Isaia 32
32
Mbretërimi i drejtësisë
1Ja, mbreti do të mbretërojë me drejtësi,
me drejtësi do të sundojnë sunduesit.
2Secili do të jetë si strehorja kundër erës,
si streha kundër rrebeshit,
si përrenjtë e ujit në tokë të etur,
si hija e shkëmbit në tokë të zhuritur.
3Sytë e atyre që shohin nuk do të erren më,
veshët e atyre që dëgjojnë do të jenë të hapura.
4Zemra e të paditurve do të fitojë dije,
gjuha e atyre që belbëzojnë
do të rrjedhë e do të flasë qartë.
5I marri s'do të quhet më fisnik,
mashtruesi s'do të quhet burrë zotëri.
6Sepse i marri flet veç marrëzi,
paudhësi sendërgjon zemra e tij,
sesi e si të kryejë pabesi
e poshtërsi të thotë kundër Zotit.
Të uriturit barkun zbrazët ia lë,
të eturit nuk i jep të pijë.
7Mashtruesi përdor armë të poshtra,
të këqija sendërgjon,
që ta rrënojë me fjalë të rreme të varfrin,
edhe skamnorin, që kërkon drejtësi.
8Por fisniku sendërgjon fisnikëri
e në fisnikëri qëndron.
9Ngrihuni, o gra mendjelehta,
dëgjojeni zërin tim;
ju, o bija të vetëkënaqura,
vërini vesh fjalës sime!
10Pas më shumë se një viti
do të dridheni, o të vetëkënaqura,
se ka për të përfunduar vjelja
e mbledhje frutash s'do të ketë më.
11Fërfëllini, pra, o mendjelehta,
trembuni, o të vetëkënaqura,
hiqini rrobat e zhvishuni,
ngjishni ijëve grathoren.
12Rrihni gjoksin e vajtoni për arat e këndshme,
për vreshtat pjellore,
13për tokën e popullit tim
që e mbuluan gjemba e ferra,
për të gjitha shtëpitë e gëzuara,
për qytetin që ngazëllen.
14Se do të braktiset edhe kështjella,
qyteti i zhurmshëm do të shkretohet,
fortesa e Ofelit, bashkë me kullën e vrojtimit,
do të kthehen përgjithmonë në shpella,
në lodrim për gomarët e egër,
në kullotë për bagëtitë.
15Por, kur të dikojë mbi ne sërish
Shpirti prej së larti,
shkretëtira do të bëhet kopsht pjellor
e kopshti si pyll do të vlerësohet.
16Në shkretëtirë do të banojë e drejta,
në kopsht do të vendoset drejtësia.
17Fryt i drejtësisë do të jetë paqja,
vepër e drejtësisë do të jetë qetësia,
ajo do të jetë siguria deri në amshim.
18Populli im do të vendoset në vend paqeje,
do të banojë në banesa të sigurta,
në vende të qeta, pa shqetësime,
19edhe pse pylli do të dëmtohet prej breshrit,
edhe pse qyteti do të fundoset thellë.
20Lum ju që mbillni pranë ujërave
dhe e lini të lirë kaun e gomarin.
Currently Selected:
Isaia 32: AL1
Highlight
Share
Copy
Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020