YouVersion Logo
Search Icon

Isaia 31

31
Zoti mbron Sionin
1Mjerë ata që zbresin në Egjipt për ndihmë,
që shpresën e kanë varur te kuajt,
që shpresojnë te qerret e shumta të luftës
dhe te kalorësit e shumtë në numër.
Nuk kthehen nga i shenjti i Izraelit,
Zotin nuk e kërkojnë.
2Por edhe ai është i aftë
e do të sjellë fatkeqësi.
Fjalën e vet nuk do ta kthejë pas,
por do të ngrihet kundër shtëpisë së keqbërësve,
kundër ndihmës së atyre që bëjnë paudhësi.
3Egjiptiani është njeri e jo Perëndi,
kuajt e tyre janë prej mishi e jo prej shpirti.
Kur ta shtrijë Zoti krahun e vet,
do t'i merren këmbët atij që do të jepte ndihmë,
ai që do të merrte ndihmë do të bjerë përtokë,
të gjithë së bashku do të marrin fund.
4Sepse kështu më ka thënë Zoti:
Siç ulërin mbi prenë luani apo këlyshi i luanit,
kur i vërsulet turma e barinjve,
siç nuk tutet prej zërit të tyre
e as nuk struket prej zhurmës që bëjnë,
ashtu do të zbresë edhe Zoti i ushtrive,
për të luftuar në malin e Sionit
e në kodrinën e tij.
5Siç fluturojnë zogjtë,
ashtu do ta mbrojë Zoti i ushtrive Jerusalemin,
do ta mbrojë e do ta çlirojë,
do ta kursejë e do ta shpëtojë.
6Kthehuni sërish tek ai, o bij të Izraelit,
prej të cilit kaq shumë u larguat!
7Atë ditë gjithkush do të flakë
idhujt e vet prej argjendi,
idhujt e vet prej ari,
që me duart tuaja mëkatare i punuat.
8Asiria do të bjerë prej shpatës,
por jo prej shpatës së njeriut,
do ta përpijë shpata,
por jo shpata e vdekatarit.
Arratinë do të marrë para shpatës,
të rinjtë e saj skllevër pune do të bëhen.
9Fortesën e saj do ta braktisin nga frika,
krerët e saj do të tmerrohen prej flamurit,
kumton Zoti, flaka e të cilit është në Sion,
furrnalta e të cilit, në Jerusalem.

Currently Selected:

Isaia 31: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in