Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 24

24
Zoti gjykon tokën
1Ja, Zoti po e shkatërron tokën,
të shkretë po e bën,
faqen e saj po e shëmton,
banorët po ia hapërdan.
2Do t'i ndodhë e njëjta gjë
popullit e priftit,
shërbëtorit e zotërisë,
shërbëtores e zonjës,
blerësit e shitësit,
huadhënësit e huamarrësit,
atij që jep e atij që merr.
3Toka do të shkatërrohet krejt,
pa mëshirë do të plaçkitet,
se këtë fjalë e ka thënë vetë Zoti.
4Në zi është toka, lëngon ajo,
po venitet bota, po lëngon,
lëngojnë edhe fisnikët e popullit të dheut.
5Prej banorëve të saj është ndotur toka,
sepse ligjet i kanë shkelur,
rregullat i kanë shpërfillur,
besëlidhjen e amshuar e kanë thyer.
6Prandaj e ka përpirë tokën mallkimi
e banorët e saj vuajnë ndëshkimin.
Prandaj po shuhen banorët e tokës
e kanë mbetur kaq pak njerëz.
7Vajton mushti, lëngon vreshti,
rënkojnë gjithë sa u gëzonte zemra.
8Reshti hareja e dajres,
u ndal brohoritja e kremtuesve,
ëmbëlsia e harpës pushoi.
9S'pinë më verë duke kënduar,
e hidhur është pija për atë që e pi.
10Qyteti i rrënuar u shkatërrua krejt,
u mbyll çdo shtëpi, që të mos hyjë kush.
11Ankohen nëpër sheshe se nuk ka verë,
gëzimi është errur,
hareja e tokës është zhdukur.
12Në qytet ka mbetur veç rrënimi,
porta është thyer e është copëtuar.
13Se kështu do të ndodhë në tokë,
midis popujve do të ngjajë,
sikurse me ullirin kur shkundet,
siç mblidhen kokrrat pas vjeljes.
14Zërin do ta ngrenë,
për madhështinë e Zotit do të këndojnë,
nga deti do të brohorasin.
15Prandaj lavdërojeni Zotin në lindje,
në ujdhesat e detit emrin e Zotit, Perëndisë së Izraelit.
16Në skajet e tokës dëgjojmë lavde.
«Lavdi të drejtit!», thonë.
Por unë thashë: «I gjori unë!
I shkreti unë! I mjeri unë!».
Të pabesët kanë thyer besën,
të pabesët kanë vepruar me pabesi.
17Tmerri, gropa e laku
valëviten mbi ty, o banor i tokës!
18Kush do të shpëtojë nga tmerri,
do të bjerë në gropë
dhe atë që do të dalë nga gropa,
do ta zërë laku,
se do të hapen kanatet e qiellit
e do të tranden themelet e tokës.
19Thellë do të çahet toka,
dheu do të kriset krejt,
bota do të trandet fort.
20Do të dridhet pareshtur si i dehuri,
do të lëkundet si kasollja.
Rëndë peshon mbi të paudhësia,
do të bjerë e s'do të ngrihet më.
21Atë ditë do t'i ndëshkojë Zoti
ushtritë qiellore atje lart në lartësi
e mbretërit e tokës këtu mbi dhe.
22Do të mblidhen bashkë,
do të burgosen në gropë,
në burg do të mbyllen
e pas shumë ditësh do të ndëshkohen.
23Do të skuqet hëna, do të turpërohet dielli,
se në malin e Sionit e në Jerusalem
Zoti i ushtrive do të mbretërojë,
dhe lavdia e tij do të shkëlqejë para pleqësisë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 24: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr