Tobia 7
7
Ragueli
1Kur mbërritën në Ekbatanë, Tobia i tha: «Vëlla Azarjah, çomë drejt e te Ragueli, vëllai ynë». Dhe engjëlli e çoi në shtëpinë e Raguelit, të cilin e gjetën ulur pranë portës së tremes. E përshëndetën ata të parët dhe ai u përgjigj: «Gëzuar, vëllezër! Mirë se erdhët e qofshi me shëndet!». Pastaj i futi në shtëpi 2e i tha gruas së vet, Ednës: «Ky djalosh i ngjan Tobitit, vëllait tim». 3Edna i pyeti: «Nga jeni, vëllezër?». Ata iu përgjigjën: «Jemi nga bijtë e Neftaliut të shpërngulur në Ninivë». 4Ajo i pyeti: «A e njihni Tobitin, vëllanë tonë?». Iu përgjigjën: «E njohim». 5I pyeti përsëri: «Si është me shëndet?». Iu përgjigjën: «Është shëndoshë e mirë». Tobia tha: «Tobiti është im atë». 6Ragueli u hodh përpjetë, e puthi dhe qau. Pastaj foli e tha: «Paç bekimin, o djalë i atit të mirë e të mbarë. Oh, lëngatë e ligë! Të verbohet një njeri i drejtë e bamirës!». Mori ngrykë Tobinë, vëllanë e vet, e qau. 7Edhe gruaja e tij, Edna, e vajza e tij, Sara, qanë. 8Pastaj theri një dash nga tufa e i priti mirë.
9U lanë, u pastruan dhe u ulën të hanin. Tobia i tha Rafaelit: «Vëlla Azarjah, thuaji Raguelit të ma japë Sarën, motrën time». 10Por Ragueli e dëgjoi këtë fjalë e i tha djalit: «Ha e pi dhe gëzohu sonte. S'ka njeri tjetër veç teje që e merr bijën time Sarën, vëlla. Po ashtu, as unë nuk kam pushtet t'ia jap atë tjetër burri, veç teje, se ty të kam më të afërt. Duhet të të them edhe të vërtetën, bir. 11Ua kam dhënë për grua shtatë burrave, vëllezërve tanë, por të gjithë vdisnin natën që shkonin tek ajo. Tani, bir, ha e pi dhe Zoti veproftë në ju!». 12Atëherë Tobia tha: «As do të ha, as do të pi, derisa të më japësh ç'më takon». Ragueli i tha: «Atë do të bëj, do të ta jap sipas vendimit të librit të Moisiut, sipas vendimit që është marrë prej qiellit do të të jepet. Merre tët motër. Që sot e tutje ti je vëllai i saj dhe ajo është motra jote përgjithmonë. Zoti i qiellit ju sjelltë mbarësi, o bir, këtë natë, dhe u zbatoftë mëshira dhe paqja!». 13Ragueli thirri Sarën, bijën e tij. Ajo u afrua, ai i kapi dorën, ia dha Tobisë e tha: «Merre për grua sipas ligjit dhe vendimit të shkruar në librin e Moisiut. Merre, çoje shëndoshë tek yt atë e Perëndia i qiellit ju dhëntë mbarësi e paqe!». 14Pastaj thirri nënën e saj, i tha t'i sillte një libër dhe shkroi në libër marrëveshjen e martesës dhe se po ia jepte për grua sipas vendimit të ligjit të Moisiut. Pas kësaj filluan të hanin e të pinin. 15Ragueli thirri gruan e vet, Ednën, e i tha: «Motër, bëj gati dhomën tjetër dhe çoje atje vajzën». 16Ajo shkoi, përgatiti shtratin në dhomë, thirri vajzën, e çoi në dhomë, qau për të, fshiu lotët e i tha: 17«Guxim, bijë! Zoti i qiellit do të të japë gëzim në vend të trishtimit. Guxim, bijë!». Dhe doli.
Currently Selected:
Tobia 7: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020