YouVersion Logo
Search Icon

Isaia 30

30
Kundër marrëveshjes me Egjiptin
1Mjerë bijtë kryeneçë, kumton Zoti,
që sendërgjojnë, por pa më pyetur mua,
që lidhin besën, por jo të frymëzuar prej meje,
e që, kështu, i shtojnë mëkatet.
2U nisët për të zbritur në Egjipt,
por pa më pyetur mua.
Kërkoni mbrojtjen e fuqishme të faraonit,
doni të gjeni strehë nën hijen e Egjiptit.
3Mbrojtja e faraonit do t'ju kthehet në turp,
streha nën hijen e Egjiptit në poshtërim.
4Vërtet prijësit tuaj ndodhen tashmë në Coan
dhe të dërguarit tuaj kanë mbërritur në Hanes,
5por do të turpërohen të gjithë,
prej një populli që nuk sjell asnjë të mirë,
që nuk sjell as ndihmë e as dobi,
por veç turp e poshtërim.
6Profeci kundër kafshëve të Negevit:
Në një vend vuajtjeje e mjerimi,
prej nga vijnë luanesha e luani,
nepërka e dragoi fluturues,
mbi kurriz gomarësh mbartin pasuritë,
mbi gunga devesh thesaret e tyre,
për t'ia çuar një populli
nga i cili gjë s'fitojnë.
7E kotë e pavlerë është ndihma e Egjiptit,
prandaj dhe e quaj «Rahaba që s'luan vendit».
8Shko tani e, para syve të tyre,
shkruaje këtë në një rrasë.
Shënoje në një rrotull,
që të mbetet për të ardhmen
deri në amshim.
9Se ky popull është kryengritës,
bij mashtrimi janë ata,
bij që s'duan ta dëgjojnë ligjin e Zotit.
10«Mos kini vegime!», u thonë vegimtarëve.
«Mos na dëfteni të vërtetën!», profetëve.
«Por na flisni me fjalë lajkatare
e na dëfteni veç mashtrime!
11Shmanguni nga udha e drejtë,
dilni prej shtegut të vërtetë,
të shenjtin e Izraelit na e hiqni sysh!».
12Prandaj kështu thotë i shenjti i Izraelit:
Meqë e përçmuat këtë fjalë
dhe besuat te shtypja e te shthurja,
duke u mbështetur fort mbi to,
13kjo paudhësi do të jetë për ju si një e çarë,
si plasaritja e thellë e murit të lartë,
rrënimi i të cilit ndodh papritur në një çast.
14Do të thyhet si një poçe prej balte,
do të thërrmohet pa mëshirë.
S'do t'i mbesë asnjë copëz,
për të marrë pak zjarr prej vatrës
apo për të nxjerrë një pikë ujë prej sternës.
15Se kështu thotë Zoti Perëndi,
i shenjti i Izraelit:
po të ktheheni e të pushoni,
do të gjeni shpëtim;
po të jini në prehje e të keni besim,
do t'i gjeni forcat,
por ju nuk doni.
16Ju thatë: «Aspak! Do të ikim me kuaj».
Mirë, pra, keni për të ikur.
«Do të kalërojmë shpejt e shpejt», thatë.
Mirë, pra, të shpejtë do të jenë
edhe ndjekësit tuaj.
17Vetëm njëri do t'ju kërcënojë
e një mijë prej jush do të tremben,
pesë prej tyre do t'ju kërcënojnë,
do të merrni arratinë,
derisa të keni mbetur si hu në majë të malit,
si flamuri në majë të kodrës.
18E pra, Zoti pret t'ju përdëllejë,
është ngritur t'ju mëshirojë,
se Zoti është Perëndi i drejtë;
lum ata që shpresojnë tek ai!
19Se ti, o popull i Sionit, që banon në Jerusalem,
nuk ke për të qarë më,
mëshirë do të gjesh, sapo t'i kërkosh,
ndihmë do të marrësh, sapo të të dëgjojë.
20E Zoti ka për t'ju dhënë
bukë në kohë fatkeqësie,
ujë në kohë mjerimi.
Mësuesi më prej teje s'do të fshihet,
por me sytë e tu do ta shohësh.
21Nëse shmangeni djathtas,
apo nëse shmangeni majtas,
një zë nga pas do t'ju thotë në vesh:
«Ja ku është udha, bjerini andej!».
22Idhujt e veshur me argjend
do t'i trajtosh si të papastër,
bashkë me idhujt prej metali
të veshur me ar.
Do t'i flakësh tej si papastërti grash
e do t'u thuash: «Qelbësirë!».
23Atëherë do të dërgojë shi për farën
që do të kesh mbjellë nëpër ara
dhe buka që do të prodhojë toka,
e shijshme dhe e begatë do të jetë.
Atë ditë bagëtitë e tua do të kullotin
nëpër kullota të gjera.
24Qetë e gomarët, që lërojnë arat,
do të hanë tagji të kripur,
të hedhur me lopatë e terplote.
25Mbi çdo mal të lartë
e mbi çdo kodër të ngritur
përrenj do të ketë, që rrjedhin vrullshëm,
ditën e batërdisë së madhe,
kur do të shemben kullat.
26Drita e hënës do të ndriçojë si drita e diellit,
drita e diellit do të jetë shtatë herë më e fortë,
porsi ndriçimi i shtatë ditëve do të jetë,
ditën kur Zoti të lidhë plagën e popullit të vet
e të shërojë vurratën e goditjes që vetë i dha.
27Ja, prej së largu vjen emri i Zotit,
e zjarrtë furia e tij, e rëndë barra e tij,
plot zemërim janë buzët e tij,
gjuha e tij si flakë përvëluese.
28Fryma e tij si përroi që vërshon
e që të mbulon deri në fyt,
që kombet t'i shoshitë me shoshë kërdie,
që popujve t'u vërë në nofulla fre shfrenimi.
29Atëherë do t'ia merrni këngës,
si natën kur bëni festë,
me zemër të ngazëlluar, si ai që i bie fyellit,
kur shkon në malin e Zotit, te shkëmbi i Izraelit.
30 Zoti do të bëjë t'i dëgjohet zëri i madhërishëm,
do të tregojë si vringëllon krahu i tij,
me furinë e zemërimit të tij,
me flakët e zjarrit përvëlues,
me thëllim e me stuhi,
me shtrëngatë breshri.
31Prej zërit të Zotit do të dridhet Asiria,
nga fshikullimat e shkopit të tij.
32Çdo goditje e shkopit të ndëshkimit,
me të cilin Zoti do t'i bjerë,
do të përcillet me dajre e me harpa;
me beteja vringëlluese
kundër saj do të luftojë.
33Qëmoti është gatitur vendi i zjarrit përvëlues,
gati është edhe për mbretin,
e kanë thelluar, e kanë zgjeruar,
turra e zjarrit është plot me dru,
fryma e Zotit si përrua squfuri,
flakën ka për t'i vënë.

Currently Selected:

Isaia 30: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in