Jobi 9
9
Përgjigjja e Jobit
1Jobi u përgjigj e tha:
2«Vërtet e di se ashtu është,
por si mund të jetë i drejtë njeriu para Perëndisë?
3Nëse dikush rragatet me të,
s'mund t'i përgjigjet as një herë në një mijë.
4Ai është zemërurtë e fuqimadh.
Kush i bëri ballë e doli i pamposhtur?
5Ai i shpërngul malet, por ato s'e dinë,
kur i shkundullon i zemëruar.
6Ai e trand tokën nga vendi
e dridhen shtyllat e saj.
7E urdhëron diellin e ai nuk lind,
edhe yjeve drynin ua vë.
8I vetëm i shpalos qiejt
e mbi dallgët e detit hapat i hedh.
9Ai krijoi Arushën e Orionin,
Shenjëzat e Dhomat e Jugut.
10Bëri vepra madhështore e të paqëmtueshme,
bëri mrekulli të panumërueshme.
11Kalon para meje e nuk e shoh,
ikën tutje e nuk e vërej.
12Rrëmben diçka e kush mund ta kthejë?
Kush mund t'i thotë: “Çfarë po bën?”.
13Perëndia nuk e tërheq zemërimin,
poshtë tij tulaten ndihmësit e Rahabit.
14Si vallë mund t'i përgjigjem
e me ç'fjalë t'i flas atij?
15Edhe po të jem i drejtë s'i përgjigjem dot,
gjykatësit tim për përdëllim i lutem.
16Nëse e thërras e më përgjigjet,
nuk besoj se do t'i vërë vesh zërit tim.
17Ai më shtyp për një fije floku#9.17 ose: më shtyp me stuhi
m'i shumon plagët pa shkak.
18Nuk më lë të marr frymë,
se më ngop me hidhërim.
19Sa për forcë, ai është i fuqishmi,
sa për drejtësi, kush mund ta padisë?
20Edhe pse kam të drejtë,
goja ime do të më dënojë;
nëse jam i përkryer,
ai do të më nxjerrë fajtor.
21Jam i përkryer, por nuk kujdesem për vete,
e përçmoj jetën time.
22Prandaj them se është njësoj:
ai rrënon të përkryerin e të paudhin.
23Nëse fshikullimi vret papritmas,
ai e qesëndis dëshpërimin e të pafajshmit.
24Toka i është lënë në dorë të paudhit,
ai ua mbyll sytë gjykatësve të saj
e nëse jo ai, kush vallë?
25Ditët e mia shkojnë më shpejt se rendësi,
ikin tutje pa e parë të mirën.
26Rrëshqasin si varka xunkthi,
si shkaba që vërsulet mbi pre.
27Nëse them: “Do ta harroj rënkimin,
nuk do të jem fytyrëngrysur e do të gëzohem”,
28më trembin tërë vuajtjet e mia.
E di se nuk do të më shfajësosh.
29Nëse jam fajtor,
pse të mundohem kot?
30Nëse lahem me ujë bore
e duart i pastroj me finjë,
31ti prapë do të më zhytësh në llucë
e do t'u kall krupën edhe petkave.
32Se ai nuk është njeri si unë, që t'i përgjigjem:
“Të dalim në gjyq”.
33Nuk ka gjyqtar mes ne të dyve
që të vërë dorë mbi ne,
34ta heqë prej meje shkopin e tij
e të mos më trembë tmerri i tij.
35Do të flas e nuk do t'i trembem,
se i tillë unë nuk jam».
Currently Selected:
Jobi 9: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020