Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 29

29
Shugurimi i Aronit
1«Kështu do t'i shenjtërosh që të më shërbejnë si priftërinj: merr një mëzat dhe dy desh të patëmetë. 2Merr bukë, kuleç e pite të lyera me vaj. Të përgatiten me miell të bardhë, por të jenë të ndorme. 3Vendosi në një shportë dhe paraqiti bashkë me mëzatin dhe me dy deshtë. 4Paraqite Aronin me bijtë e tij te hyrja e tendës së takimit dhe laji me ujë. 5Pastaj merri rrobat dhe vishja Aronit tunikën, petkun, efodin e parzmoren. Mbërtheje me rripin e efodit, 6vëri kësulën mbi kokë dhe kurorën e shenjtë vendose mbi të. 7Merre vajin e vajosjes dhe derdhja mbi kokë, që ta vajosësh. 8Afroji edhe bijtë e tij dhe vishua tunikat, 9lidhua brezin, si Aronit, edhe bijve të tij, e vërua kësulëzat. Priftëria do të jetë e tyrja. Ky është rregull i përhershëm. Shuguro Aronin e bijtë e tij.
10Pastaj sille mëzatin para tendës së takimit dhe Aroni me bijtë e tij të vënë duart mbi kokën e mëzatit. 11There në prani të Zotit, në hyrje të tendës së takimit. 12Merre gjakun dhe lyej me gisht brirët e altarit. Pjesën tjetër të gjakut derdhe në rrëzë të altarit. 13Merre tërë dhjamin e të përbrendshmeve, rizën e mëlçisë, dy veshkat me gjithë dhjamë e shkrumboji mbi altar. 14Ndërsa mishin, lëkurën e rropullitë digji në zjarr jashtë fushimit. Kjo është fli për mëkatin.
15Pastaj merre njërin dash dhe Aroni me bijtë e tij të vënë duart mbi kokën e dashit. 16There, merr gjakun dhe spërkat altarin rreth e qark. 17Prije dashin copa-copa. Laja të brendshmet e këmbët dhe vendosi mbi copat e mishit dhe mbi kokën. 18Shkrumboje mbi altar. Kjo është fli shkrumbimi për Zotin, fli erëkëndshme zjarri për Zotin.
19Pastaj merr dashin tjetër dhe Aroni me bijtë e tij të vënë duart mbi kokën e dashit. 20There, merr gjakun dhe lyej bulën e veshit të djathtë të Aronit e të bijve të tij, gishtin e madh të dorës së djathtë dhe gishtin e madh të këmbës së djathtë. Me pjesën tjetër të gjakut spërkat rreth e qark altarin. 21Pastaj merr nga gjaku në altar e nga vaji për vajosje dhe stërpik Aronin e rrobat e tij bashkë me të bijtë e rrobat e tyre. Kështu, ai dhe rrobat e tij bashkë me të bijtë dhe rrobat e tyre, do të shenjtërohen.
22Merre dhjamin e dashit, bishtin e dhjamosur, dhjamin e të përbrendshmeve, rizën e mëlçisë, dy veshkat me gjithë dhjamë dhe kofshën e djathtë, sepse ky është dash për shugurim. 23Merr një bukë të rrumbullakët, një kulaç me vaj dhe një pite nga shporta e bukëve të ndorme që është në prani të Zotit. 24Vendosi të tëra këto në duart e Aronit dhe të bijve të tij dhe ngriji lart si fli lartësimi para Zotit. 25Pastaj merri prej tyre dhe shkrumboji në altar si fli shkrumbimi që të jenë si erë e këndshme para Zotit. Kjo është fli zjarri për Zotin.
26Merre gjoksin e dashit që kushtohet për shugurimin e Aronit dhe ngrije lart si fli lartësimi para Zoti. Kjo pjesë të takon ty. 27Shenjtëroji pjesët e dashit të shugurimit që i përkasin Aronit e bijve të tij, gjoksin që kushtohet si fli lartësimi dhe kofshën që kushtohet duke u ngritur lart. 28Këto pjesë do t'i përkasin përherë Aronit e bijve të tij, sepse janë fli lartësimi. Pjesët do të merren prej flijimeve të paqtimit të izraelitëve si dhuratë kushtuar Zotit. 29Rrobat e shenjta të Aronit do t'u takojnë bijve të tij, që ata të vajosen dhe shugurohen me to. 30I biri që do ta zëvendësojë, ai që do të hyjë në tendën e takimit për të shërbyer në shenjtërore, do t'i veshë për shtatë ditë.
31Merre dashin e shugurimit dhe zieje në një vend të shenjtë. 32Aroni me bijtë e tij do ta hanë mishin e dashit dhe bukën e shportës te hyrja e tendës së takimit. 33Prej tyre do të hanë vetëm ata për të cilët është bërë flija e shlyerjes së mëkatit për vajosje dhe shugurim. Askush tjetër nuk do të hajë prej tyre, sepse ato janë të shenjta. 34Nëse, deri në mëngjes, tepron diçka prej mishit të shugurimit dhe prej bukës, digje në zjarr. Mos e hani, sepse është e shenjtë.
35Vepro me Aronin e bijtë e tij ashtu siç të urdhërova. Shuguroji për shtatë ditë. 36Flijo përditë nga një mëzat si fli për mëkatin, për shlyerjen e tyre. Flijo edhe një fli për të shlyer mëkatin e altarit dhe vajose që ta shenjtërosh. 37Për shtatë ditë kushto fli për shlyerjen e mëkatit të altarit që ta shenjtërosh. Kështu, altari do të bëhet tejet i shenjtë dhe kushdo që e prek do të shenjtërohet.
Flijimet e përditshme
38Ja çfarë do të kushtosh përherë mbi altar: nga dy qengja motakë përditë. 39Njërin kushtoje në mëngjes e tjetrin në mbrëmje. 40Bashkë me qengjin e parë kushto një kilogram majë mielli përzier me një litër vaj të shtrydhur dhe një litër verë si fli stërpikjeje. 41Qengjin e dytë kushtoje në mbrëmje e bashkë me të kushto të njëjta fli drithi e stërpikjeje si ato të mëngjesit, që të jetë një fli erëkëndshme zjarri për Zotin. 42Kjo do të jetë një fli shkrumbimi e përhershme, brez pas brezi, që kushtohet te hyrja e tendës së takimit, në prani të Zotit, atje ku unë do të të takoj për të folur me ty. 43Atje do të takoj izraelitët dhe vendi do të shenjtërohet me lavdinë time. 44Do ta shenjtëroj tendën e takimit dhe altarin. Aronin e bijtë e tij do t'i shenjtëroj që të më shërbejnë si priftërinj. 45Do të banoj mes izraelitëve dhe do të jem Perëndia i tyre. 46Kështu, ata do ta dinë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i nxori nga toka e Egjiptit, që të banoj mes tyre. Unë jam Zoti, Perëndia i tyre».

Aktualisht i përzgjedhur:

Dalja 29: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr