Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ligji i përtërirë 28

28
Bekimet
1«Nëse vërtet e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe i mban e i zbaton të gjitha urdhërimet e tij, që unë po të urdhëroj sot, Zoti, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi çdo komb në tokë. 2Nëse e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd, do të të mbulojnë e do të të përcjellin të gjitha këto bekime:
3i bekuar do të jesh në qytet e i bekuar në fushë.
4I bekuar do të jetë fryti i barkut tënd, i dheut e i kafshëve të tua, pjella e qeve dhe të vegjlit e dhenve.
5E bekuar do të jetë shporta dhe magjja jote.
6I bekuar do të jesh kur të mbërrish e i bekuar kur të nisesh.
7 Zoti do t'i mundë armiqtë që ngrihen kundër teje. Nga një rrugë e vetme do të vijnë te ti, por nëpër shtatë rrugë do t'ia mbathin prej teje. 8Zoti do ta dërgojë bekimin e tij mbi drithnikët e tu dhe gjithë punët e tua. Ai do të të bekojë në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt. 9Zoti do të të bëjë popullin e tij të shenjtë, siç të premtoi, nëse i mban urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, dhe ecën udhës së tij. 10Mbarë popujt e tokës do të shohin se thirresh me emrin e Zotit e do të të kenë frikë. 11Zoti do të ta shtojë mirë frytin e barkut, të kafshëve dhe të dheut, në tokën për të cilën Zoti iu betua etërve të tu se do të ta jepte ty. 12Zoti do të ta hapë visarin e tij të begatshëm, qiellin, për t'i dhënë shiun e duhur tokës tënde e për të bekuar çdo punë të duarve të tua. Do t'u japësh hua shumë kombeve, ndërsa vetë nuk do të marrësh hua. 13Zoti do të të vërë në krye e jo në fund, do të ngrihesh vetëm lart e nuk do të biesh poshtë, nëse i dëgjon urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, të cilat unë po të urdhëroj sot, që t'i mbash e t'i zbatosh. 14Mos u shmang as majtas, as djathtas nga të gjitha fjalët që të urdhërova sot e mos ndiq e mos u shërbe perëndive të tjerë.
Mallkimet
15Nëse nuk e dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd, dhe nuk i mban e nuk i zbaton të gjitha urdhërimet dhe rregullat e tij, të cilat unë po t'i urdhëroj sot, do të të mbulojnë e përcjellin të gjitha këto mallkime:
16i mallkuar do të jesh në qytet e i mallkuar në fushë.
17E mallkuar do të jetë shporta dhe magjja jote.
18I mallkuar do të jetë fryti i barkut tënd e i fushës, pjella e qeve dhe të vegjlit e dhenve të tu.
19I mallkuar do të jesh kur të mbërrish e i mallkuar kur të nisesh.
20 Zoti do të lëshojë mbi ty e mbi çdo vepër të duarve të tua mallkim, çoroditje e mbrapshti. Kështu do të shkatërrohesh e zhbihesh me të shpejtë, për shkak të ligësisë që bëre kur më harrove. 21Zoti do të bëjë që murtaja të të qepet derisa të zhdukesh nga vendi në të cilin po hyn për ta pushtuar. 22Zoti do të të godasë me shfarosje, ethe e mahisje, me nxehtësi e thatësirë, me urth e vrug derisa të zhbihesh. 23Qielli mbi kokë do të të bëhet bronz e toka nën këmbë, hekur. 24Zoti do të ta kthejë shiun që bie mbi tokë në pluhur e hi. Do të bjerë prej qiellit derisa të shkatërrohesh.
25 Zoti do të të dorëzojë para armiqve. Nga një rrugë e vetme do të dalësh kundër tyre, por nëpër shtatë rrugë do t'ua mbathësh prej tyre. Tërë mbretëritë e tokës do të llahtarisen kur të shohin çfarë të ka ndodhur. 26Kufoma jote do të jetë ushqim për shpendët e qiellit dhe egërsirat e tokës e askush s'do të mbesë që t'i dëbojë. 27Zoti do të të godasë me çibanët e Egjiptit, me lyth, zgjebe, e puçrra, që nuk kanë shërim. 28Zoti do të të godasë me marrëzi, verbëri e çoroditje. 29Do të endesh kuturu në mes të ditës, siç endet i verbri në errësirë dhe nuk do gjesh mbarësi udhës tënde. Do të shfrytëzohesh e zhvatesh përherë, gjatë gjithë jetës e s'do të ketë kush të të shpëtojë. 30Grua do të marrësh, por me të një burrë tjetër do të flejë. Shtëpi do të ndërtosh, por në të nuk do të banosh. Vreshta do të mbjellësh, por nuk do t'i vjelësh dot. 31Kau do të të theret para syve, por prej tij nuk do të hash gjë. Gomari do të të vidhet para teje, por nuk do të të kthehet. Delja do t'i jepet armikut, por s'do të ketë kush të të shpëtojë. 32Bijtë e bijat do të shohësh tek i jepen një populli tjetër. Do të të marrë malli për ta tërë jetën, por s'do të kesh ç'të bësh. 33Frytin e tokës e të punës do të ta hajë një popull që nuk e njeh. Do të shfrytëzohesh e shtypesh përherë, gjatë gjithë jetës. 34Do të luash mendsh prej mjerimit që do të të shohin sytë. 35Zoti do të të godasë në gjunjë e në këmbë me çibanë të ligj që nuk kanë shërim. Ato do të përhapen prej shputës së këmbës deri në majë të kokës. 36Zoti do të të çojë ty dhe mbretin që ke vënë në krye, te një komb që nuk njihet prej teje dhe etërve të tu. Atje do t'u shërbesh perëndive të tjerë prej druri e guri. 37Do të bëhesh mynxyrë, përrallë e tallje për të gjithë popujt mes të cilëve Zoti do të të zbojë.
38Do të mbjellësh shumë, por pak do të mbledhësh, sepse do t'i përpijë karkaleci. 39Do të mbjellësh e do të punosh vreshta, por verë nuk do të pish dhe asgjë nuk do të vjelësh, sepse do t'i hajë krimbi. 40Do të kesh ullinj anekënd, por nuk do të lyhesh me vaj, sepse kokrrat e ullirit do të bien të papjekura. 41Do të të lindin bij e bija, por nuk do t'i gëzosh, sepse do të të merren rob. 42Karkalecat do të t'i mbulojnë tërë pemët e frytet e tokës. 43I ardhuri mes teje do të lartësohet lart e më lart, ndërsa ti do të biesh poshtë e më poshtë. 44Ai do të të japë hua, ndërsa ti s'do t'i japësh dot. Ai do të jetë në krye e ti në fund.
45Të gjitha këto mallkime do të të mbulojnë, do të të ndjekin pas e do të të zënë derisa të marrësh fund, sepse nuk e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd, e nuk i mbajte urdhërimet e rregullat e tij që të urdhërova. 46Këto mallkime do të jenë për ty e për pasardhësit e tu një shenjë e përhershme emnese.
47Nuk i shërbeve Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim e me zemër të çiltër në të gjitha begatitë, 48prandaj do t'i shërbesh armikut që do të dërgojë Zoti kundër teje, në uri, në etje, në lakuriqësi e në çdo lloj nevoje. Ai do të të vërë në qafë një zgjedhë të hekurt derisa të të shkatërrojë. 49Zoti do të ngrejë kundër teje një komb të largët, nga skajet e tokës, që sulet porsi shqiponjë, një komb, gjuhën e të cilit nuk e ke dëgjuar, 50një komb fytyrëvrazhdë, që s'nderon plak e s'mëshiron të ri. 51Ai do ta hajë frytin e kafshëve e të tokës sate derisa të shkatërrohesh. Nuk do të të lërë as drithë, as verë, as vaj, as viç e as qengj derisa të të zhbijë. 52Do të t'i rrethojë të gjitha qytetet derisa të bien anekënd vendit muret e larta e të fortifikuara, në të cilat ke besim. Do të të rrethojë çdo qytet në tokën që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë. 53Gjatë rrethimit e mjerimit, me të cilin do të të mbërthejë armiku, do të hash frytin e barkut tënd, mishin e bijve dhe bijave, që të ka dhënë Zoti, Perëndia yt. 54Edhe burri më i butë, më i sjellshmi mes teje, do ta shohë me smirë të vëllanë, të shoqen e dashur e fëmijët që i kanë mbetur. 55Ai nuk do t'i japë askujt prej mishit të bijve që po ha, sepse nuk do t'i mbesë gjë, për shkak të rrethimit e mjerimit me të cilën armiku do t'i mbërthejë të gjitha qytetet e tua. 56Edhe gruaja më e butë, më e sjellshmja mes teje, që nuk prek as tokën me këmbë, do ta shohë me smirë të shoqin e dashur, bijtë e bijat, 57mbetjet e lindjes dhe fëmijët që lindi. Ajo do t'i hajë ato fshehurazi, për shkak të rrethimit e mjerimit me të cilin armiku do t'i mbërthejë të gjitha qytetet e tua.
58Nëse nuk i mban e nuk i zbaton të gjitha fjalët e këtij ligji të shkruar në këtë libër, nëse nuk i druhesh këtij emri të lavdishëm e të madhërishëm, Zotit, Perëndisë tënd, 59atëherë Zoti do të godasë ty dhe pasardhësit e tu me plagë të papara, plagë të tmerrshme e të përhershme, me sëmundje të liga e të pashërueshme. 60Do të lëshojë mbi ty çdo lëngatë të Egjiptit, që kishe frikë, dhe ato do të të qepen. 61Madje, Zoti, Perëndia yt, do të lëshojë mbi ty çdo sëmundje e plagë, që nuk janë shkruar në librin e këtij ligji, derisa të shkatërrohesh. 62Do të mbetesh me pak njerëz, edhe pse ishe i shumtë si yjet e qiellit, sepse nuk e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd. 63Sikurse Zoti gëzohej me ty, kur të bekonte me mirësi e begati, ashtu do të gëzohet Zoti, kur të të zhbijë e të të shkatërrojë. Do të çrrënjosesh nga toka ku po hyn për ta pushtuar. 64Zoti do të të shpërndajë nëpër popuj, anekënd tokës. Atje do t'u shërbesh perëndive të tjerë, që nuk njihen prej teje dhe etërve të tu, perëndi prej druri e guri. 65Kur të jesh mes këtyre kombeve, nuk do të gjesh çlodhje, as pushim për këmbët e tua. Zoti do të të japë atje një zemër të mpakur, sy të trishtë e shpirt të brengosur. 66Jeta do të të varet në fije. Do të trembesh natë e ditë e jetën nuk do ta kesh të sigurt. 67Në mëngjes do të thuash: “Ah, sikur të ishte mbrëmje!” e në mbrëmje: “Ah, sikur të ishte mëngjes!”, për shkak të tmerrit që të ndien zemra e të llahtarisë që të shohin sytë. 68Zoti do të bëjë të kthehesh me anije në Egjipt, udhës për të cilën të thashë: “Kurrë nuk do ta shohësh më!”. Atje do ta shisni veten si skllevër e skllave për armiqtë, por askush s'do t'ju blejë».
69 # 28.69 të tjerë e rendisin si 29.1 Këto janë fjalët e besëlidhjes që i urdhëroi Zoti Moisiut të lidhte me izraelitët, kur ishin në tokën e Moabit, përveç besëlidhjes që lidhi me ta në Horeb.

Aktualisht i përzgjedhur:

Ligji i përtërirë 28: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë