Luka 1
1
Parathanie
1Tue qenë se shumë vetë janë pëpjekë me e renditë tregimin rreth veprave që u përkryen ndër ne, 2siç na i kanë dorëzue ata që i panë vetë e që u banë krahishtues të fjalës qysh prej zanafillës, 3ma mori mendja edhe mue, mbasi hulumtova çdo gja të kahershme me përpikmëni, me t'i përshkrue me rend, i përndritshmi Teofil, 4që të vetëdijësohesh për patundshmëninë e fjalës me të cilën je mësue.
Lajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzuesit
5Në kohën e Herodit, mbretit të Judesë, qëlloi një prift me emnin Zakaria, prej rendit të Abisë, që gruen e kishte prej bijave të Aronit, me emnin Elizabetë. 6Të dy ishin të drejtë para Hyut e silleshin paqortueshmënisht, në përkim me të gjitha ligjet e urdhnesat e Zotit. 7Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte berojë e të dy ishin të shtymë në moshë. 8Ndërsa po priftnonte para Hyut, kur e kishte radhën rendi i vet, 9u zgjodh me short, në përkim me doken e priftnisë, me hye në shejtnoren e Zotit, për me djegë kemin. 10Tanë bashkësia ishte tue u lutë jashtë shejtnores, gjatë djegjes së kemit. 11Një engjëll i Zotit iu shfaq, tue qëndrue në të djathën e altarit të kemit. 12Zakaria u tut, kur e pa, dhe e zuni frika. 13Por engjëlli i tha: «Mos u tremb, Zakari, se t'asht ndigjue lutja e grueja jote, Elizabeta, do të lindë një bir e ti do t'ia vejshë emnin Gjon. 14Do të kesh gëzim e hare dhe shumë vetë do t'i gëzohen lindjes së tij. 15Ai do të jetë i madh para Zotit e nuk do të pijë venë, as pije dehëse dhe do të jetë i përplotësuem me Shpirtin e Shenjtë qysh në barkun e së amës., 16Shumë prej bijve të Izraelit ka me i kthye kah Zoti, Hyu i tyne. 17Do të avitet para tij me shpirtin dhe fuqinë e Elisë, për me i kthye zemrat e etënve kah bijtë dhe të pabindunit në urtinë e të drejtëve, për me i përgatitë Zotit një popull të pajisun». 18Zakaria i tha engjëllit: «Si do ta kuptoj këtë, se unë jam i plakun e grueja ime e shtyeme në moshë?». 19Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli, ai që asht pranishëm para Hyut, dhe u dërgova me folë me ty e me të sjellë këto njoftime të gëzueshme. 20Dhe, ja, do të mbetesh heshtan e i paaftë me folë deri ditën kur do të ndodhin këto, se nuk u tregove besues ndaj fjalëve të mia, të cilat do të plotësohen në kohën e tyne».
21Populli ishte tue e pritë Zakarinë dhe habitej për vonesën e tij në shejtnore. 22Por, kur doli, nuk ishte i aftë me u folë, prandaj e kuptuen se kishte pa një vegim në tempull. Ai rrinte tue u ba shenja dhe mbette memec. 23Kur iu plotësuen ditët e shërbesës, shkoi në shtëpinë e vet. 24Mbas këtyne ditëve, Elizabeta, grueja e tij, mbeti shtatzanë, por ndejti tue u mshehë për pesë muej e thoshte: 25«Kështu veproi Zoti me mue, në kohën kur u shqetësue me ma heqë korinë para njerëzve».
Lajmërimi i lindjes së Jezusit
26Në muejin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgue prej Hyut në qytetin e Galilesë me emnin Nazaret, 27te një virgjen e fejueme menjë burrë me emnin Jozef, prej shtëpisë së Davidit. Emni i virgjnës ishte Mari. 28Engjëlli hyni te ajo e tha: «Të falem, o e përhirueme! Zoti me ty!». 29Ajo u prek prej kësaj fjale dhe mendonte çka mund të ishte kjo përshëndetje. 30Engjëlli i tha: «Mos u tremb, Mari, se gjete hir prej Hyut. 31Dhe, ja, do të metesh shtatzanë, do të lindësh një bir e do t'ia vejsh emnin Jezus. 32Ai do të jetë i madh e do të thirret Biri i të Tejnaltit. Hyu Zotdo t'i japë fronin e Davidit, Atit të tij. 33Ai do të mbretnojë në shtëpinë e Jakobit përgjithmonë e mbretnia e tij nuk do të ketë të soson». 34Por Maria i tha Engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, qyshse unë nuk njoh burrë?». 35Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i Shenjtë do të zbresë mbi ty e fuqia e të Tejnaltit do të të bajë hije. Prandaj edhe ai që ka me u lindë i shenjtë, do të thirret Bir i Hyut. 36Dhe, ja, Elizabeta, kushurina jote, edhe ajo asht shtatzanë me djalë, në pleqninë e saj, e ky asht mueji i gjashtë për të, që quhej berojë. 37Nuk ka asgja të pamundun për Hyun». 38Atëherë Maria tha: «Ja shërbëtorja e Zotit! Me ndodhtë simbas fjalës sate!». Dhe engjëlli u largue prej saj.
39Ato ditë Maria u çue e shkoi në malësi, në një qytet të Judesë. 40Hyni në shtëpinë e Zakarisë e u përshëndet me Elizabetën. 41Kur Elizabeta ndigjoi përshëndetjen e Marisë, foshnja hovi në bark dhe Elizabeta u mbbush me Shpirtin e Shenjtë 42e bëzani me vikamë të madhe: «Je e bekueme ndër gra e i bekuem fryti i barkut tand. 43Nga më behu mue kjo gja, të vije te unë nana e Zotit tim. 44Ja, sapo zani i përshëndetjes sate tingëlloi në veshët e mi, foshnja hovi me hare në barkun tim. 45Lum ajo që besoi se do të plotësohej çka iu tha prej Zotit!»
46E Maria tha:
«E madhnon shpirti im Zotimn,
47shpirti më ngazëllen në Hyun, shpëtuesin tim,
48se ai këqyri vogëlsinë e shërbëtores së vet
e, ja, prej tash, do të m'lumnojnë të gjitha breznitë,
49se i fuqishmi kreu madhni për mue,
i shenjtë emni i tij.
50Mëshira e tij, brez mbas brezi,
për ata që e druejn.
51Veproi pushtetshëm me krahun e vet,
shpërndau ata që mburren me mendimet e zemrës,
52zbriti pushtetarët nga froni,
naltoi vegjëlinë.
53Të unshmit i mbushi me të mira,
të kamunit i nisi zbrazun.
54Përkrahu Izraelin, shërbëtorin e vet,
tue kujtue mëshirën,
55siç u kishte thanë etënve tanë,
Abrahamit e farës së tij në amshim».
56Maria ndejti me të rreth tre muej e u kthye në shtëpinë e vet.
Lindja e Gjon Pagëzuesit
57Elizabetësi iu plotësue koha e lindjes dhe lindi djalë. 58Fqinjët dhe farefisi ndigjuen se Zoti kishte tregue mëshirën e vet të madhe ndaj saj dhe u gëzuen me të. 59Ditën e tetë shkuen me e rrethpre djalin e me i vue emnin e të atit, Zakari. 60Nana u përgjigj: «Jo, por do të quhet Gjon». 61I thanë: «Askush prej fisit tand nuk thirret me këtë emën». 62I banë me shenja të atit, se si donte me e quejt. 63Ai lypi një rrasë dhe shkroi: «Gjon asht emni i tij». Të gjithë u çuditën. 64Atij iu hap goja e iu zgjidh gjuha njëherësh dhe fliste, tue bekue Hyun. 65Të gjithë fqinjët e tij i kaploi frika e këto ngjarje tregoheshin në mbarë krahinën e Judesë. 66Të tanë ata që i ndigjonin, i theknin në zemër, tue thanë: «Çka do të jetë ky fëmijë?». E dora e Zotit ishte me të.
Himni i Zakarisë
67Zakaria, i ati i tij, u mbush me Shpirtin e Shenjtë e profetizoi:
68«Bekue qoftë Zoti, Hyu i Izraelit,
se u kujdes e ia lau pengun popullit të vet.
69E ngriti brinin e shpëtimit tonë
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
70siç qe thanë prej shekujsh,
me gojën e profetëve të tij shenjtë:
71shpëtimin nga armiqtë tanë
e nga dora e të gjithë urryesve tanë,
72tue zbatue mëshirën me etnit tanë
e tue kujtue besëlidhjen e tij të shenjtë,
73betimin që i bani Abrahamit, atit tonë,
me na dhanë mundësinë,
74të të çliruem prej armiqve,
me shërbye pa frikë,
75me shejtni e dretësi para tij
ne të gjitha ditët tona.
76E ti, o fëmijë,
profet i të naltit do të quhesh,
se do të ecësh para Zotit,
tue ia përgatitë udhët,
77për me i dhanë popullit të tij
dituninë e shpëtimit
me anë të faljes së mëkateve të tyne,
78falë dhembshurisë mëshirëplote të Hyut tonë,
me të cilën do të na vijë në ndihmë
një agim prej së nalti,
79për me i ndriçue ata që janë në terr
e të dergjun në hijen e vdekjes
e me i drejtue kambet tona
kah udha e paqes».
80Djali rritej e mëkambej shpirtnisht dhe rrinte shkretinave, deri në ditën e shfaqjes së tij para Izraelit.
Currently Selected:
Luka 1: DHRG
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
This translation is a copyright of the Interconfessional Bible Society of Albania