Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 33

33
Thirrje për pendesë
1Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 2«Bir i njeriut, fol me bijtë e popullit tënd e thuaju: nëse ngre shpatën kundër një vendi, njerëzit e atij vendi do të marrin një burrë nga brenda kufijve e do ta caktojnë rojtar për ta. 3Nëse ai e sheh shpatën duke iu sulur vendit dhe i bie borisë për ta lajmëruar popullin, 4ai që e dëgjon zërin e borisë nuk e përfill lajmin, kur të vijë shpata e ta përlajë, gjaku do t'i bjerë mbi kokën e vet. 5Ai e dëgjoi zërin e borisë, por nuk e përfilli lajmin. Gjaku do t'i bjerë mbi kokën e vet. Po ta kishte pranuar lajmin, do ta kishte shpëtuar jetën. 6Por, nëse rojtari e sheh shpatën duke ardhur e nuk i bie borisë dhe populli nuk e merr lajmin, kur të vijë shpata e të përlajë ndonjërin prej tyre, ai do të përlahet për shkak të ligësisë së vet, por gjakun e tij do t'ia kërkoj rojtarit.
7Ty, bir i njeriut, të kam caktuar rojtar për shtëpinë e Izraelit. Kur të dëgjosh ndonjë fjalë nga goja ime, paralajmëroi nga ana ime. 8Nëse i them të paudhit: i paudhë, do të vdesësh, por ti nuk flet për ta paralajmëruar që të heqë dorë nga sjellja, ai, i paudhi, do të vdesë për fajin e vet, por gjakun e tij do të ta kërkoj ty. 9Por, nëse ti e paralajmëron të paudhin të heqë dorë nga sjellja e vet e të pendohet, por ai nuk pendohet, ai do të vdesë për fajin e vet e ti do të shpëtosh.
10Ti, bir i njeriut, thuaji shtëpisë së Izraelit: “Ju flisni e thoni: shkeljet dhe mëkatet tona ranë mbi ne e po kalbemi në to. Si do të mbetemi gjallë?”. 11Ti thuaju: pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, unë nuk gëzohem me vdekjen e të paudhëve, por që i paudhi të pendohet për sjelljen e vet e të jetojë. Pendohuni, pendohuni për sjelljet tuaja të liga. Pse doni të vdisni, o shtëpia e Izraelit?
12Ti, o bir i njeriut, thuaju bijve të popullit tënd: të drejtin nuk e shpëton drejtësia e vet, kur ai bën shkelje. I paudhi nuk do të pengohet në paudhësinë e vet, nëse pendohet për paudhësinë e vet. I drejti nuk mund të jetojë falë drejtësisë, nëse mëkaton. 13Nëse i them të drejtit: “Do të mbetesh gjallë”, por ai, i sigurt për drejtësinë e vet, bën padrejtësi, nuk do t'i kujtohet më asnjë veprim i drejtë, por do të vdesë në padrejtësinë që ka bërë. 14Nëse i them të paudhit: “Do të vdesësh” dhe ai pendohet për mëkatin e vet dhe bën të drejtën e drejtësinë, 15kthen pengun, shpaguan vjedhjen, i zbaton rregullat e jetës, jeton pa bërë padrejtësi, ai do të jetojë e nuk do të vdesë. 16Nuk do t'i kujtohet asnjë nga mëkatet që pati bërë. Ai zbatoi të drejtën e drejtësinë dhe do të jetojë.
17Bijtë e popullit tënd thonë: “Nuk është e rregullt udha e Zotit”. Në të vërtetë, udha e tyre nuk është e drejtë. 18Nëse i drejti heq dorë nga drejtësia dhe bën padrejtësi, do të vdesë për shkak të saj. 19Nëse i paudhi heq dorë nga paudhësia dhe vepron me të drejtë e drejtësi, falë tyre do të jetojë. 20Ju thoni: “Nuk është e rregullt udha e Zotit”. Do ta gjykoj secilin prej jush sipas udhës së vet, o shtëpia e Izraelit.
Ndëshkimi i Jerusalemit
21Në vitin e dymbëdhjetë të shpërnguljes sonë, në muajin e dhjetë, në ditën e pestë të muajit, erdhi tek unë një i ikur nga Jerusalemi e më tha: “Qyteti ra!”. 22Mbrëmjen para se të vinte i ikuri, dora e Zotit kishte qenë mbi mua dhe në mëngjes, kur mbërriti i ikuri, Zoti ma hapi gojën. M'u hap goja e nuk isha më memec.
23Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 24bir i njeriut, banorët e këtyre djerrinave në tokën e Izraelit flasin e thonë: “Abrahami ishte një i vetëm dhe e kishte tokën për pronë, ndërsa ne jemi shumë. Neve na është dhënë toka për pronë”. 25Prandaj thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: ju e hani mishin me gjak, i ngrini sytë drejt idhujve, derdhni gjak dhe dashkeni ta keni tokën për pronë? 26Ju mbështeteni te shpatat tuaja, bëni pështirësi, secili çnderon gruan e të afërtit dhe dashkeni ta keni tokën për pronë? 27Po ashtu thuaju se kështu thotë Zoti im, Zoti: pasha jetën time, ata që gjenden në djerrina do të bien prej shpatës. Ata që gjenden nëpër ara, do t'ua jap kafshëve për ushqim, ndërsa ata që janë nëpër fortesa e nëpër shpella, do të vdesin prej murtajës. 28Do ta katandis vendin në shkretim e djerrinë e do të marrë fund krekosja e fuqisë së tij. Do të shkretohen malet e Izraelit e nuk do t'i përshkojë askush. 29Do ta marrin vesh se unë jam Zoti kur ta kem tharë e shkretuar vendin e tyre, për shkak të gjithë pështirësive që kanë bërë.
30Sa për ty, bir i njeriut, bijtë e popullit tënd flasin për ty rrëzë mureve dhe te dyert e shtëpive të veta, i thonë njëri-tjetrit, secili të afërtit: “Ejani e dëgjoni çfarë është kjo fjalë që del nga Zoti!”. 31Vijnë te ti siç mblidhet populli, ulen para teje dhe i dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i zbatojnë, se veprojnë sipas gojës së tyre epshore e zemra u rend pas përfitimeve. 32Ja, ti je për ta si një këngë epshore, me zë të bukur, që u bie këndshëm veglave. Ç'thua ti e dëgjojnë, por nuk e zbatojnë. 33Por, kur do të ndodhë kjo dhe, ja, po ndodh, do ta marrin vesh se mes tyre gjendej një profet».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ezekieli 33: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr