Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 17

17
Zoti flet me shëmbëlltyra
1Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 2«Bir i njeriut, thuaj një gjëegjëzë dhe tregoi një shëmbëlltyrë shtëpisë së Izraelit. 3Thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: një shqiponjë e madhe me krahë të mëdhenj e me pendë të gjata, plot pupla të larmishme, erdhi në Liban dhe mori majën e cedrit. 4Këputi majën e filizave, e çoi në një vend tregtie dhe e vendosi në një vend tregtarësh. 5Mori farën e asaj toke dhe e hodhi në një arë të mbjellash. Në një lëndinë, ndanë ujërave të shumtë e mbolli 6dhe ajo buloi e u bë hardhi e shtrirë, me trung të ulët, me degët drejt saj e me rrënjët poshtë saj. U bë hardhi, qiti shermende e lëshoi degë.
7Qe edhe një shqiponjë e madhe, me krahë të mëdhenj e me shumë pupla. Dhe, ja, prej zagnave, ajo hardhi i ktheu rrënjët drejt shqiponjës, i priri degët drejt saj, që ta ujiste. 8Në tokë të mirë, ndanë ujërave të shumta qe mbjellë, që të nxirrte shermende, të jepte fryt e të bëhej hardhi madhështore.
9Thuaj se kështu thotë Zoti im, Zoti: a do t'i ecë mbarë? A do të rrijë ajo pa ia nxjerrë rrënjët e pa ia këputur frytet, që t'i thahen bulëzat e njoma? Nuk duhet ndonjë krah i fuqishëm as ndonjë popull i madh për ta shkulur me rrënjë. 10Ja, u mboll, por a do t'i ecë mbarë? A nuk do të thahet sapo ta zërë era e lindjes? Në zagnën ku çeli do të thahet».
11Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 12«Thuaji shtëpisë kryeneçe: a nuk e dini çfarë do të thotë kjo? Thuaj: ja, mbreti i Babilonisë erdhi në Jerusalem, mori mbretin e prijësit e tij dhe i çoi në Babiloni. 13Mori një pinjoll mbretëror, bëri besëlidhje me të dhe e vuri në be. Mori udhëheqësit e vendit, 14që të poshtërohet mbretëria e të mos ngrihet, e megjithatë ta mbante më këmbë besëlidhjen me të. 15Por ai ngriti krye kundër tij e i dërgoi lajmëtarë në Egjipt, që t'i jepeshin kuaj e një ushtri e madhe. A do t'i ecë mbarë? A mund të shpëtojë ai që veproi kështu? A mund ta thyejë besëlidhjen e të shpëtojë?
16Pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, ai do të vdesë në Babiloni, në vendin e mbretit që e vuri atë mbret, të cilit ia përçmoi betimin e ia theu besëlidhjen. 17As faraoni, me ushtrinë e tij të madhe e me tubimin e shumtë, nuk do t'i ndihë në betejë, kur të ngrejë stome e të vërë ledhe për të shuar shumë jetë. 18Ai përbuzi betimin dhe theu besëlidhjen. Ja, i dha dorën e pastaj bëri të gjitha këto. Nuk do të shpëtojë.
19Prandaj kështu thotë Zoti im, Zoti: pasha jetën time do t'ia hedh kokës betimin tim që ai e përçmoi dhe besëlidhjen time që ai e theu. 20Do të hedh rrjetën time kundër tij e ai do të bjerë në kurthin tim. Do ta çoj në Babiloni dhe atje do ta gjykoj për tradhtinë që kreu kundër meje. 21Të gjithë të zgjedhurit e aradheve të tij do të bien prej shpatës dhe të mbeturit do të shpërndahen në të katër erërat. Kështu do ta merrni vesh se unë, Zoti, kam folur.
22Kështu thotë Zoti im, Zoti: unë vetë do t'ia këpus majën cedrit të lartë e do ta ngul. Prej majës do të këpus një filiz të njomë e do ta mbjell unë vetë mbi një mal të lartë e të spikatur. 23Mbi malin e lartë të Izraelit do ta mbjell e ai do të qesë degë, do të japë fryt dhe do të bëhet cedër madhështor. Nën të do të banojnë të gjithë zogjtë, çdo shpend do ta vërë folenë nën hijen e degëve të tij. 24E do ta marrin vesh të gjitha pemët e pyllit se unë jam Zoti, që e ul pemën e lartë dhe e lartësoj pemën e ulët, e thaj pemën e njomë dhe e bëj të çelë pemën e tharë. Unë, Zoti, fola e do të veproj».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ezekieli 17: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr