Ligji i përtërirë 27
27
Gurët e ligjit
1Moisiu dhe pleqtë e Izraelit e urdhëruan popullin: «Mbaji të gjitha urdhërimet që të urdhërova sot. 2Ditën kur të kalosh përtej Jordanit, në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, vër dy gurë të mëdhenj e zbardhi me gëlqere. 3Shkruaj mbi to çdo fjalë të këtij ligji kur të kalosh përtej e të hysh në tokën që po të jep Zoti, Perëndia yt, tokën ku rrjedh qumësht e mjaltë, siç të premtoi Zoti, Perëndia i etërve të tu. 4Kur të kaloni përtej Jordanit, vërini këto gurë siç po ju urdhëroj sot, në malin Ebal dhe zbardhini me gëlqere. 5Atje ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd. Altari të jetë prej guri e të mos punohet me vegël hekuri. 6Gurët e altarit të Zotit, Perëndisë tënd, të jenë të palatuar. Kushto mbi to fli shkrumbimi për Zotin, Perëndinë tënd. 7Kushto edhe fli paqtimi, haji aty e festo para Zotit, Perëndisë tënd. 8Shkruaj mirë e qartë mbi gurë çdo fjalë të këtij ligji».
9Pastaj Moisiu e priftërinjtë levitë i thanë mbarë Izraelit: «Hesht e dëgjo, o Izrael. Sot u bëre populli i Zotit, Perëndisë tënd. 10Dëgjoje zërin e Zotit, Perëndisë tënd. Mbaji urdhërimet e rregullat e tij që unë po të urdhëroj sot».
Mallkimet
11Atë ditë Moisiu e urdhëroi popullin e i tha: 12«Kur të kaloni përtej Jordanit, këto janë fiset që do të qëndrojnë në malin Gerizim për të bekuar popullin: Simeoni, Levi, Juda, Isahari, Jozefi e Benjamini. 13Këto janë fiset që do të qëndrojnë në malin Ebal për të mallkuar: Rubeni, Gadi, Asheri, Zabuloni, Dani e Neftaliu. 14Levitët do t'u shpallin me zë të lart mbarë burrave të Izraelit:
15“Mallkuar qoftë ai që bën fshehurazi idhuj të gdhendur apo të metaltë. Kjo vepër e duarve të mjeshtrit i neveritet Zotit”. Atëherë tërë populli të përgjigjet e të thotë: “Amen!”.
16“Mallkuar qoftë ai që e përbuz të atin e të ëmën”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
17“Mallkuar qoftë ai që lëviz kufijtë e të afërtit”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
18“Mallkuar qoftë ai që e çon të verbrin në rrugë të gabuar”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
19“Mallkuar qoftë ai që shkel të drejtën e të ardhurit, të jetimit e të vesë”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
20“Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me gruan e të atit dhe kështu e turpëron të atin”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
21“Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me ndonjë kafshë”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
22“Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me të motrën, nga i ati apo nga e ëma”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
23“Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me të vjehrrën”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
24“Mallkuar qoftë ai që godet fshehurazi të afërtin”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
25“Mallkuar qoftë ai që merr mitë, për të derdhur gjak të pafajshëm”. Tërë populli të thotë: “Amen!”.
26“Mallkuar qoftë ai që nuk i mban e nuk zbaton fjalët e këtij ligji”. Tërë populli të thotë: “Amen!”».
Aktualisht i përzgjedhur:
Ligji i përtërirë 27: AL1
Thekso
Ndaje
Copy
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020