YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 15

15
Elifazi qorton Jobin
1Elifaz Temaniti u përgjigj e tha:
2«A përgjigjet i urti me fjalë që i merr era?
A e mbush barkun me erën e lindjes?
3A mbrohet me fjalë të kota
e me shprehje pa dobi?
4Por ti po e çart drojen,
po shpërfill lutjen para Perëndisë,
5se faji yt e mëson gojën tënde
e ti zgjedh gjuhën e dinakëve.
6Goja jote të dënon e jo unë,
buzët e tua dëshmojnë kundër teje.
7A je ti njeriu i parë që u lind?
A para kodrave u përftove?
8Mos ke përgjuar shestimet e Perëndisë
dhe e mban urtinë për vete?
9Çfarë di ti, që ne s'e dimë?
Çfarë kupton ti, që ne s'e marrim vesh?
10Ka ndër ne të thinjur e pleq,
më të moçëm se yt atë.
11A pak janë për ty ngushëllimet e Perëndisë
e fjala e butë që të drejtohet?
12Pse të gulçon zemra
e të flakërojnë sytë,
13kur kthehesh kundër Perëndisë
e fjalët nga goja të rrjedhin?
14Çfarë është njeriu që të jetë i pastër?
A është i drejtë kush lindi prej gruaje?
15Perëndia s'beson as te shenjtorët e vet
e para tij as qielli s'është i pastër,
16pale njeriu i pështirë e i çartur,
që e pi ligësinë si ujë.
17Ta shpjegoj unë, më dëgjo!
Do të të tregoj ç'kam parë,
18çfarë rrëfyen të urtët,
që të parët e tyre nuk ua fshehën.
19Vetëm atyre u qe dhënë toka
e asnjë i huaj nuk kaloi mes tyre.
20Keqbërësin e kaplon ankthi përditë
e mujshari i ka vitet të numëruara.
21Klithma e tmerrit i gjëmon në veshë
e kur është i qetë e sulmon kusari.
22Ai nuk shpreson se mund të dalë nga terri
dhe e di se shpata e pret.
23Bredh e kërkon bukë: “Ku ka?”,
por e di se i erdhi dita e zezë.
24Ankthi e mundimi e tmerrojnë
dhe e mposhtin, si mbreti i gatshëm për sulm.
25Ngre dorë kundër Perëndisë,
krekoset kundër të gjithëpushtetshmit,
26sulet kundër tij kryeneç,
i mbrojtur me shqyt të trashë,
27me fytyrë të majme
e me dhjamë në ijë.
28Banonte në qytetin plojë,
në shtëpi të shkretuara, kthyer në rrënoja.
29Nuk do të pasurohet e nuk do t'i zgjasë fati,
as do të zërë rrënjë në dhe#15.29 të tjerë: as edhe pasuria e tij nuk do të shtohet.
30Nuk do t'i shpëtojë errësirës,
sythat zjarri do t'ia thajë
e lulet era do t'ia marrë.
31Të mos i zërë besë kotësisë e të mos gënjehet,
se me kotësi do të shpërblehet.
32Pa i ardhur dita do të vyshket
e nuk do të harliset dega e tij.
33Do të shkundet si hardhia para se të piqet rrushi,
e si ulliri në lule do të harret.
34Shoqëria e të pafeve është shterpë
dhe shtëpinë e mitëmarrësit zjarri e përlan.
35Kush ngjiz trazirë, pjell ligësi
e në barkun e tyre gatitet mashtrimi».

Currently Selected:

Jobi 15: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in