Dalja 27
27
Altari
1«Puno një altar me dru akacieje. Altari të jetë katror, pesë kute i gjatë, pesë kute i gjerë dhe tri kute i lartë. 2Në të katër këndet e altarit puno nga një bri. Ata të jenë një me altarin dhe të veshur me bronz. 3Rrethjet për të mbledhur hirin, terplotet, legenët, pirunët, kacitë dhe tërë enët e altarit bëji prej bronzi. 4Bëj një skarë prej bronzi. Bëj mbi të katër rrathë bronzi, një për çdo kënd. 5Vendose poshtë, nën buzën e altarit, që të jetë në mes. 6Bëj për altarin shufra me dru akacieje dhe vishi me bronz. 7Për ta mbartur shkoi shufrat nëpër rrathë në të dyja anët e altarit. 8Altarin bëje me dërrasa e lëre të zbrazët brenda. Bëje ashtu siç t'u tregua në mal.
Oborri i tendës
9Bëj një oborr për tendën. Krahu jugor i oborrit të rrethohet me njëqind kute pëlhurë liri të tjerrë hollë. 10Ai krah të ketë njëzet shtylla dhe baza bronzi. Ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat t'i ketë të argjendta. 11Po kaq i gjatë të jetë edhe krahu verior. Edhe ai të rrethohet me njëqind kute pëlhurë dhe me njëzet shtylla e baza bronzi. Ndërsa grremçat e shtyllave dhe shtizat t'i ketë të argjendta. 12Krahu perëndimor i oborrit të rrethohet me pesëdhjetë kute pëlhurë dhe me dhjetë shtylla e baza. 13Edhe krahu lindor të jetë pesëdhjetë kute i gjatë. 14Ky krah të ketë pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në njërën anë të hyrjes 15dhe pesëmbëdhjetë kute pëlhurë me tri shtylla e baza në anën tjetër të hyrjes. 16Në hyrje të oborrit të bëhet një perde njëzet kute e gjatë. Ajo të punohet prej liri të tjerrë hollë dhe të qëndiset me fije ngjyrë vjollcë, të purpurt e të kuqe të ndezur. Për të, të bëhen katër shtylla e baza. 17Tërë shtyllat përreth oborrit të mbërthehen me shtiza të argjendta. Grremçat t'i kenë prej argjendi, ndërsa bazat prej bronzi. 18Oborri të jetë njëqind kute i gjatë, pesëdhjetë kute i gjerë dhe pesë kute i lartë. Të rrethohet prej liri të tjerrë hollë dhe të ketë shtylla prej bronzi. 19Tërë sendet e tjera të tendës, tërë kunjat e tendës dhe të oborrit të jenë prej bronzi.
Vaji për shandanin
20Urdhëroji izraelitët të të sjellin vaj të pastër ulliri të shtrydhur, që llamba e shandanit të jetë e ndezur përherë. 21Aroni e bijtë e tij do ta mbajnë ndezur para Zotit nga mbrëmja në mëngjes në tendën e takimit, para velit që ndan dëshminë. Ky do të jetë një rregull i përhershëm për tërë breznitë e Izraelit».
Aktualisht i përzgjedhur:
Dalja 27: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020