YouVersion Logo
Search Icon

Jeremia 31

31
Premtimi i haresë
1«Në atë kohë, kumton Zoti, unë do të jem Perëndia i të gjitha fiseve të Izraelit e ata do të jenë populli im.
2Kështu thotë Zoti:
gjeti hir në shkretëtirë
populli që i shpëtoi shpatës;
Izraeli po shkon drejt prehjes.
3Prej së largu m'u dëftua Zoti:
“Të desha me dashuri të amshuar,
prandaj të mbeta besnik.
4Do të të ngre sërish e ti do të ngrihesh,
o virgjëresha e Izraelit.
Sërish do të stolisesh me dajre
e do t'i prish valles së gaztorëve.
5Sërish do të mbjellësh vreshta
në malet e Samarisë,
do të mbjellin mbjellësit
e do të begatohen.
6Se do të vijë dita e vikamës së rojtarëve
në malin e Efraimit:
ngrihuni, të shkojmë në Sion,
te Zoti, Perëndia ynë”.
7Se kështu thotë Zoti:
bëzani me hare për Jakobin,
galdoni për kreun e kombeve;
shpallni lavdërimin tuaj e thoni:
e shpëtoi Zoti popullin e vet,
tepricën e Izraelit.
8Ja, unë po i sjell nga dheu i veriut
e po i mbledh nga skajet e dheut.
Ndër ta është i verbri e i çali,
shtatzëna e lehona:
një bashkësi e madhe
këtu do të kthehet.
9Do të vijnë duke u dënesur,
por unë do t'i sjell të përdëllyer,
do t'u prij drejt rrjedhave të ujit,
në një udhë të drejtë
ku nuk do të pengohen,
se për Izraelin u bëra porsi atë
dhe Efraimi është i parëlinduri im».
10«Dëgjojeni, o kombe, fjalën e Zotit,
shpalluani ishujve të largët e thoni:
ai që e shpërndau Izraelin, do ta mbledhë,
do ta ruajë grigjën e vet porsi bariu».
11Se e shpagoi Zoti Jakobin,
e shpengoi nga dora e më të fortit.
12Do të vijnë e do të brohorasin në lartësitë e Sionit,
shndritur prej mirësisë së Zotit,
për grurin, për mushtin e për vajin,
për grigjat e për tufat.
Si kopsht i ujitur do të jetë shpirti i tyre
e më nuk do të lëngojnë.
13Atëherë do të gëzojnë virgjëreshat me valle,
rinia e pleqtë së bashku.
Do ta kthej zinë e tyre në hare,
do t'i ngushëlloj e do t'i lumturoj,
do t'ua heq pikëllimin.
14Do t'i ngij priftërinjtë me dhjamë,
me të mirat e mia do të mbushet populli im,
kumton Zoti.
15Kështu thotë Zoti:
një zë u dëgjua në Ramah,
rënkim e vajtim i hidhur.
Rakela qan fëmijët e saj,
ngushëllim për fëmijët e saj nuk do,
se nuk janë më.
16Kështu thotë Zoti:
mos nxirr vaj nga zëri yt,
as lot nga sytë e tu,
se e kanë shpërblimin veprat e tua,
kumton Zoti,
e ata do të kthehen nga dheu i armikut.
17Ka shpresë për të ardhmen tënde,
kumton Zoti,
do të kthehen bijtë e tu në trojet e veta.
18«Dëgjova Efraimin tek ankohej:
“Ti më ndreqe e unë u ndreqa
porsi kau i pamësuar.
Kthemë ti e unë do të kthehem,
se ti je Zoti, Perëndia im.
19Se pasi u largova, u pendova,
pasi ma bëre të ditur, shuplaka kofshën,
u turpërova e u përula,
se u ngarkova me nëmën e rinisë sime”.
20A s'është Efraimi bir i dashur për mua?
A s'është djali i ëndjeve?
Se sa herë flas kundër tij,
prapë më vijnë ndër mend kujtimet,
prandaj më dridhen zorrët për të,
e me përdëllim do ta përdëllej,
kumton Zoti.
21Cakto për vete shenjat,
vendos për vete udhërrëfyesit,
mbaje në zemër udhën,
rrugën në të cilën ke ecur.
Kthehu, o virgjëreshë e Izraelit,
kthehu te këto qytetet e tua.
22Deri kur do të jesh e lëkundur,
o bijë besëshkalë?
Se Zoti krijoi një risi mbi dhe:
një femër i sillet rrotull një burri.
23Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: përsëri do të thonë këto fjalë në tokën e Judës dhe në qytetet e saj, pasi t'i kem kthyer të shpërngulurit e tyre:
të bekoftë Zoti, o shtëpi e drejtësisë,
o mal i shenjtë!
24Atje do të banojnë së bashku Juda
dhe të gjitha qytetet e tij,
bujqit e prijësit e tufës.
25Se do ta mëkoj shpirtin e mekur
e do të ngij çdo shpirt të drobitur».
26Këtu u zgjova e pashë se kisha bërë gjumë të mirë.
Izraeli e Juda
27«Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do ta mbjell shtëpinë e Izraelit e të Judës me farë njerëzish e me farë bagëtish. 28Atëherë, siç i mbajta sytë hapur mbi ta për t'i zhbirë e për t'i shembur, për t'i rrëzuar, për t'i rrënuar e për t'i dëmtuar, po ashtu do t'i mbaj sytë hapur mbi ta, për të ndërtuar e për të mbjellë, kumton Zoti. 29Në ato ditë nuk do të thuhet më:
“Rrushin e thartë e hëngrën etërit,
por dhëmbët iu mpinë bijve”, 30sepse secili do të vdesë për faj të vet. Do t'i mpihen dhëmbët vetëm atij që ha rrush të thartë».
Besëlidhja e re
31«Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit e me shtëpinë e Judës. 32Jo si besëlidhja që bëra me etërit e tyre, kur i mora për dore, për t'i nxjerrë nga dheu i Egjiptit, besëlidhja ime, që ata e thyen, megjithëse unë isha zotëria i tyre, kumton Zoti. 33Por, kjo është besëlidhja që do të bëj me shtëpinë e Izraelit, pas atyre ditëve, kumton Zoti: do ta vendos brenda tyre ligjin tim e do ta shkruaj në zemrën e tyre. Atëherë unë do të jem Perëndia i tyre e ata do të jenë populli im. 34Nuk do ta mësojnë më njëri-tjetrin, duke thënë: “Njiheni Zotin”, sepse të gjithë do të më njohin, nga më i vogli deri te më i madhi prej tyre, kumton Zoti, se do t'ua fal fajin e nuk do ta kujtoj më mëkatin e tyre.
35Kështu thotë Zoti,
që diellin gjatë ditës si dritë e cakton,
e gjatë natës, si dritë, hënën e yjet vendos,
që trazon detin, e valët e tij ushtojnë
dhe emrin e ka Zoti i ushtrive:
36nëse këto ligje më dalin dore,
kumton Zoti,
vetëm atëherë do të reshtë Izraeli
e nuk do të jetë më para meje komb përgjithmonë.
37Kështu thotë Zoti:
nëse mund të maten qiejt prej së larti
e të hulumtohen gjer poshtë themelet e tokës,
edhe unë do ta flak mbarë farën e Izraelit
për gjithçka bëri,
kumton Zoti».
Rindërtimi i Jerusalemit
38«Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur qyteti do të rindërtohet për Zotin, që nga Kulla e Hananelit deri te Porta e Këndit. 39Litari matës do të shtrihet përsëri deri te kodra e Garebit e do të sillet drejt Goahut. 40Gjithë lugina e kufomave dhe e hirit dhe të gjitha rrafshinat deri te përroi Kidron, deri te qoshja e Portës së Kuajve drejt lindjes, do të jenë të shenjta për Zotin. Nuk do të zhbihen, as do të rrafshohen më».

Currently Selected:

Jeremia 31: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in