Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 28

28
Rrobat e priftërinjve
1«Thirr prej izraelitëve Aronin, vëllanë tënd, bashkë me Nadabin, Abihuin, Eleazarin dhe Itamarin, bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj. 2Puno rroba të shenjta për Aronin, vëllanë tënd, që të jenë të hijshme e plot madhështi. 3Fol me tërë mjeshtrat, të cilët i kam mbushur me shpirtin e urtisë, që të bëjnë rrobat e Aronit kur të shenjtërohet si prift për mua. 4Këto janë rrobat që do të bëjnë: një parzmore, një efod, një petk, një tunikë të thurur, një kësulë dhe një brez. Të bëjnë rroba të shenjta për Aronin, vëllanë tënd, dhe për bijtë e tij, që të më shërbejnë si priftërinj. 5Mjeshtrat të përdorin ar, pëlhurë liri dhe fije me ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur.
Efodi
6Efodin bëje me ar dhe me pëlhurë liri të tjerrë hollë, të qëndisur mjeshtërisht me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 7Të ketë dy supore të lidhura në të dyja anët. 8Rripi mbi efod të punohet nga e njëjta copë dhe ashtu si efodi, të punohet me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 9Merr dy gurë oniksi dhe gdhend në ta emrat e bijve të Izraelit. 10Gdhendi sipas moshës, gjashtë emra në njërin gur dhe gjashtë në gurin tjetër. 11Gdhendi mjeshtërisht emrat e bijve të Izraelit në të dy gurët dhe përshkoji me filigran të artë. 12Vendosi të dy gurët mbi suporet e efodit që të jenë si përkujtimore për bijtë e Izraelit. Kështu Aroni do t'i mbartë emrat e bijve të Izraelit mbi të dyja suporet si përkujtimore para Zotit. 13Puno filigran të artë 14dhe dy varëse me ar të pastër. Varëset të jenë të thurura me njëra-tjetrën dhe të mbërthehen me filigranët e artë.
Parzmorja
15Qëndise parzmoren e gjykimit me mjeshtëri siç qëndise edhe efodin. Punoje me ar, me pëlhurë liri të tjerrë hollë dhe me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. 16Të jetë e palosur më dysh dhe katrore, një pëllëmbë e gjatë e një pëllëmbë e gjerë. 17Në të vër katër radhë me gurë të çmuar. Në radhën e parë vër rubin, topaz dhe smerald. 18Në radhën e dytë vër granat, safir dhe diamant. 19Në radhën e tretë vër hiacint, kalcedon dhe ametist. 20Në radhën e katërt vër topaz, oniks dhe diaspër. Gurët e çmuar të mbërthehen në filigran të artë. 21Gjithsej dymbëdhjetë gurë të çmuar sipas bijve të Izraelit. Emri i çdo fisi të gdhendet mbi çdo gur. 22Parzmores bëji varëse të gërshetuara prej ari të pastër. 23Bëj dy rrathë të artë dhe vendosi në të dyja anët e parzmores. 24Në to mbërthe të dyja varëset e arta. 25Dy anët e tjera të varëseve mbërtheji te dy filigranët dhe lidhi me suporet e efodit me krah përpara. 26Bëj dy rrathë të artë dhe vendosi në të dyja cepat e parzmores, në anën e brendshme të saj, përballë efodit. 27Bëj edhe dy rrathë të tjerë të artë dhe vendosi përpara efodit, në fund të suporeve, pranë vendit ku ato puqen, sipër rripit të efodit. 28Lidhi rrathët e parzmores me ato të efodit me një shirit ngjyrë vjollcë, që parzmorja të jetë sipër rripit dhe të mos lëvizë prej efodit. 29Kështu, kur të hyjë në shenjtërore, Aroni do të mbartë në zemër emrat e bijve të Izraelit të gdhendur në parzmoren e gjykimit si një përkujtimore të përhershme para Zotit. 30Brenda parzmores së gjykimit vendos Urimët e Tumimët, që Aroni t'i ketë në zemër kur të dalë para Zotit. Kështu, ai do të mbartë përherë në zemër mjetet për t'u shpallur vendime bijve të Izraelit në prani të Zotit.
Petku
31Petkun poshtë efodit punoje të tërin me pëlhurë ngjyrë vjollcë. 32Në mes hapi një grykë për të futur kokën. Qepi një buzë përreth porsi jakë, që të mos griset. 33Puno shegë me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur dhe vari rreth e qark fundit të petkut. Vër këmbanëza të arta ndërmjet. 34Vari me radhë, një këmbanëz të artë, një shegë, rreth e qark fundit të petkut. 35Aroni ta veshë gjatë shërbesës, që kur të hyjë në shenjtërore, para Zotit, dhe të dalë prej saj, këmbanëzat të kumbojnë dhe ai të mos vdesë.
36Puno një pllakëz me ar të pastër dhe në të gdhend: “I shenjti i Zotit”. 37Lidhe para kësulës me një shirit ngjyrë vjollcë. 38Do të jetë mbi ballin e Aronit, që ai të mbartë fajin e izraelitëve kur të kushtojnë dhuratat e shenjta. Do ta ketë përherë në ballë, që ato të pranohen para Zotit.
Tunika dhe rroba të tjera
39Tunikën e kësulën punoje prej liri, ndërsa brezin qëndise. 40Bëj tunika, breza dhe kësulëza për bijtë e Aronit që të jenë të hijshme e plot madhështi. 41Vishja rrobat Aronit, vëllait tënd, dhe bijve të tij. Vajosi, shuguroji dhe shenjtëroji që të më shërbejnë si priftërinj.
42Bëju mbathje të linjta që të mbulojnë lakuriqësinë që nga mesi deri te kofshët. 43Kur të shkojnë në tendën e takimit ose kur t'i afrohen altarit për të shërbyer në shenjtërore, Aroni e bijtë e tij t'i veshin që të mos bien në faj e të vdesin. Ky të jetë një rregull i përhershëm për Aronin dhe pasardhësit e tij».

Aktualisht i përzgjedhur:

Dalja 28: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr