YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 10

10
Jobi përçmon jetën e vet
1«Më është velur jeta!
Do ta shfryj ankimin tim,
do të flas me shpirt të hidhëruar.
2Do t'i them Perëndisë: mos më ndëshko!
Më trego pse po më gjykon!
3Të duket mirë të më shtypësh,
të përbuzësh punën e duarve të tua
e të përkrahësh synimet e të paudhëve?
4Mos vallë ke sy prej mishi
e sheh siç shohin njerëzit?
5A janë ditët e tua si ditët e njerëzve
e vitet e tua si moti i vdekatarëve,
6që heton fajin tim
e shqyrton mëkatin tim,
7edhe pse e di se nuk kam faj
e s'ka shpëtim prej dorës sate?
8Duart e tua më bënë e më krijuan,
por ti më rrënon nga të gjitha anët.
9Kujtohu, pra, se si baltën më punove.
A do të më kthesh sërish në pluhur?
10A nuk më pikove si qumështin
e nuk më zure si djathin?
11Ti më veshe me lëkurë e me mish,
ti më thure me eshtra e me deje.
12Më dhurove jetën e mirësinë,
kujdesi yt ma ka ruajtur shpirtin.
13Por këto i fshihje në zemër,
e di se kështu mendoje.
14Nëse mëkatoj, më shikon
e nuk rri pa e ndëshkuar fajin tim.
15Nëse jam i paudhë, mjerë unë!
Por edhe po të jem i drejtë,
nuk e ngre dot kokën,
se më mbuloi turpi e shoh veç pikëllim.
16Po ta ngre kokën, më mësyn si luan,
kthehesh e kryen çudira kundër meje.
17Nxjerr para meje dëshmitarë të rinj,
e shton zemërimin tënd me mua,
i përtërin ushtritë kundër meje.
18Po përse më nxore nga barku i nënës?
Të kisha vdekur pa më parë kush me sy!
19Do të kisha qenë si të mos isha,
i bartur nga barku në varr.
20A nuk firojnë ditët e jetës sime?
Më lër të gëzoj pak,
21para se të nisem për të mos u kthyer
në dheun e territ e të terratisjes,
22në dheun e errësirës së thellë e të rrëmujës,
ku edhe agu është si zymtësia».

Currently Selected:

Jobi 10: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in