.1 Ah, kokën gurrë uji ta kisha
e sytë burim lotësh,
ditë e natë të qaja
të therurit e bijës së popullit tim».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 8: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë