Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 25

25
Himn falënderimi
1O Zot, ti je Perëndia im,
ty të madhëroj, emrin tënd përlëvdoj,
se i përmbushe qëllimet e tua të mrekullueshme,
që nga lashtësia ato janë fort të besueshme.
2Qytetin e ktheve në pirg gërmadhash,
qytezën e fortifikuar në rrënojë.
Kështjella e të huajve s'është më qytet
e s'do të rindërtohet më kurrë.
3Prandaj populli i fortë të lavdëron,
qyteti i kombeve të tmerrshme të ka frikë.
4Ti ke qenë streha e skamnorit,
vendstrehimi i të varfrit në pikëllim,
streha kundër stuhisë,
hija kundër të nxehtit,
sepse furia e gjakatarëve
është si stuhia që përplaset në mur,
5është si i nxehti në tokë të djegur.
Poteren e të huajve do ta nënshtrosh,
si të nxehtin me hijen e reve,
këngën e gjakatarëve do ta fashitësh.
6 Zoti i ushtrive do të bëjë mbi këtë mal
një gosti me mish të majmë për të gjithë popujt,
një gosti me verëra të vjetra,
plot me mish të majmë e me palcë,
me verëra të vjetra e të zgjedhura.
7Mbi këtë mal do ta shqyejë velin,
që fytyrën e gjithë popujve mbulonte,
velin e shtrirë mbi të gjitha kombet.
8Përgjithmonë do ta zhdukë vdekjen,
Zoti Perëndi do t'i thajë lotët nga çdo fytyrë,
do t'ia heqë qortimin popullit të tij në mbarë tokën,
se kështu ka thënë Zoti.
9«Ja, ky është Perëndia ynë!», do të thuhet atë ditë.
«Tek ai kemi shpresuar e ai na shpëtoi.
Ky është Zoti, tek i cili kemi shpresuar,
le të gëzojmë e të ngazëllejmë për shpëtimin e tij».
10Ja, dora e Zotit
mbi këtë mal do të prehet!
Nën të Moabi do të dërrmohet,
siç shtypet kashta në gropë të plehut.
11Në mes të tij duart do t'i shtrijë,
siç i shtrin notari kur noton,
krenaria e tij do të përulet,
me gjithë rropatjen e duarve të tij.
12Fortesat e mureve të tua mbrojtëse
ai do t'i shkatërrojë,
do t'i rrafshojë, do t'i hedhë përdhe,
pluhur do t'i bëjë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 25: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë