Mateu 26
26
Shestimi kundër Jezusit
1Kur Jezusi i kreu të gjitha këto fjalë, u tha nxanësve të vet: 2«Ju e dini se mbas dy ditësh vijnë Pashkët dhe Biri i njeriut asht tue u dorëzue për me u kryqëzue».
3Atëherë kryepriftënt dhe pleqtë e popullit u mblodhën në tremen e pallatit të kryepriftit, që quhej Kajafa, 4e morën vendimin e përbashkët me e kapë Jezusin me dredhi, për ta vra. 5Por thonin: «Jo gjatë festës, që të mos ketë rropatje në popull».
Vojimi i Jezusit
6Kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të gërbulun, 7iu avit një grue, me një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme, dhe ia dikoi mbi krye, kur ai ishte në tryezë. 8Nxnësit e panë dhe u zemrëuen e thanë: «Pse gjithë kjo humbje? 9Mundte me u shitë shtrejtë, për me u dhanë të varfënve». 10Por Jezusi, tue e ditë, u tha: «Pse po i qitni punë kësa grueje? Vepër të bukur bani ajo për mue. 11Të varfnit i keni gjithmonë me ju, por mue nuk më keni gjithmonë. 12Tue dikue këtë mirrë mbi trupin tim, bani çka lypet për varrim. 13Vërtet po ju them, kudo të kumtohet ky ungjill, në mbarë botën, do të përflitet edhe çka bani ajo, në kujtim të saj».
Juda pajtohet për tradhti
14Atëherë, njeri prej të dymbëdhjetëve, i quejtuni Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftënt 15e u tha: «Çka doni me më dhanë e unë do t'jua dorëzoj?». E i caktuen tridhjetë monedha argjendi. 16Qysh atëherë kërkonte rastin e volitshëm për ta dorëzue.
Përgatitja e Pashkëve
17Ditën e parë të bukëve të pambrueme nxanësit iu afruen Jezusit e i thanë: «Ku dëshiron ta bajmë gati për ty darkën e Pashkëve?». 18Ai u tha: «Shkoni në qytet, te filani, e i thoni: “Mësuesi thotë: Koha ime asht afër. Te ti po i baj Pashkët, me nxanësit e mi”». 19Nxanësit vepruen si i urdhnoi Jezusi dhe përgatitën Pashkët
20Kur ra mbramja, u ul shtrue me të dymbëdhjetët. 21Kur ishin tue hangër, tha: «Vërtet po ju them, njeni prej jush do të më dorëzojë». 22Ata u trishtuen shumë e nisën tue e pyet, njeni mbas tjetrit: «Nuk jam unë, Zot?». 23Ai u përgjigj: «Ai që zhyti dorën në kupë me mue, ai do të më dorëzojë. 24Biri i njeriut po shkon, si asht shkrue për të, por mjerë ai njeri, prej të cilit po dorëzohet Biri i njeriut! Do t'i kishte pasë hije të mos kishte lindë ai njeri». 25Juda, ai që po e dorëzonte, ia ktheu: «Nuk jam unë, rabbi?». Ai i tha: «E the vetë».
Darka e Zotit
26Tue hangër, Jezusi mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha nxanësve e tha: «Merrni, hani, ky asht trupi im». 27Mandej mori kelkun, u falënderue e ua dha, tue thanë: «Pini prej tij të gjithë. 28Ky asht gjaku imi besëlidhjes, që derdhet për hir të shumtëve, për faljen e mëkateve. 29Por, po ju them, nuk do të pi ma, qysh tash, nga kjo dhunti i hardhisë, deri atë ditë, kur do ta pi me ju, të re, në mbretëninë e Atit tim».
30Dhe, mbasi kënduen himnin, dolën drejt Malit Ullijve.
Parashikimi i mohimit të Pjetrit
31Atëherë Jezusi u tha: «Të gjithë ju do të birreni prej meje këtë natë, sepse asht e shkrueme:
Do të godas bariun
e delet e grigjës do të turiten.
32Por, mbasi të ngjallem, do t'ju prij në Galile». 33Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të birren prej teje, unë nuk do të burrem kurrë». 34Jezusi i tha: «Vërtet po të them se, këtë natë, para se të këndojë gjeli, tri herë do të më shpërnjohësh». 35Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të shpërnjoh». Kështu thanë të gjithë nxanësit.
Lutja në Gjetseman
36Atëherë Jezusi me ta në një vend që quhet Gjetsemani e u tha nxanësve: «Uluni këtu, ndërsa unë po shkoj me u lutë atje». 37Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi me u trishtue e me u angështue. 38Mandej u tha: «Shpirti im asht i trishtuem deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuet me mua». 39Shkoi pak ma andej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, nëse asht e mundun, ma largo këtë kelk. Megjithatë, jo si due unë, por si të duesh ti».
40Erdhi te nxanësit dhe i gjeti fjetë. I tha Pjetrit: «Nuk ia dolët me ndejtë zgjuet me mue veç një orë? 41Rrini zgjuet e lutuni mos me hy në sprovë, se shpirti asht i vrullshëm, por mishi asht i dobët». 42Shkoi prap për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse ky kelk nuk mund të shmanget pa e pi, u baftë vullneti yt!».
43Kur u kthye, i gjeti prap fjetë, se u ishin randue sytë. 44I la sërish dhe shkoi e u lut për të tretën herë, tue thanë prap të njëjtat fjalë.
45Atëherë erdhi te nxanësit e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, u afrue ora e Biri i njeriut po u dorëzohet në duert e mëkatarëve. 46Çohuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më dorëzon».
Dorëzimi dhe kapja
47Ishte ende tue folë dhe, ja, erdhi Juda, njeni prej të dymbëdhjetëve, me një turmë të madhe, me shpata e shtaga, të dërguem nga kryepriftënt e pleqtë e popullit. 48Tradhtari u kishte dhanë këtë shenjë: «Kë të puth unë, ai asht. Atë kapni!». 49E menjëherë iu afrue Jezusit e i tha: «Të falem, rabbi!». Dhe e puthi. 50Jezusi i tha: «Shok, për këtë je këtu». Atëherë u afruen, vunë dorë mbi Jezusin dhe e kapën. 51Dhe ja, njeni prej atyne që ishin me Jezusin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i këputi veshin. 52Atëherë Jezusi i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet. Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin. 53A mendoni se nuk mundem me iu lutë Atit tim me më dërgue fill ma shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54Por, si do të plotësoheshin shkrimet, që thonë se kjo duhet të ndodhë?».
55Në atë kohë Jezusi u tha turmave: «Erdhët si për një cub, me më marrë me shpata e shtaga? Çdo ditë rrija tue mësue në tempull e nuk më kapët. 56Por gjithë kjo ndodhi që të plotësohen shkrimet e profetëve».
Atëherë të gjithë nxanësit e lanë e ikën.
Jezusi para sinedrit
57Ata që e kishin kapë, e çun te kryeprifti Kajafa, ku ishin mbledhë shkrestarët e pleqtë. 58Pjetri e ndoqi prej së largu deri te tremja i pallatit të kryepriftit. Hyni mbrenda dhe ul me shërbëtorët, me pa përfundimin.
59Kryepriftënt dhe krejt sinedri lypnin dëshmi të rreme kundër Jezusit, që ta vritnin, 60por s'gjetën gja, megjithëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Përfundimisht u paraqitën dy vetë 61e thanë: «Ky ka thanë: “Mundem me e shkatërrue tempullin e Hyut dhe me e ndërtue mbas tri ditësh”».
62U çue kryeprifti e tha: «Nuk përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?». 63Por Jezusi heshtte. Kryeprifti i tha: «Të përbej pash Hyun e gjallë me na thanë a je ti Krishti, Biri i Hyut?». 64Jezusi i tha: «Vetë e the. Megjithatë, po ju them
prej tashit
do ta shihni Birin e njeriut
ndejun në të djathtën
e Hyut së fuqishëm,
dhe tue ardhë mbi retë e qiellit».
65Atëherë kryeprifti shqeu petkat e tha: «Blasfemoi! Ç'na nevojitet me pasë dëshmitarë? Sapo e ndigjuet blasfeminë. 66Çka mendoni?». Ata u përgjigjën: «Meriton vdekjen». 67Atëherë filluen ta pështynin në fytyrë e ta rrihnin. Disa e gjuenin me shpulla 68e i thoshin: «Profetizo, o Krisht! Kush po të qëllon?».
Mohimi i Pjetrit
69Pjetri ishte ulë përjashta në treme. Iu afrue një shërbëtore e i tha: «Edhe ti ishe me Jezu Galileasin». 70Por ai e mohoi para të gjithëve e tha: «Nuk e di ç'po thue!». 71Kur po dilte drejt portikut, e vërejti një shërbëtore tjetër e u tha atyne që gjendeshin aty: «Ky ishte me Jezusin e Nazaretit». 72Por Pjetri e mohoi rishtas me be: «Nuk e njoh njeriun». 73Mbas pak, të pranishmit iu afruen Pjetrit e i thanë: «Vërtet je një prej tyne, se edhe e foljma të zbulon». 74Por Pjetri filloi me mallkue e me u betue: «Nuk e njoh njeriun».
Menjëherë këndoi gjeli 75e Pjetrit iu kujtuen fjalët e Jezusit, që i kishte thanë: «Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh». Doli jashtë e qau idhtë.
Currently Selected:
Mateu 26: DHRG
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania