Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 34

34
Kryeneçësia e Izraelit
1Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 2«Bir i njeriut, profetizo kundër barinjve të Izraelit. Profetizo e thuaju pikërisht barinjve se kështu thotë Zoti im, Zoti: mjerë barinjtë e Izraelit që kullotin veten. A nuk duhet të kullotin grigjën barinjtë? 3Ju hani mishin e majmë, visheni me lesh, therni ato të majmet, por nuk e kullotni grigjën. 4Të mekurat nuk i keni mëkëmbur, të sëmurat nuk i keni shëruar, të lënduarat nuk i keni lidhur, të ndarën nuk e keni kthyer dhe të humburën nuk e keni kërkuar, por me forcë e me ashpërsi i keni sunduar. 5Janë shpërndarë, se nuk kanë bari. Janë bërë ushqim për të gjitha egërsirat e fushës, se janë shpërndarë. 6Janë hallakatur delet e mia. Nëpër të gjitha malet, nëpër të gjitha kodrat e larta e në mbarë faqen e dheut është shpërndarë grigja ime dhe nuk ka kush ta kërkojë, nuk ka kush ta gjurmojë.
7Prandaj, o barinj, dëgjojeni fjalën e Zotit: 8pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, meqë grigja ime u bë pre dhe delet e mia u bënë ushqim për të gjitha egërsirat e fushës, ngaqë nuk kanë bari, se barinjtë e mi nuk i kanë kërkuar delet e mia, por barinjtë kanë kullotur veten e nuk kanë kullotur grigjën time, 9për këtë, o barinj, dëgjojeni fjalën e Zotit tim, Zotit: 10kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, unë jam kundër barinjve. Do t'u kërkoj llogari për grigjën time e do t'ua heq rojtarinë e deleve të mia. Barinjtë nuk do të kullotin më veten, se do t'i shpëtoj delet e mia nga goja e tyre e nuk do të jenë më ushqim për ta.
11Se kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, unë vetë do t'i kërkoj delet e mia e do t'i këqyr. 12Siç e këqyr bariu grigjën e vet, kur është mes deleve të shpërndara, kështu do t'i këqyr unë delet e mia dhe do t'i shpëtoj nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë në ditë me re e me terr. 13Do t'i nxjerr prej popujve dhe do t'i sjell nga vendet e tjera drejt tokës së tyre. Do t'i kullot nëpër malet e Izraelit, nëpër shpate dhe në të gjitha vendbanimet e vendit. 14Në kullota të mira do t'i kullot. Mbi malet e lartësive të Izraelit do ta kenë livadhin. Atje do të shtrihen mbi livadhe të mira e në kullota të majme do të hanë, në malet e Izraelit. 15Unë do ta kullot grigjën time, unë vetë do ta mërzej, kumton Zoti im, Zoti. 16Do të kërkoj të humburën dhe do të kthej të ndarën. Do t'i lidh plagën të lënduarës dhe të sëmurën do ta forcoj. Do të kujdesem#34.16 të tjerë: shkatërroj për të majmen dhe për të mëkëmburën. Do t'i kullot me drejtësi.
17Për ty, grigja ime, kështu thotë Zoti im, Zoti: ja, unë gjykoj mes deles e deles, mes deshve e cjepve. 18A ju duket pak që kullotni në kullotën e mirë, që shkelni kullotat që ju teprojnë? Ju hyni me këmbë për të pirë ujin e kulluar dhe çfarë tepron e turbulloni me këmbë. 19Grigja ime duhet të kullotë ç'keni shkelur me këmbë dhe të pijë ç'keni turbulluar me këmbë. 20Prandaj kështu u thotë Zoti im, Zoti: ja unë vetë do të gjykoj mes deles së majme e deles së hajthme. 21Meqë shtytë me bri e me sup dhe i gjuajtët me brirë tërë të dobëtat, derisa i shpërndatë përjashta, 22unë do t'i shpëtoj delet e mia dhe nuk do të jenë më pre. Do të gjykoj mes deles e deles. 23Do të caktoj mbi to një bari të vetëm. Do t'i kullotë shërbëtori im, Davidi. Ai do t'i kullotë e do të jetë bariu i tyre. 24Dhe unë, Zoti, do të jem Perëndia i tyre, ndërsa shërbëtori im, Davidi, do të jetë princ mes tyre. Unë, Zoti, fola.
25Do të bëj me to një besëlidhje paqeje dhe do t'i zhduk kafshët e egra nga vendi. Atëherë do të banojnë të qeta në shkretëtirë e do të flenë nëpër pyje. 26Do t'i bëj bekim ato dhe rrethinat e rreth kodrës sime. Do të dërgoj shiun në stinën e duhur e do të jenë shira të bekuar. 27Pemët e fushës do t'i japin frytet e veta. Edhe toka do t'i japë prodhimet e veta e ato do të rrinë e do të banojnë të qeta në tokën e tyre. Do ta marrin vesh se unë jam Zoti kur t'i copëtoj shulat e zgjedhës së tyre e kur t'i liroj nga dora e nënshtruesve. 28Nuk do të jenë më preja e kombeve e nuk do t'i hanë më egërsirat e dheut. Do të banojnë të qetë e askush nuk do t'i trembë. 29Unë do t'u përgatit vende të blerta, që të mos i brejë zija e bukës në vend e të mos i ndrydhë përçmimi i kombeve. 30Atëherë do ta marrin vesh se unë jam Zoti, Perëndia i tyre me ta, e ata, shtëpia e Izraelit, janë populli im, kumton Zoti im, Zoti. 31Ju jeni delet e mia, njerëzit e kullotës sime, e unë jam Perëndia juaj, kumton Zoti im, Zoti».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ezekieli 34: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr