Jeremia 32
32
Shëmbëlltyra e arës
1Fjala që iu drejtua Jeremisë nga Zoti në vitin e dhjetë të Sedekisë, mbretit të Judës, në vitin e dymbëdhjetë të Nabukodonosorit. 2Në atë kohë ushtria e mbretit të Babilonisë e kishte rrethuar Jerusalemin dhe profeti Jeremi gjendej i mbyllur në tremen e rojës, në pallatin e mbretit të Judës. 3E kishte mbyllur Sedekia, mbreti i Judës, pasi i kishte thënë: «Pse profetizon e thua: “Kështu thotë Zoti: ja, po e lë këtë qytet në dorë të mbretit të Babilonisë e ai do ta pushtojë. 4Sedekia, mbreti i Judës, nuk do të shpëtojë nga dora e kaldenjve, por do t'i dorëzohet mbretit të Babilonisë, do të flasë me të ballë për ballë e do ta shohë sy më sy. 5Ai do ta marrë Sedekinë në Babiloni e Sedekia do të rrijë atje derisa ta takoj unë, kumton Zoti. Edhe po të luftoni kundër kaldenjve, nuk do t'ia dilni”».
6Jeremia tha: «Fjala e Zotit m'u drejtua e më tha: 7ja, do të vijë te ti Hanameli, biri i Shalumit, ungjit tënd, për të të thënë: “Bli për vete arën time në Anatot, se të takon ty ta blesh, sipas së drejtës së riblerjes”. 8Hanameli, biri i ungjit tim, erdhi tek unë në tremen e rojës, sipas fjalës së Zotit, e më tha: “Blije arën time në Anatot, në tokën e Benjaminit, se të takon ty e drejta e pronës dhe e riblerjes. Blije për vete”. Atëherë e mora vesh se ajo kishte qenë fjala e Zotit.
9Ia bleva Hanamelit, birit të ungjit tim, arën në Anatot dhe i pagova paratë: shtatëmbëdhjetë sikla argjendi. 10Nënshkrova fletëblerjen, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova argjendin në kandar. 11Pastaj mora fletëblerjen, të vulosur sipas rregullit e ligjit, dhe një tjetër të pambyllur. 12Ia dhashë fletëblerjen Barukut, birit të Neriahut, të birit të Mahsejahut, në sytë e Hanamelit, kushëririt tim, në sytë e dëshmitarëve që e kishin nënshkruar fletën e blerjes dhe në sytë e të gjithë judenjve që gjendeshin në tremen e rojës. 13Pastaj e urdhërova Barukun në sytë e të gjithëve e i thashë: 14“Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: merri këto fletë, këtë fletëblerje, të vulosurën e të pambyllurën, dhe vëri në një enë balte, që të ruhen për shumë kohë. 15Se kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: përsëri do të blihen shtëpi, ara e vreshta në këtë tokë”.
16Pasi ia dhashë fletëblerjen Barukut, birit të Neriahut, iu luta Zotit e thashë: 17“Ah, Zot, Zoti im! Ti bëre qiellin e tokën me fuqinë tënde të madhe e me krah të shtrirë. Asgjë nuk është e vështirë për ty. 18Ti vepron mirësisht me mijëra vetë, por fajin e etërve ua lë ta shpaguajnë bijve të tyre që i pasojnë. Ti je Perëndia i madh e i fuqishëm, që e ka emrin Zoti i ushtrive, 19madhështor në këshill e i madhërishëm në vepra, që i mban sytë hapur mbi të gjitha udhët e njerëzve, për t'i dhënë secilit sipas sjelljes së vet, sipas frytit të veprave të veta. 20Ti bëre shenja e mrekulli në dheun e Egjiptit, në Izrael e në mbarë njerëzinë gjer më sot, prandaj bëre emër për vete gjer më sot. 21Ti e nxore popullin tënd, Izraelin, nga Egjipti, me shenja e mrekulli, me dorë të fuqishme, me krah të shtrirë e me tmerr të madh. 22U dhe këtë tokë, siç u ishe betuar etërve të tyre t'ua jepje, tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë. 23Ata erdhën dhe e morën në pronësi, por nuk e dëgjuan zërin tënd, nuk ecën në ligjin tënd, nuk bënë gjithçka u kishe urdhëruar të bënin, prandaj ua dërgove të gjitha këto mynxyra. 24Ja, rrethimi i është afruar qytetit për ta pushtuar. Qyteti do t'u dorëzohet kaldenjve, që po e luftojnë me shpatë, me uri e me murtajë. Çfarë kishe thënë po ndodh dhe, ja, ti po e sheh. 25Por ti, o Zot, Zoti im, më thua: blije arën për vete me para e thuaju dëshmitarëve të dëshmojnë, ndërsa qyteti po u dorëzohet kaldenjve”».
Zoti i flet Jeremisë
26Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremisë e i tha: 27«Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo gjallese. A ka ndonjë gjë të vështirë për mua? 28Prandaj, kështu thotë Zoti: ja, po ua dorëzoj këtë qytet kaldenjve dhe po ia lë në dorë Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, e ai do ta pushtojë. 29Kaldenjtë që po luftojnë kundër këtij qyteti, do të hyjnë, do t'i vënë zjarrin këtij qyteti e do ta djegin bashkë me shtëpitë mbi pullazet e të cilave iu kushtua temjan Baalit e iu derdhën fli stërpikjeje perëndive të tjerë, për të më zemëruar mua. 30Se bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës bënë vetëm çfarë është keq në sytë e mi që nga rinia e tyre. Bijtë e Izraelit vetëm më kanë zemëruar me veprën e duarve të tyre, kumton Zoti. 31Ky qytet u bë shkaku i zemërimit dhe i tërbimit tim, që prej ditës kur e ndërtuan e deri më sot. Unë do ta zhduk nga prania ime, 32për shkak të gjithë ligësisë së bijve të Izraelit dhe të bijve të Judës, që e bënë për të më zemëruar, ata, mbretërit e tyre, prijësit e tyre, priftërinjtë dhe profetët e tyre, njerëzit e Judës dhe të gjithë banorët e Jerusalemit. 33Më kthyen shpinën e jo fytyrën. Unë i mësoja pareshtur, por ata nuk më dëgjuan e nuk e pranuan qortimin. 34Ata vendosën pështirësitë në tempullin ku thirret emri im, për ta përdhosur. 35Ndërtuan faltoret e Baalit në vende të larta në luginën e Ben Hinomit, për t'i kushtuar Molekut bijtë e bijat, gjë që unë nuk ua kisha urdhëruar kurrë. Nuk më kishte shkuar ndër mend se do ta kishin bërë këtë pështirësi, për ta shtyrë Judën në mëkat.
36E tani, për këtë arsye, kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, për këtë qytet, për të cilin ti thua se iu dorëzua mbretit të Babilonisë me shpatë, me uri e me murtajë: 37ja, do t'i mbledh nga të gjitha vendet ku i pata degdisur, kur u zemërova, kur u tërbova, kur u hidhërova fort. Do t'i kthej në këtë vend e do t'i lë të banojnë të qetë. 38Ata do të jenë populli im e unë do të jem Perëndia i tyre. 39Do t'u jap një zemër e një udhë, që të më druajnë gjithmonë, për të mirën e tyre dhe të bijve të vet pas tyre. 40Do të bëj me ta një besëlidhje të amshuar e do t'u bëj mirë pareshtur. Do t'u vë në zemër drojën time, që të mos ikin prej meje. 41Do të gëzohem duke u bërë mirë e do t'i mbjell me të vërtetë në këtë tokë, me gjithë zemër e me gjithë shpirt.
42Se kështu thotë Zoti: siç solla mbi këtë popull gjithë këtë mynxyrë të madhe, po ashtu do të dërgoj mbi ta tërë të mirën që po u premtoj. 43Do të blihen ara në këtë tokë për të cilën ju thoni se është shkretinë, pa njerëz e pa shtazë dhe se ka rënë në dorë të kaldenjve. 44Do të blihen ara me para, do të nënshkruhen fletëblerje, do të vulosen e do t'u paraqiten dëshmitarëve në tokën e Benjaminit, në rrethinat e Jerusalemit, në qytetet e Judës, në qytetet kodrinore, në qytetet e Shefelahut e në qytetet e Negevit, se do t'i kthej robërit e tyre, kumton Zoti».
Currently Selected:
Jeremia 32: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020