YouVersion Logo
Search Icon

Jobi 11

11
Cofari qorton Jobin
1Cofar Namatiti u përgjigj e tha:
2«A nuk e meriton një përgjigje fjalëshumi?
A e shfajëson dot veten gojëtari?
3Përçartjet e tua a do t'ua mbyllin gojën njerëzve?
Kur ti përqesh askush nuk të korit?
4Ti thua: “Fjalët e mia janë të pastra,
jam i dëlirë në sytë tuaj”.
5Por, ah, sikur Perëndia të flasë
e të hapë gojën me ty,
6të të tregojë fshehtësitë e urtisë,
që e tejkalon mençurinë,
e ta kuptosh se Perëndia ta harron fajin.
7A mund t'i gjurmosh vallë thellësitë e Perëndisë?
A mund t'ia nxjerrësh fundin të gjithëpushtetshmit?
8Është më i lartë se qielli, çfarë do të bësh?
Më i thellë se skëterra, çfarë do të dish?
9E ka masën më të gjatë se toka
e më të gjerë se deti.
10Nëse kalon, ndal dikë e i bën gjyq,
kush mund ta kthejë?
11Se ai i njeh shtiracakët
e, kur të shohë ligësinë, a nuk do ta pikasë?
12Por tutkuni bëhet i mençur,
kur gomari të bëhet njeri.
13Po ta kthesh zemrën kah Perëndia,
e t'i shtrish duart drejt tij,
14po ta flakësh ligësinë që ke në dorë
e po të mos selitë padrejtësia në shtëpinë tënde,
15atëherë do ta mbash ballin lart,
do të qëndrosh fort e frikë nuk do të kesh,
16do ta harrosh mundimin,
do ta kujtosh si ujërat që shkuan.
17Jeta jote do të shkëlqejë më shumë se mesdita
dhe errësira do të jetë si agimi.
18Do të kesh besim, sepse ka shpresë,
do të jesh i mbrojtur e do të pushosh i qetë.
19Do të shtrihesh e askush nuk do të të trembë,
shumëkush ndihmë do të të kërkojë.
20Por sytë e të paudhëve do të çarten
e do të tretet prej tyre rrugëdalja,
ndaj do të shpresojnë të japin shpirt».

Currently Selected:

Jobi 11: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in