Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ezekieli 16

16
Tradhtitë e Jerusalemit
1Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 2«Bir i njeriut, bëja të ditur Jerusalemit pështirësitë e veta 3e thuaji se kështu i thotë Zoti im, Zoti, Jerusalemit: me prejardhje je nga lindja, prej tokës së kananitëve. Ati yt ishte amorit e nëna jote hitite. 4Për sa i përket lindjes sate, ditën kur u linde nuk të qe prerë kërthiza, as u lave me ujë, për t'u pastruar, as u kripe, as u mbështolle me fasha. 5Asnjë sy nuk pati mëshirë për ty, që të kryente për ty njërën prej këtyre gjërave, për mëshirë ndaj teje, por ti u flake arës si shpirt i përbuzur në ditën e lindjes sate.
6Kalova pranë teje, të pashë tek përpëliteshe në gjakun tënd dhe kur të rridhte gjaku, të thashë: “Jeto!”. Kur të rridhte gjaku, të thashë: “Jeto!”. 7Të bëra të rritesh si bima e fushës dhe ti u rrite e u këndelle dhe u bëre stolia e stolive. Të dolën gjinjtë, të doli pushi, por ishe lakuriq e cullak.
8Kalova pranë teje e të pashë. Dhe, ja, kishe mbërritur në moshën e dashurisë. Atëherë shpalosa mbi ty petkun tim dhe e mbulova lakuriqësinë tënde. Pastaj t'u betova dhe u lidha me ty, kumton Zoti im, Zoti, e ti u bëre e imja. 9Të lava me ujë, të dëlira nga gjaku e të leva me vaj. 10Të vesha me qëndisma larushore, të mbatha me lëkurë të butë, të mbështolla me li e të mbulova me mëndafsh. 11Të stolisa me stoli, të vura rrathë në duar e një varg rreth gushës. 12Të vura unazë në hundë, vathë në veshë dhe një kurorë të bukur mbi kokë. 13E ti u stolise me ar e me argjend, ndërsa rrobat i kishe prej liri të zgjedhur e prej mëndafshi, me qëndisma larushore. U ushqeve me majë mielli, me mjaltë e me vaj, u bëre e bukur shumë e më shumë dhe arrite të bëheshe mbretërore. 14Të doli emri ndër kombe për bukurinë e përsosur, falë shkëlqimit që të kisha dhënë, kumton Zoti im, Zoti.
15Por ti i zure besë bukurisë sate dhe kurvërove në saje të bujës sate. E zbraze kurvërinë tënde me çdo kalimtar e u bëre e tija. 16I more petkat e tua, bëre për vete faltore larushe dhe kurvërove në to, gjë që nuk duhet të ndodhë e nuk duhet të bëhet. 17More edhe stolitë e bukura prej arit e argjendit tim, që t'i kisha dhënë, dhe bëre për vete shëmbëllime meshkujsh e kurvërove me to. 18More edhe qëndismat larushore për t'i mbuluar dhe shtrove para tyre vajin tim e temjanin tim. 19Edhe bukën time që të kisha dhënë, se të kam ushqyer me majë mielli, me vaj e me mjaltë, ua shtrove para, si erë të këndshme, kumton Zoti im, Zoti. 20More bijtë e bijat, që m'i pate lindur, dhe ua flijove atyre për ushqim. Mos vallë çikërrimë qe kurvëria jote? 21I there bijtë e mi dhe i dorëzove, duke ua kushtuar atyre. 22Me gjithë pështirësitë e të gjitha kurvëritë e tua, nuk t'u kujtua koha e rinisë sate, kur ishe lakuriq, duke u përpëlitur në gjak.
23Vaj, vaj për ty, kumton Zoti im, Zoti, pas gjithë ligësisë sate, 24bëre për vete strehë e faltore në çdo shesh. 25Në krye të çdo rruge e ndërtove faltoren tënde dhe e fëlliqe bukurinë tënde, duke i hapur këmbët për çdo kalimtar e duke i shtuar kurvëritë e tua. 26Kurvërove me bijtë e Egjiptit, fqinjët tuaj të bëshëm, dhe i shtove kurvëritë e tua për të më zemëruar. 27Por, ja, unë shtriva dorën kundër teje, ta rrallova ushqimin e caktuar e të lashë në mëshirë të urrejtëseve të tua, bijave të filistinëve, që u vinte turp prej sjelljes sate të shthurur. 28Kurvërove edhe me bijtë e Asirisë, se nuk pate të ngopur. Kurvërove me ta e nuk pate të ngopur. 29Edhe me tregtarët e kaldenjve e shumove kurvërinë, por as kështu nuk u ngope.
30Sa të ligur e pate zemrën, kumton Zoti im, Zoti, kur i bëje të gjitha këto, bëma të një gruaje të përdalë e të pacipë, 31kur e ndërtoje strehën në krye të çdo rruge dhe e ngrije faltoren në çdo shesh. Veçse nuk ishe si lavire, se e përçmoje shpërblimin, 32por grua e përdalë që merr një të huaj në vend të burrit të vet. 33Çdo lavireje ia japin ndonjë dhuratë, por ti u jepje dhurata tërë dashnorëve të tu e i paguaje të vinin te ti nga çdo anë për të kurvëruar me ty. 34Në kurvërinë tënde, ti bëre të kundërtën e grave të tjera. Askush nuk të shtyu të kurvëroje, por ti jepje shpërblimin, ndërsa ty nuk të jepej shpërblim e kështu bëje të kundërtën.
35Prandaj, o lavire, dëgjoje fjalën e Zotit. 36Kështu thotë Zoti im, Zoti: pasi i shfryve epshet e tua dhe e zbulove lakuriqësinë tënde, duke kurvëruar me dashnorët e tu e me të gjithë idhujt e tu të pështirë dhe për shkak të gjakut të bijve të tu që ua fale atyre, 37për këtë, ja, do t'i mbledh dashnorët e tu, me të cilët harboheshe, me të gjithë ata që ke dashur e ke urryer, do t'i mbledh nga çdo anë kundër teje, do t'ua zbuloj lakuriqësinë tënde dhe ata do ta shohin tërë lakuriqësinë tënde. 38Do të të gjykoj siç gjykohen kurorëshkelëset dhe gjakderdhëset. Do të të gjakos, prej zemërimit e smirës. 39Do të të lë në dorë të tyre dhe ata do ta shembin strehën tënde e do ta rrëzojnë faltoren tënde, do të t'i zhveshin petkat, do të t'i heqin stolitë e shkëlqyeshme e do të të lënë lakuriq e cullak. 40Do të ngrenë kundër teje një lukuni, do të të vrasin me gurë e do të të copëtojnë me shpata. 41Do të t'i djegin shtëpitë me zjarr e do të të bëjnë gjyq në sytë e një morie grash. Do të të largoj nga kurvëria e nuk do të japësh më shpërblim. 42Pasi të më jetë fashitur zemërimi kundër teje, nuk do të kem më smirë për ty, do të qetësohem e nuk do të hidhërohem më. 43Meqë nuk i solle ndër mend ditët e rinisë sate dhe më zemërove me këto gjëra, ja, edhe unë t'i hodha kokës sjelljet e tua, kumton Zoti im, Zoti, e ti nuk do të bësh ndyrësi mbi pështirësi.
44Ja, të gjithë fjalëurtët do të thonë për ty: “Si e ëma, ashtu e bija”. 45Ti je bija e nënës sate që e përbuzi burrin e bijtë. Ti je motra e motrave të tua që i përbuzën burrat e bijtë. Nëna juaj ishte hitite dhe ati juaj amorit. 46Motra jote e madhe është Samaria që banonte me bijat e veta në të majtën tënde. Motra jote e vogël banonte në të djathtën tënde: Sodoma me bijat e veta. 47Jo vetëm që u solle si u sollën ato e bëre të njëjtat pështirësi si ato, por për pak kohë u bëre më e shthurur se ato në të gjitha sjelljet. 48Pasha jetën time, kumton Zoti im, Zoti, motra jote Sodoma e bijat e saj nuk kanë bërë çfarë ke bërë ti e bijat e tua. 49Ja, kjo qe ligësia e motrës sate, Sodomës: mburrje, grykësi e plogështi përtace i përkisnin asaj e bijave të saj. Nuk i dhanë një dorë skamnorit e nevojtarit. 50U krekosën e bënë pështirësi para meje, prandaj i zhbiva sapo i pashë. 51Samaria nuk ka mëkatuar as sa gjysma e mëkateve të tua. Ti ke bërë pështirësi më shumë se ato. Me tërë pështirësitë e tua, i bëre të duken të drejta motrat e tua. 52Mbaje poshtërimin tënd edhe ti, që u dole zot motrave të tua, se, me mëkatet e pështirësitë që bëre më shumë se ato, ato dalin më të drejta se ti. Mbaje turpin edhe ti dhe mbaje poshtërimin tënd, se i nxore të drejta motrat e tua.
53Por unë do t'ua kthej mbarësinë#16.53 ose: robërit, mbarësinë e Sodomës dhe të bijave të saj, mbarësinë e Samarisë dhe të bijave të saj. Do të kthej edhe mbarësinë tuaj mes tyre, 54që ti të marrësh mbi vete poshtërimin e turpin për çfarë ke bërë e të kthehesh në ngushëllim për to. 55Motra jote Sodoma me bijat e saj do të kthehen në gjendjen e mëparshme. Samaria me bijat e saj do të kthehen në gjendjen e mëparshme. Edhe ti e bijat e tua do të ktheheni në gjendjen e mëparshme. 56A nuk e kishte kthyer në rrëfenjë goja jote Sodomën, motrën tënde, në kohën kur mburreshe, 57para se të zbulohej lakuriqësia jote? Tani ti u bëre tallje për bijat e Sirisë e tërë atyre përreth saj, për bijat e filistinëve që të përqeshin gjithandej. 58Ti mbart mbi vete shthurjen tënde dhe pështirësitë e tua, kumton Zoti.
59Se kështu thotë Zoti im, Zoti: do të veproj me ty siç veprove ti, ti që e përçmove betimin, duke e thyer besëlidhjen. 60Por unë do të kujtohem për besëlidhjen që bëra me ty në ditët e rinisë sate. Do të bëj me ty një besëlidhje të amshuar. 61Atëherë do t'i kujtosh sjelljet e tua e do të turpërohesh, kur të pranosh motrat e mëdhaja e të vogla. Ato do të t'i jap për bija, por jo në saje të besëlidhjes me ty. 62Do të vendos besëlidhjen time me ty e ti do ta marrësh vesh se unë jam Zoti, 63me qëllim që të kujtohesh e të turpërohesh dhe të mos e hapësh më gojën prej poshtërimit, kur të të përdëllej për gjithçka ke bërë, kumton Zoti im, Zoti».

Aktualisht i përzgjedhur:

Ezekieli 16: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr