YouVersion Logo
Search Icon

Tobia 8

8
Tobia dëbon demonin
1Pasi mbaruan së ngrëni e së piri, deshën të flinin, prandaj e morën djaloshin dhe e çuan te dhoma e shtratit. 2Atëherë Tobisë iu kujtuan fjalët e Rafaelit, nxori mëlçinë dhe zemrën e peshkut nga qesja ku i kishte dhe i vuri mbi hirin e temjanit. 3Era e peshkut e përzuri demonit aq sa e flaku deri në viset e Egjiptit. Rafaeli e ndoqi dhe e lidhi atje këmbë e duar menjëherë.
4Prindërit dolën dhe mbyllën derën e dhomës së shtratit. Tobia u ngrit nga shtrati e i tha Sarës: «Motër, ngrihu t'i lutemi e t'i përgjërohemi Zotit të na japë mëshirë e shpëtim». 5Ajo u ngrit dhe filluan të luteshin e të përgjëroheshin që të shpëtonin. Ai nisi e tha:
«Bekuar qofsh, o Perëndi i etërve tanë,
bekuar emri yt në të gjitha breznitë përgjithmonë.
Përgjithmonë të bekoftë qielli
e mbarë krijimi.
6Ti bëre Adamin,
ndihmë e mbështetje i bëre Evën, gruan e tij.
Prej të dyve lindi fara njerëzore
e ti the: “S'është mirë të jetë njeriu vetëm;
do t'i bëj dikë përkrah si veten”.
7Tani unë po e marr këtë motër timen
jo me epsh, por me vërtetësi.
Denjo të kesh mëshirë për mua e për të,
që të plakemi së bashku».
8Pastaj të dy thanë: «Amen, amen». 9Dhe ranë të flinin bashkë atë natë. 10Ragueli u ngrit, mori me vete shërbëtorët dhe shkuan të hapnin varrin, se thoshte: «Mos vdes dhe bëhemi tallje e shpoti». 11Kur mbaruan së hapuri varrin, Ragueli shkoi në shtëpi, thirri gruan 12e i tha: «Nis njërën nga shërbëtoret që të hyjë e të shohë a është gjallë. Nëse ka vdekur, ta varrosim pa e marrë vesh njeri». 13E dërguan shërbëtoren, ndezën kandilin dhe hapën derën. Ajo hyri dhe i gjeti duke fjetur gjumë bashkë. 14Shërbëtorja doli dhe u tregoi se ai ishte gjallë dhe nuk i kishte ndodhur asnjë e keqe. 15Atëherë bekuan Perëndinë e qiellit e thanë:
«Bekuar qofsh, o Perëndi,
me çdo bekim të dëlirë.
Qofsh bekuar në tërë amshimin.
16Bekuar qofsh, se më lumturove,
nuk ndodhi siç kisha pandehur,
u solle me ne me mëshirë të madhe.
17Bekuar qofsh, se pate mëshirë
për dy fëmijë të vetëm.
Vepro me ta me mëshirë,
o sundues, dhe shpëtoi.
Ta sosin jetën me hare e mëshirë».
18Pastaj u tha shërbëtorëve ta mbyllnin varrin para se të agonte.
Dasma
19Ai i kërkoi gruas të piqte shumë bukë dhe vetë shkoi te tufa, solli dy qe e katër desh dhe urdhëroi t'i thernin. Kështu filluan përgatitjet. 20Atëherë thirri Tobinë e i tha: «Për katërmbëdhjetë ditë nuk do të lëvizësh prej këtu, por do të rrish me mua duke ngrënë e duke pirë e do t'i këndellësh shpirtin bijës sime, që ishte mekur. 21Merr gjysmën e pasurisë sime dhe shko shëndoshë tek yt atë. Gjysma tjetër të takon ty pasi të vdes unë dhe ime shoqe. Guxim, o bir. Unë jam yt atë dhe Edna është nëna jote. Do të jemi me ty dhe me motrën tënde tani e përgjithmonë. Guxim, o bir!».

Currently Selected:

Tobia 8: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in