YouVersion Logo
Search Icon

Hebrenjve 9

9
Shenjtërorja tokësore dhe qiellore
1Sigurisht që edhe besëlidhja e parë kishte rregulla adhurimi dhe një shenjtërore tokësore. 2U ndërtua një tendë e parë, në të cilën ndodhej shandani, tryeza e bukët që i kushtoheshin Perëndisë. Kjo tendë quhej «Shenjtërorja».
3Pas velit të dytë ishte tenda që quhej «Shenjtërorja e shenjtëroreve». 4Atje ndodhej altari i artë, ku digjej temjani e gjendej arka e besëlidhjes, mbuluar nga të gjitha anët me ar. Brenda arkës ndodhej qypi i artë, që mbante manën, shkopi i Aronit që kishte lulëzuar dhe rrasat e besëlidhjes. 5Sipër arkës ndodheshin kerubët e lavdisë, që mbulonin pajtimoren, për të cilët nuk është nevoja të flasim me hollësi tani.
6Këto ishin ndërtuar në mënyrë të tillë që në tendën e parë të hynin gjithnjë priftërinjtë për të bërë shërbesat e adhurimit. 7Ndërsa në tendën e dytë hynte vetëm kryeprifti një herë në vit dhe jo pa gjak kafshësh, të cilin ia kushtonte Perëndisë për mëkatet e veta dhe për mëkatet e popullit, të bëra nga padija.
8Me këtë gjë Shpirti i shenjtë tregon se udha për te shenjtërorja e shenjtëroreve nuk do të zbulohej për sa kohë do të ishte tenda e parë. 9Tenda e parë është një shëmbëlltyrë për kohën e tanishme dhe tregon se dhuratat dhe flijimet nuk mund ta bëjnë të përsosur ndërgjegjen e atij që i kushton, 10pasi ka të bëjë vetëm me ushqime, me pije e me larje të ndryshme, me rregulla për trupin, të cilat vlejnë derisa t'u vijë koha për t'u ndrequr.
11Krishti erdhi si kryeprift i të mirave, që tashmë kanë ardhur. Tenda ku shërben ai është më e madhe dhe më e përsosur. Ajo nuk është bërë nga duar njerëzore, domethënë nuk i përket këtij krijimi. 12Kur Krishti hyri një herë e përgjithmonë në shenjtëroren e shenjtëroreve, nuk kushtoi gjak cjepsh e viçash, por gjakun e vet, duke na sjellë shpengimin e amshuar.
13Sepse, nëse gjaku i cjepve e i viçave, si dhe hiri i mëshqerrës që spërkatet mbi të papastrit, i pastron ata nga ndyrësia trupore, 14aq më tepër do ta bëjë këtë gjë gjaku i Krishtit, i cili nëpërmjet Shpirtit të amshuar e kushtoi veten para Perëndisë si flijim të pastër. Ai na pastron ndërgjegjen nga veprat e vdekura që t'i shërbejmë Perëndisë së gjallë.
15Kështu Krishti është ndërmjetësi i besëlidhjes së re, sipas së cilës të gjithë ata që janë thirrur për të marrë pjesë në trashëgimin e amshuar, do të marrin shpërblimin që u ishte premtuar, për shkak se Krishti vdiq për shkeljet që ishin bërë në besëlidhjen e parë. 16Atje ku ka testament, duhet medoemos të vërtetohet edhe vdekja e atij që e la testamentin. 17Sepse testamenti është i vlefshëm vetëm pas vdekjes dhe nuk ka kurrfarë fuqie për sa kohë jeton ai që e lë.
18Prandaj edhe besëlidhja e parë nuk ishte themeluar pa gjak. 19Kur i shpalli gjithë popullit urdhërimet e ligjit, Moisiu mori gjak viçash e cjepsh dhe e përzjeu me ujë. Pastaj mori lesh të kuq dhe hisop e me to spërkati librin dhe gjithë popullin 20duke thënë: ky është gjaku i besëlidhjes që Perëndia urdhëroi për ju. 21Po ashtu ai spërkati me gjak tendën dhe të gjitha enët e shërbesës së adhurimit. 22Sipas ligjit, pothuajse gjithçka pastrohet me gjak dhe pa u derdhur gjak nuk ka ndjesë mëkatesh.
Flijimi i Krishtit shlyen mëkatin
23Ishte e nevojshme që edhe trajtat e gjërave qiellore të pastroheshin në të njëjtën mënyrë. Por ato kanë nevojë për flijime më të mira se këto. 24Krishti nuk hyri në një shenjtërore të bërë nga duar njerëzish, që është vetëm shëmbëllesë e shenjtërores së vërtetë, por drejt e në qiell, që të dalë para Perëndisë për ne.
25Krishti nuk do ta flijojë shumë herë veten, siç bënte kryeprifti kur hynte në shenjtëroren e shenjtëroreve çdo vit me gjak kafshësh, 26sepse do të duhej të vuante shumë herë që nga krijimi i botës. Përkundrazi, tani, ai u shfaq vetëm një herë në fund të kohëve për ta shkatërruar mëkatin nëpërmjet flijimit të vetes.
27Sikurse njerëzit një herë vdesin dhe pastaj vjen gjykimi, 28ashtu edhe Krishti, pasi u flijua një herë për të marrë mbi vete mëkatet e shumë njerëzve, do të shfaqet për herë të dytë, jo për të shlyer mëkate, por për të shpëtuar ata që e presin.

Currently Selected:

Hebrenjve 9: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in