YouVersion Logo
Search Icon

Jeremia 21

21
Sedekia kërkon këshillë
1Fjala që Zoti i drejtoi Jeremisë kur mbreti Sedeki dërgoi tek ai Pashhurin, birin e Malkjahut, dhe priftin Sofoni, birin e Masejahut, për t'i thënë: 2«Pyete Zotin për ne, se Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, na ka hapur luftë. Ndoshta Zoti do të veprojë me ne sipas tërë mrekullive të veta që ai të largohet prej nesh».
3Jeremia iu përgjigj: «Kështu thuajini Sedekisë: 4kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: ja, do t'i kthej armët e luftës që keni në dorë, me të cilat luftoni kundër mbretit të Babilonisë e kundër kaldenjve, që u kanë vënë rrethimin jashtë mureve, e do t'i grumbulloj në mes të këtij qyteti. 5Unë vetë do të luftoj kundër jush, me dorë të shtrirë e me krah të fuqishëm, me zemërim, me tërbim e me furi të madhe. 6Do t'i godas banorët e këtij qyteti, njerëzit e kafshët. Nga murtaja e rëndë do të vdesin. 7E pastaj, kumton Zoti, Sedekinë, mbretin e Judës, shërbëtorët e tij dhe popullin që do t'i ketë shpëtuar murtajës, shpatës e urisë në këtë qytet, do t'ia dorëzoj Nabukodonosorit, mbretit të Babilonisë, do t'i lë në duart e armiqve të tyre dhe në duart e atyre që kërkojnë t'u marrin shpirtin. Ai do t'i shkojë në teh të shpatës, pa keqardhje për ta, pa mëshirë e pa përdëllim.
8Ndërsa këtij populli thuaji: “Kështu thotë Zoti: ja, po ju vë përpara udhën e jetës dhe udhën e vdekjes. 9Kush do të mbesë në këtë qytet, do të vdesë prej shpatës, prej urisë e prej murtajës, ndërsa ata që do të ikin e do t'u dorëzohen kaldenjve, që ju kanë rrethuar, do të jetojnë e do të kenë për plaçkë jetën e vet, 10se jam drejtuar kundër këtij qyteti për keq e jo për mirë, kumton Zoti. Do të bjerë në dorë të mbretit të Babilonisë e ai do ta djegë me zjarr”».
Kundër mbretërve të Judës
11Shtëpisë së mbretërve të Judës thuaji: «Dëgjojeni fjalën e Zotit, 12o shtëpia e Davidit. Kështu thotë Zoti:
gjykoni me drejtësi çdo mëngjes,
lirojeni nga dora e shtypësit
atë që e kanë vjedhur,
që të mos shpërthejë si zjarr zemërimi im,
të mos përflaket pa e shuar askush,
për shkak të veprave tuaja të liga.
13Kundruall më ke, o banorja e luginës,
o shkëmbi i rrafshinës, kumton Zoti,
ju që thoni: kush do të zbresë kundër nesh,
kush do të hyjë në vendstrehimet tona?
14Do t'ju ndëshkoj sipas frytit të veprave tuaja, kumton Zoti,
do t'i vë zjarrin pyllit të saj
e rreth saj do të djegë gjithçka».

Currently Selected:

Jeremia 21: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in