YouVersion Logo
Search Icon

Jeremia 20

20
Përndjekja e Jeremisë
1Prifti Pashhur, biri i Imerit, kryepërgjegjës në tempullin e Zotit, e dëgjoi Jereminë duke profetizuar këto gjëra. 2Pashhuri e rrahu profetin Jeremi dhe e futi në qelinë që gjendej te Porta e Epërme e Benjaminit, në tempullin e Zotit. 3Të nesërmen, kur Pashhuri e nxori Jereminë nga qelia, Jeremia i tha: «Zoti nuk do të të thërrasë më Pashhur, por “tmerr rreth e qark”. 4Se kështu thotë Zoti: ja, do të të fus tmerrin ty e mbarë miqve të tu. Do të bien prej shpatës së armiqve të tyre e ti do t'i shohësh me sytë e tu. Mbarë Judën do ta dorëzoj në dorë mbretit të Babilonisë. Ai do t'i shpërngulë në Babiloni e do t'i godasë me shpatë. 5Mbarë pasurinë e këtij qyteti, të gjitha pronat, të gjitha gjërat e çmueshme dhe të gjitha thesaret e mbretërve të Judës do t'ua dorëzoj armiqve të tyre. Ata do t'i plaçkitin, do t'i kapin e do t'i shpërngulin në Babiloni. 6Edhe ti, Pashhur, e gjithë sa banojnë në shtëpinë tënde, do të shkoni në robëri, në Babiloni do të shkoni, atje do të vdisni e atje do të varroseni, ti e të gjithë miqtë e tu, për të cilët ke profetizuar rrejshëm.
Ankimi i Jeremisë
7Ti më joshe, o Zot, e unë u josha,
më munde e fitove.
Shpoti u bëra tërë ditën,
të gjithë tallen me mua
8Se sa herë flas, bërtas:
“Dhunë e rrënim!”, thërras,
se shkak qesëndie u bë për mua fjala e Zotit
e shkak përqeshjeje tërë ditën.
9Thosha me vete: “Nuk do ta kujtoj më,
e nuk do të flas më në emrin e tij”.
Por kisha në zemër një si zjarr flakërues,
të ndryrë brenda kockave të mia.
U orvata ta ndalja,
por nuk munda.
10Dëgjoja pëshpërimat e shumicës:
“Tmerr rreth e qark!
Paditeni! Ta paditim!”.
Të gjithë dashamirësit e mi
prisnin rrëzimin tim:
“Ndoshta do të gënjehet,
mund ta mposhtim
e të marrim hak kundër tij”.
11Por Zoti është me mua porsi trim i frikshëm,
ndaj do të dridhen përndjekësit e mi
e nuk do të ngadhënjejnë.
Do të koriten fare,
se nuk do t'ia dalin,
me turp të përhershëm
që nuk do të harrohet.
12O Zoti i ushtrive, që e shqyrton të drejtin,
që shqyrton veshkat e zemrën,
shfaqma hakmarrjen tënde kundër tyre,
se ty ta parashtrova çështjen time.
13Këndojini Zotit,
lëvdojeni Zotin,
se e çliroi jetën e nevojtarit
nga dora e keqbërësit.
14Mallkuar dita kur u linda!
Dita kur më lindi ime më
mos qoftë e bekuar!
15Mallkuar qoftë njeriu
që i solli lajmin tim eti e i tha:
“Të ka lindur djalë”
e me ngazëllim e ngazëlleu.
16Ai njeri qoftë si qyteti,
Zoti e përmbysi pa mëshirë.
Dëgjoftë britma në ag
e ulërima në mesditë,
17se nuk më la të vdisja që në bark;
ime më do të ishte për mua varr
e barku i saj shtatzënë përjetë.
18Pse dola nga barku,
për të parë mund e pikëllim
e për t'i sosur me turp ditët e mia?».

Currently Selected:

Jeremia 20: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in