YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 16

16
Jobi beson te drejtësia hyjnore
1Jobi u përgjigj e tha:
2«Shumë fjalë të tilla kam dëgjuar.
Ju të gjithë jeni ngushëllues të mjerë.
3A marrin fund fjalët që i merr era
apo çfarë të ngacmon të përgjigjesh?
4Edhe unë do të flisja si ju,
po të ishit ju në vendin tim.
Do të thurja fjalë kundër jush
e para jush do ta tundja kokën.
5Do t'ju forcoja me fjalë
e me buzët e mia do ta ndalja brengën.
6Po të flas, nuk më fashitet dhimbja,
por as po të hesht nuk më largohet.
7Mirëpo ai më këputi,
më la pa shoqëri.
8Ti më sfilite e kjo është dëshmia,
edhe krusma ime kundër meje dëshmon.
9Me zemërimin e vet më copëton e më përndjek,
dhëmbët kundër meje i kërcëllin,
armiku im gërdhuc sytë kundër meje.
10E kanë hapur gojën kundër meje,
më tallin e me gjuajnë në fytyrë,
kundër meje janë mbledhur tok.
11Perëndia më la në dorë të çunakëve,
në duart e të paudhëve më hodhi.
12Isha mirë, por ai më copëtoi,
më kapi për zverku e më rroposi,
më vuri në shënjestrën e vet.
13Më rrethuan shigjetat e tij,
pa mëshirë veshkat m'i shqeu,
përtokë ma derdhi vrerin.
14Më shporon me plagë pas plage
e më vërsulet si luftëtar.
15E kam qepur grathoren për lëkure,
e kam zhytur ballin në pluhur.
16M'u mavijos fytyra nga vajtimi
e terri m'i mbuloi qepallat,
17ndonëse duart e mia nuk bënë dhunë
dhe e dëlirë është lutja ime.
18Mos e mbulo, o tokë, gjakun tim
e mos zëntë vend britma ime!
19E kam që tash në qiell dëshmitarin,
është atje lart ai që më del zot.
20Miqtë më shpotisin
e syri im derdh lot drejt Perëndisë,
21që ai të gjykojë mes njeriut e Perëndisë
siç gjykon njeriu me njeriun,
22se i kam të numëruara vitet
e udhës pa kthim po shkoj».

Currently Selected:

Jobi 16: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in